Ndërlidhjet

A ka dështuar privatizimi?


Ilustrim...
Ilustrim...
Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë kishte filluar në vitin 2002.

Tani, 10 vjet pas, ekspertët e çështjeve ekonomike, këtë proces e konsiderojnë të pasuksesshëm dhe me efekte negative në ekonominë e Kosovës.

Ata thonë se kosovarët në këtë proces kanë qenë vetëm vëzhgues, ndërkohë që faktori ndërkombëtar ka qenë ai që i ka pasur të gjitha në dorë.

Sipas tyre, vetë modeli i privatizimit ka qenë një model që nuk ka mundur të sjellë rezultate të duhura.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, për Radion Evropa e Lirë thotë se nëse shikohen efektet e privatizimit gjatë këtyre 10 viteve, mund të thuhet se ka qenë i pasuksesshëm, pasi që, siç thotë ai, interesi i investitorëve ka qenë i mangët.

Mendoj se ne thjesht kemi ftohur investitorët potencialë, sepse në vend që t’i japim mundësi që të investohet në renovimin e ndërmarrjeve shoqërore që kanë pasur nevojë, ne i kemi dhënë përparësi çmimit të lartë, gjë që ka pasur efekt negativ”, thekson Musa.

Procesi i privatizimit, sipas Lekë Musës, nuk ka qenë i orientuar drejt krijimit të vendeve të punës dhe tërheqjes së investime, por më shumë drejt mbledhjes së mjeteve të privatizimit, gjë që, sipas tij, ka qenë elementi kryesor që ka ndikuar negativisht në këtë proces.

Problem tjetër shumë specifik në lidhje me privatizimin është kushtëzimi, i cili është i ndërlidhur ngushtë me privatizimin, e që ka të bëjë më ngrirjen e fondeve nga procesi i privatizimit, dhe kjo ka pasur efekt kontraktual në ekonomi, pasi që, mjetet që janë gjeneruar nga privatizimi, janë të ngrira, derisa biznesi, në anën tjetër, është dashur të hyjë në kredi në banka të ndryshme”, thekson Musa.

Sidoqoftë, Musa thekson se ky proces i privatizimit ka pasur disa elemente të suksesit, por që ato janë shumë të pakta.

Me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore nuk janë të kënaqur as përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ky proces, sipas tyre, nuk ka arritur që të krijojë vende të reja të punës.

Kryetari Haxhi Arifi e quan të dështuar kohën kur procesi i privatizimit udhëhiqej nga AKM-ja, ndërkaq kohën kur më këtë proces ka udhëhequr AKP-ja, ai thotë se ka pasur ndryshime pozitive.

Në periudhën e ekzistimit të AKP-së gjithçka që ka ndryshuar në konotacionin pozitiv dhe shumëçka është vu në binarë. Shumë privatizime i kanë mbetur barrë e AKP-së nga AKM-ja. Edhe kjo periudhë e AKP-së ka pasur pengesa, derisa nuk është nxjerrë ligji i AKP-së dhe ligji i privatizimit”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, procesi i privatizimit deri në muajin prill të vitit 2008, është mbikëqyrur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, ndërkaq, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetencat kanë kaluar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, procesin e privatizimit e konsideron si mjaft të suksesshëm.

Ai thotë se që nga fillimi i procesit të privatizimit në vitin 2002, deri më tani janë privatizuar më shumë se gjysma e ndërmarrjeve shoqërore.

Nga këto ndërmarrje të privatizuara, janë krijuar 640 ndërmarrje të reja, dhe Agjencia ka përmbyllur 636 kontrata të shitjes, prej tyre 611 janë më metodën ‘spin off’, kurse me likuidim, deri më tani janë nënshkruar 200 kontrata. Në fondet e mirëbesimit janë grumbulluar rreth 590 milionë euro”, thekson ai.

Përveç sukseseve, Kaloshi thotë se ka pasur edhe ngecje, dhe këto ngecje kanë të bëjnë me likuidimin e ndërmarrjeve.

Ky proces, thekson ai, është ende në fillet e saj dhe mbetet shumë punë për t’u bërë.

Një e arritur tjetër e Agjencisë Kosovare të Privatizimit është edhe ndarja e 20 për qindëshit për punëtorët, thotë Kaloshi. Sipas tij, deri më tani janë arritur të shpërndahen rreth 50 milionë euro.

Në këtë mënyrë janë zbutur reagimet dhe pakënaqësitë e punëtorëve, tani nuk ka protesta të punëtorëve që i kemi parë në të kaluarën. Agjencia ka përfunduar me shpërndarjet e mbetura dhe të trashëguara të 20 përqindëshit”, bën të ditur ai.
XS
SM
MD
LG