Ndërlidhjet

Shkup: Krimi i organizuar sprovon sundimin e ligjit


Ilustrim
Ilustrim
Ministria e Punëve të Brendshme tash e disa ditë është duke realizuar një aksion policor, me ç’rast janë arrestuar rreth 30 të dyshuar për krim të organizuar, në mesin e të cilëve ka dhe pjesëtarë të policisë.

Aksioni policor kundër krimit të organizuar përfshin pjesën juglindore të Maqedonisë, Koçanin dhe Shtipin, të banuar kryesisht me popullatë maqedonase, ndërkohë që të enjten aksioni është zgjeruar dhe në pjesën jugore të vendit, Ohër dhe Strugë.

Numri një i Dikasterit të Policisë, Gordana Jankullovska, ka theksuar se askush nuk do të amnistohet nëse është përfshirë në aktivitete kriminale.

Ajo është zotuar se aksioni do të vazhdojë derisa të prangoset edhe i involvuari i fundit në aktivitetet kriminale. Ndërkohë, opozita maqedonase, LSDM, vlerëson se pushteti në formë përzgjedhëse po lufton krimin e organizuar.

Vlladimir Pivovarov, ekspert për çështje të sigurisë, ka vlerësuar se prezenca e krimit në shoqërinë maqedonase paraqet dukuri, e cila ushqehet nga dobësitë e institucioneve, si dhe mbështetja e qarqeve të caktuara politike.

“Ai grupim rritet dita-ditës më shumë, financiarisht bëhet gjithnjë e më i fuqishëm, fillon të çekuilibrojë dhe vetë politikanët, të cilët i hapën rrugë për të vepruar, siç është tani rasti me përfshirjen e udhëheqësve të institucioneve të sigurisë, është shumë vështirë për t`u luftuar krimi i organizuar”, ka vlerësuar Pivovarov.

Sipas Pivarovit, për të qenë të sigurt se pushteti me sinqeritet i është qasur luftës kundër krimit të organizuar, nevojitet jo vetëm arrestimi, por edhe zhvillimi i procesit gjyqësor në formë sa më transparente të të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë zinxhir të krimit, veçanërisht strukturat udhëheqëse të institucioneve përkatëse, si në sektorin e Policisë, ashtu dhe në Drejtorinë e të ardhurave publike.

“Gjithmonë digjen peshqit e vegjël, në organizatat e llojit të këtillë kur bëhet fjalë për krim të organizuar. Vërtet, nuk dua të besoj se një gjë e këtillë do të ndodhë edhe kësaj radhe. Shpresoj se para drejtësisë do të përgjigjen paraprakisht ata, të cilët e kanë organizuar dhe u kanë dhënë mbështetje logjistike atyre të cilët janë pasuruar në forma të ndryshme të paligjshme”, ka thënë Pivovarov.

Ndërkaq, për Osman Kadriun, ekspert për çështje juridike, partizimi i skajshëm i institucioneve e vë në pikëpyetje suksesshmërinë e çdo aktiviteti për të luftuar krimin e organizuar.

“Është evidente se gjendemi para një dukurie, që në vete ngërthen vepra të rënda penale, për të cilat vepra, siç vërehet, janë të involvuar më shumë persona duke përfshirë dhe udhëheqës të sektorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, është shprehur Kadriu.

Eksperti Kadriu ka potencuar se aksioni i fundit policor për krim të organizuar vë në sprovë konkrete kapacitetin e sistemit gjyqësor për të marrë vendime jashtë influencës politike.

“Gjyqësori dhe në tërësi pushteti gjyqesor duhet të ngelë në funksion të kompetencave të tij, duke mos rënë pre e influencës politike, ngase vetëm me luftimin e mirëfilltë të këtyre dukurive ne mund të vërtetojmë pozitën e shtetit si shtet juridik, ku funksionom sundimi i së drejtës dhe ku pa kompromis luftohet me të gjithë mekanizmat krimi i organizuar”, ka theksuar Kadriu.

Ndryshe aksioni policor kundër krimit të organizuar i emëruar si “Detonatori”, po vazhdon ka disa javë.

Të enjten para gjykatësit hetues do të përgjigjet dhe ish-komandanti i Policisë së Koçanit, Vanco Todorovski, pasi, sipas policisë, ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë periudhës derisa ai ishte në pozitën e të parit të policisë së Koçanit, qytet ky në Maqedoninë Lindore.

Gjatë aksionit disa ditor në disa qytete të Maqedonisë lindore policia ka arrestuar dhe ka shkarkuar nga detyra punonjës të policisë. Gjithashtu, policia ka konfiskuar rreth 800 aparate lojërash fati që mbaheshin në mënyrë ilegale në objekte të ndryshme, pastaj armë, municion dhe shuma të mëdha të parave të dyshimta.
XS
SM
MD
LG