Ndërlidhjet

Bilanci i punës:Tahiri vs Stefanoviq


Në kohën kur dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit është duke “pushuar”, deri në krijimin e qeverisë së re në Serbi, në skenën politike kosovare janë shtuar pakënaqësitë për ecurinë e deritashme dhe rezultatet që arriti pala kosovare në këtë proces.

Kjo pakënaqësi u shpërfaq së fundi në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në të cilën deputetët e opozitës bënë thirrje për ndërprerjen e bisedimeve, kurse kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi dorëheqjen e shefes së delegacionit kosovar, Edita Tahiri, duke e akuzuar atë për paaftësi negociuese.

Më pozitive, ndërkaq, ishin vlerësimet e deritashme në Serbi sa i takon punës së kreut të delegacionit të këtij shteti në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviq.

Vlladimir Todoriq, nga Qendra për Politika të Reja në Beograd, shprehu bindjen që në vlerësimet e kundërta të kenë ndikuar pritjet e ndryshme që kanë pasur pala serbe dhe ajo kosovare për përfitimet e dialogut.
Serbia, në një farë mënyre, ka fituar, nëse mund ta quajmë ‘garën e bukurisë’ në dialog duke qenë më konstruktive...

“Mendoj se në përgjithësi Prishtina e ka bërë një gabim kur ka rritur pritjet nga njerëzit e saj diku dy javë para krijimit të marrëveshjes për përfaqësim rajonal, sepse patën thënë publikisht se nuk do të pajtohen me asgjë më pak se sa denominimin si Republikë e Kosovës”.

“Ky nuk ishte një hap i mençur, ndërsa hapi tjetër edhe më i pamençur ishte dërgimi i letrave te një pjesë e shteteve anëtare të BE-së, me të cilat kërkohej që Serbisë t’i mos jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Serbia, në një farë mënyre, ka fituar, nëse mund ta quajmë ‘garën e bukurisë’ në dialog duke qenë më konstruktive dhe duke ofruar modele e kombinime të ndryshme për një marrëveshje”, theksoi Todoriq për Radion Evropa e Lirë.

Kritikat drejtuar Qeverisë dhe palës kosovare në dialog u ashpërsuan sidomos pas marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, e cila parasheh përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale e ndërkombëtare pa fjalën Republikë dhe një asterisk, në fusnotën për të cilin përmendet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Më se një muaj pas arritjes së marrëveshjes në fjalë, kanë nisur të qarkullojnë idetë për rikompozimin e delegacionit të Kosovës.

Mirëpo, Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), i tha Radios Evropa e Lirë se problemi i bisedimeve nuk ka të bëjë me përbërjen e delegacioneve.
Në të vërtetë problem i dialogut nuk është kush po e udhëheq delegacionin e Prishtinës se sa është problem i tërë formati, në të cilin po zhvillohet dialogu...

“Në të vërtetë problem i dialogut nuk është kush po e udhëheq delegacionin e Prishtinës se sa është problem i tërë formati, në të cilin po zhvillohet dialogu, korniza brenda të cilit po zhvillohet dialogu, e ku Kosova e Serbia nuk trajtohen në mënyrë të barabartë prej BE-së dhe ku e tëra duket se po bëhet për ta shpërblyer Serbinë dhe jo për ta shpërblyer Kosovën”, tha Arifaj, për të theksuar rëndësinë që Prishtina të refuzojë kategorikisht hyrjen në dialogun politik enkas për veriun e Kosovës - mundësi kjo e përmendur tashmë edhe nga zyrtarët në Bruksel.

Todoriq, ndërkaq, e quajti të domosdoshëm zhvillimin e bisedimeve për veriun me rezultat eventual një autonomi të zgjeruar për atë pjesë. Me zgjidhjen e problemit të veriut, sipas tij, do t’i hapej rruga “marrëveshjes historike” ndërmjet të dyja palëve që do të mund t’i ngjasonte modelit të vitit 1974 ndërmjet të dy Gjermanive.

Por, për të biseduar për veriun, Prishtinës zyrtare, sipas Todoriqit, do t’i duhet një qeveri e fuqishme.

“Ne kemi ende mjaft njerëz të luftës në Qeverinë e Kosovës që kanë një sfond të luftëtarëve dhe komandantëve, ndërsa Beogradi ka një gjeneratë të tretë të politikanëve pas 1999-s. E kemi pasur Koshtunicën, Gjingjiqin, e tani e kemi Tadiqin - pra, gjeneratat janë të ndryshme dhe dinamika politike në Beograd është më e gatshme për ndryshime se sa ajo në Prishtinë”, u shpreh Todoriq.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian pati nisur në mars të vitit të kaluar për të rezultuar, pas nëntë raundeve të takimeve ndërmjet palëve, me shtatë marrëveshje-në formën e konkluzioneve.

Në raundet e ardhshme të këtij procesi Prishtina e Beogradi pritet të diskutojnë për energjinë dhe telekomunikacionin, por ende nuk është caktuar ndonjë datë për vazhdimin e tij.
XS
SM
MD
LG