Ndërlidhjet

Mendjet e ndritura dhe të errëta


Ilustrim
Ilustrim
E kemi konservuar, e kemi tharë, e kemi bërë krejt vrima-vrima, e kemi mumifikuar e copëtuar, dhe megjithatë, entiteti më kompleks në univers, truri i njeriut, vazhdon të mbetet një magjepsje misterioze, njofton agjencia e lajmeve Reuters.

Me mostra të trurit të konservuar tashmë të Albert Ajnshtajnit dhe të të tjerëve që njihen botërisht, si ajo e matematikanit anglez Çarls Bebexh dhe vrasësit në masë Ulliam Bërk, në Londër këtë javë hapet ekspozita për të ushqyer gjithë intrigën që ekziston përreth mendjeve të njohura.

Por, t’i kthehemi trurit të Ajnshatjnit, duke përmbledhur shkrimet në mediat londineze.

Ajnshtajn me bashkëshorten
Ajnshtajn me bashkëshorten

Kur gjeniu vdiq në moshën 76-vjeçare në vitin 1955, truri i tij është ndarë në 240 seksione, dy nga të cilat do të ekspozohen.

Dy seksionet huazohen nga Muzeu Mutter në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara, ku edhe janë ekspozuar për herë të parë vitin e kaluar.

Patologu Tomas Harvi, i cili ka kryer ekzaminimin post-mortem pas vdekjes së shkencëtarit, e ka prezervuar trurin në kavanoz të mbushur me formaldehid (gaz pa ngjyrë që shërben për prezervimin e masave biologjike).

Për këtë veprim, Harvi kishte pohuar se kishte marrë lejen nga i biri i Ajnshtajnit, pohime këto të cilat më vonë ishin hedhur poshtë.

Për befasinë e shumë njerëzve, truri i Ainshtajnit nuk është i madh, për dallim nga të tjerët që do të ekspozohen.

Bashkë-kuratorja e ekspozitës, Lusi Shanahan, ka thënë se seksionet e trurit të këtij gjeniu, mund të ofrojnë një zgjidhje se si ka arritur ai, me trurin e tij, të arrijë deri te Teoria e Relativitetit, për të cilën njihet edhe aq shumë.

Sidoqoftë, përgjigje të shumta në llojet e ndryshme të trurit, qofshin mendje të ndritura apo të errëta, shumë shkencëtarë do të përpiqen të japin në ekspozitën që hapet të enjten, më 29 mars në Londër, deri në mbylljen e saj më 17 qershor. (a.v.)


XS
SM
MD
LG