Ndërlidhjet

Situata në Siri “jo e mirë”


Homs, Siri
Homs, Siri
Zëdhënësi i të dërguarit ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan, ka thënë se armëpushimi në këtë vend “mbetet shumë i brishtë” dhe se situata në terren “nuk është e mirë”.

Duke folur në Gjenevë, Ahmad Favzi tha se zyra e Ananit do t’i vendoste shumë shpejt edhe 300 vëzhgues të tjerë në Siri, sikur Këshilli i Sigurimit të miratonte rezolutën për autorizimin e tyre.

Ai tha se aktualisht në Siri ndodhen shtatë vëzhgues, “dy të tjerë pritet të arrijnë më 23 prill”, ndërsa ekipi prej 30 monitoruesish do të kompletohet brenda një jave.

Ministria e Jashtme kineze ka thënë të premten se Pekini është i gatshëm të kontribuojë në misionin monitorues të OKB-së në terren.

Aktivistët thonë se forcat siriane të sigurisë kanë granatuar qytetin Homs dhe kanë sjellë trupa shtesë. Lajmi nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Shifrat e Kombeve të Bashkuara flasin për 9,000 të vrarë në Siri, që nga shpërthimi i protestave antiqeveritare në mars të vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG