Ndërlidhjet

Serbia nuk zbaton marrëveshjen


Beograd
Beograd
Qeveria e Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj për moszbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal nga ana e Serbisë.

"Kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë ka ndodhur sot, në kuadër të konferencës rajonale 'Partneriteti për ndryshim: shoqëria civile dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi', e cila po mbahet në Beograd. Serbia, si organizatore e kësaj konference, ka dështuar të zbatojë pikën 2 dhe pikën 4 të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Për rrjedhojë, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë konferencë është pamundësuar dhe përfaqësuesi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka braktisur konferencën në fjalë", thuhet në kumtesën për media të ekzekutivit kosovar.

Në bazë të dokumentit të publikuar në media - përmbajtja e marrëveshjes në fjalë nuk është publikuar zyrtarisht - në pikën 2 thuhet se “Kosovo* është vetëm emërtim që do të përdoret në kuadër të bashkëpunimit rajonal”.

Në pikën 4, ndërkaq, thuhet se “Kosova* merr pjesë si e pavarur dhe flet në emër të sajin në të gjitha tubimet rajonale”.

Qeveria i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, si ndërmjetës dhe garantues të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për të garantuar zbatimin në praktikë të marrëveshjeve të arritura.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal muajin e kaluar.

Marrëveshja parasheh prezantimin rajonal të Kosovës me fusnotën që përmban Rezolutën 1244 të OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG