Ndërlidhjet

Anti-korrupsion: Luftë me dokumente


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pavarësisht miratimit të strategjive dhe dokumenteve të ndryshme për luftë kundër korrupsionit, sipas vlerësimeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, niveli i korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet i lartë.

Sikur vitet e kaluara, edhe në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit për vitin 2012-2016.

Me rastin e miratimit të këtij dokumenti, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë, është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile, njohës të çështjeve ekonomike dhe udhëheqës të agjencisë kundër korrupsionit, thonë se çdo parti politike, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale që udhëheqë vendin, në mënyrë retorike i kanë shpallur luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mirëpo në praktikë një dukuri e tillë gjithnjë ka qenë e pranishme.

Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike, thotë se vendit asnjëherë nuk i kanë munguar ligjet dhe dokumentet për këtë çështje, por, sipas tij, mungon vullneti politik për të parandaluar dhe luftuar këtë dukuri.

Nuk është problem mungesa e mekanizmave ligjor, mungesa e strukturave që të luftohet korrupsioni, po thjesht mungon vullneti dhe disponimi, duke filluar nga strukturat qeveritare”.

Nëse shohim raportet rreth mënyrës së shpenzimeve të parasë publike, rreth formave të kontraktimit me operatorë të ndryshëm ekonomik, mënyra e zbatimit të tenderëve të ndryshëm, del se aty është përqendruar korrupsioni dhe pikërisht aty duhet të ketë vullnet politik që të shkohet deri në fund më këtë”, thekson Rexhepi.

Nëse i bëhet një analizë e shkurtë të gjithë mekanizmave anti-korrupsion të cilat qeveria ka krijuar me pretekst të luftimit të korrupsionit, asnjëra nga to nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Merita Mustafa, nga Instituti Demokratik i Kosovës, nuk beson se partitë politike mund të krijojnë mekanizma efikas kundër korrupsionit, pasi, siç thotë ajo, në çdo raport të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, partitë politike, përfshirë këtu edhe partinë në pushtet janë identifikuar si institucionet më të korruptuara në vend.

Dobësitë në sistemin e drejtësisë dhe mungesa e legjislacionit adekuat për ta luftuar korrupsionin, më së miri janë duke i shkuar për shtati politikanëve të korruptuar, të cilët në mënyrë jo rastësishme kanë lënë anash reformimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë”.

Prandaj, unë mendoj se institucionet publike ashtu edhe shoqëria civile duhet të bashkëpunojnë më tepër dhe përfundimisht të merren me identifikimin e korrupsionit dhe me shkaqet e shtrirjes se tij në sektorë të caktuar, dhe më pas të krijojnë mekanizmat të nevojshëm për ta kundërshtuar atë, gjë që deri më tani nuk është parë të ketë ndodhur”, shprehet Mustafa.

Se shkalla e korrupsionit është mjaft shqetësuese për shoqërinë kosovare, thotë edhe Hasan Preteni, udhëheqës i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.
Preteni, shprehet se të gjitha raportet për këtë çështje tregojnë se në Kosovë ka progres te mekanizmat ligjorë, por mungojnë rezultatet në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Megjithatë, Preteni, thekson se është i domosdoshëm që korrupsioni të gjykohet.

Ne kemi analizuar të dhënat e institucioneve që kanë për mision luftën kundër korrupsionit vitin e kaluar, kemi vërejtur se ka hetime të mjaftueshme, ka ngritje të aktakuzave, por nuk ka gjykime”.

Sa për ilustrim, gjatë vitit 2010, sepse për vitin 2011 do të pasojë një raport pas muajit mars, qëndron fakti se vetëm 6 aktgjykime janë shpallur nga të gjitha gjykatat për veprime të mundshme korruptive. Mendoi se është numër shumë i vogël, duke marrë parasysh cilat janë kallëzimet, cilat janë hetimet, aktakuzat, gjykime ka fare pak ose hiq”, bën të ditur Preteni.

Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka paralajmëruar se do të themelojë një këshill koordinues këshillëdhënës për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
XS
SM
MD
LG