Ndërlidhjet

Prokurimi, rruga më e “efektshme” e korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim
Ligji për prokurimin publik siguron mënyrën efikase, transparente dhe të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike. Ky ligj, gjithashtu ka për qëllim të sigurojë integritetin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publikë dhe personave tjerë që janë të përfshirë në aktivitete të prokurimit, që vendimet e individëve të mos ndikohen nga interesat personale.

Por, brenda sistemit të prokurimit, ka të atillë që duket se këto fjali i kanë kuptuar në mënyrë të kundërt, thonë zyrtarë të organizatave joqeveritare dhe njohës të rrethanave ekonomike.

Sipas tyre, çdo fjalie, zyrtarët e prokurimit ia kanë shtuar parashtesën "mos": mos-transparencë, mos-efikasitet dhe mos-shfrytëzim i drejtë i parasë publike.


Haki Shatri, ekspert për çështje ekonomike, njëherësh ish-ministër i Ekonomisë, thotë se sfera më e përshtatshme për zhvillimin e korrupsionit dhe pasurimin e zyrtarëve qeveritarë, është fusha e prokurimit.

Për fat të keq, thotë Shatri, edhe institucionet që thirren në parandalimin e korrupsionit, janë politizuar dhe si të tilla, ndihmojnë personat që të arrijnë qëllimin e tyre, të keqpërdorimit të parasë publike.

“Legjislacioni nuk është fajtor, rregullativa është e rregulluar, mirëpo nuk ka gatishmëri, as nuk ka vendosmëri për të respektuar ligjin dhe të punohet me paranë publike ashtu siç parashihet me rregulla”, thotë Shatri.

Dhënia e mitos - e jashtëligjshme!
Dhënia e mitos - e jashtëligjshme!
Fusha e tenderimit është terreni më i përshtatshëm për keqpërdorimin e parasë publike, thotë Shatri, duke shtuar se këtu është i ndërtuar një rrjet deri në nivelet më të larta shtetërore.

“Ata që punojnë si nëpunës aty, punëtorë të Zyrës së prokurimit mund të realizojnë ndonjë përfitim të ulët, por kryesisht punojnë për shefat e tyre. Tenderët që janë të një vlere të ulët, deri në 100 mijë euro, i bëjnë personat nën kategorinë e ministrave. Ndërsa, si të kalohet kjo kuotë, kalon në kompetencë të ministrit dhe këtu dihet se vetëm me fjalë të tij, jepet tenderi dhe normalisht paguhet mito, siç po flitet dhe është konstatuar disa herë, e që është e jashtë ligjshme”, thekson Shatri.

Hulumtime rreth parregullsive në prokurimin publik ka bërë edhe Organizata Joqeveritare “FOL”. Fisnik Kalaja, nga kjo organizatë, thotë se prokurimi publik është njëra nga top-fushat më të korruptuara në Kosovë dhe kjo, sipas tij, është dëshmuar me fakte, pasi tashmë për shkak të involvimit në afera të ndryshme korruptive janë nën hetime apo arrestuar zyrtarë të lartë të ekzekutivit.

Ndërkaq, sa i përket fushës së tenderimit, Kalaja thekson se shumica e bizneseve vendore që kanë financuar gjatë fushatës zgjedhore partitë politike që janë në pushtet, janë shpërblyer me kontrata milionëshe nga institucionet, pa përfillur procedurat e prokurimit publik.

“Kjo është e vërtetë, madje kemi qenë dëshmitarë se si publikisht këto biznese që kanë financuar partitë politike në fushatat e tyre për zgjedhje, kanë dërguar letra publike te drejtuesit e institucioneve duke iu kërkuar atyre tashmë shpërblim me kontrata, pasi që kanë financuar partitë politike”, pohon Kalaja.

Sipas raportit vjetor të publikuar nga Lëvizja “Fol”, të quajtur “Monitoruesi i Prokurimit Publik 2011”, janë paraqitur shkelje të shumta që janë bërë në sistemin e prokurimit publik.

Sipas këtij raporti, në ministri të ndryshme të Qeverisë janë gjetur 30 raste të mosrespektimit të procedurave ligjore sa i përket dhënies së tenderëve, në ndërmarrjet publike 9 raste, ndërsa në Zyrat e prokurimit në komunat e Kosovës, kjo lëvizje ka hasur në 37 raste të keqpërdorimit të parasë publike.

Lexoni më shumë për pasojat e korrupsionit:
Korrupsioni që nuk ndëshkohet, largon investitorët
Buxheti humb miliona euro nga korrupsioni
Korrupsioni ngufat ekonominë
XS
SM
MD
LG