Ndërlidhjet

Thaçi: Koha që Bosnja të njohë Kosovën


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është koha që Bosnjë e Hercegovina të njohë Kosovën, duke thënë se pavarësia e saj nuk është e drejtuar kundër askujt.

“Është koha që Bosnja të pranojë Kosovën, të lërë të kaluarën dhe të ndërmarrë këtë hap të guximshëm”, ka thënë Thaçi për mediat boshnjake gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku ka takuar edhe kreun e Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.

“Pavarësia e Kosovës sjell më shumë stabilitet në rajon, marrëdhënie pozitive në mes të fqinjëve dhe bashkëpunim më të mirë rajonal. Ajo i përmirëson shanset e të gjithë atyre që kanë aspirata në rrugën euro-atlantike – pra, jo vetëm të Kosovë, por të tërë rajonit”, ka thënë kryeministri kosovar.

Duke folur për “Dnevni Avaz”, Thaçi ka thënë se me zotin Ban ka biseduar për situatën në veri të Kosovës, si dhe për mundësitë e pranimit të Kosovës në OKB.

“Kam shprehur synimin tim rreth kësaj, vizionin tim, por edhe të drejtat tona si vende për të qenë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Natyrisht, e di se një gjë e tillë është vështirë të arrihet tani, por ju siguroj se një ditë do të jemi shtete anëtare të OKB-së, pavarësisht kundërshtimeve të tashme të disa vendeve”, ka thënë Thaçi.

Ai nuk ka dashur të komentojë në detaje mundëisnë që ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, të zgjidhet president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke shfaqur shpresën që, nëse e merr një post tillë, Jeremiqi të mos sjellë në OKB “mentalitetin politik të Beogradit”.

I pyetur nëse pret që në të ardhmen Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Thaçi ka thënë se një gjë e tillë varet nga Serbia dhe jo nga Kosova.

“Nga perspektiva ime, është vështirë të flas për afate, data, kur Serbia do ta njohë Kosovën. A bëhet fjalë për ditë, muaj apo vite? Ajo njohje do të vijë në të ardhmen e afërt”, ka thënë Thaçi.
XS
SM
MD
LG