Ndërlidhjet

Maqedoni: Përmbarimi i lëndëve - sfidë


Ilustrim
Ilustrim
Maqedonia, në masë të theksuar ka harmonizuar legjislacionin e vendit me atë të BE-së, implementimi i të cilave ligje ka ndikuar edhe në zbarkimin e gjykatave nga lëndët e pazgjidhura me vite, konsideron ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Blerim Bexheti.

“Me ndryshimin e më shumë ligjeve, ishte e paraparë që urdhërpagesat të transferohen në kompetencë të noterëve, ndërsa lëndët e vjetra për ekzekutim, palët t`i transferojnë te përmbaruesit. Përveç kësaj, ekzekutimi i dënimeve me para në lëndët penale dhe kundërvajtës, është transferuar në kompetencë të Drejtorisë për të Ardhurat Publike. Me gjithë këto reforma, nëpër gjykatat ngelin vetëm lëndët kontestuese, në të cilat, gjatë periudhës së ardhshme duhet t`i jepet prioritet vendimmarrjes”, thotë Bexheti.

Por, përmbaruesit ankohen se implementimi i ligjeve në praktikë has në vështirësi, veçanërisht në zbatimin e proceduarave për realizimin e faturave.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve, Antonio Koshtanov, thotë se vetëm Korporata Energjetike, EVN, ka kërkuar që përmbaruesit të shqyrtojnë rreth 240 mijë lëndë , të cilat gjykata e ka vështirë t’i transferojë në afatet ligjore si pasojë e administratës së ngathët.

“Për shkak të numrit të madh të lëndëve, gjykata nuk ka arritur t’i bartë te përmbaruesit në afat prej tetë ditëve, ashtu siç parashihet me ligj, për shkak se administrata e gjyqësorit nuk është e profesionalizuar në masën që kërkohet me standardet që vlejnë në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian”, shprehet Koshtanov.

Sipas Koshtanovit, problemet bëhen edhe më të mëdha kur lëndët arrijnë në duar të përmbaruesve.

“Bëhet fjalë për lëndë shumë të vjetra, të cilat me vite kanë qëndruar në gjykata, pa epilog gjyqësor, dhe më paradoksale është se kamata e përcaktuar jo rrallëherë është më e lartë sesa borxhi bazë”, thekson Koshtanov.

Pos shqetësimit, që ka të bëjë me vonesat e njoftimit të palëve të përfshira në kontest nga ana e gjykatave, shpesh probleme paraqiten edhe si pasojë e adresave të pasakta të qytetarëve, për të cilët zhvillohet procesi gjyqësor edhe pa dijeninë e tyre. Dhe, së treti, është evidente nevoja emergjente e trajnimit të administratës, nga puna e të cilëve varet azhuriteti i lëndëve në afatet e përcaktuara me ligj, theksojnë ekspertët juridikë.

Ndryshe, reformat në sistemin gjyqësor paraqesin një nga gjashtë shtyllat kryesore të dialogut të sapofilluar në nivel të lartë ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, nga realizimi i së cilave do të vlerësohet dhe përparimi i vendit në procesin e integrimit.
XS
SM
MD
LG