Ndërlidhjet

Zotime deklarative për të pagjeturit


 Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur
Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur
Në Kosovë u shënua Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, ndërkohë që ende nuk dihet fati i 1781 personave, të cilët janë zhdukur gjatë luftës së fundit në vend.

Shënimi qendror i kësaj dite është bërë në fshatin Meje të komunës së Gjakovës, ku më 27 prill të vitit 1999, forcat serbe patën ndarë nga kolonat e njerëzve të përndjekur nga shtëpitë e tyre 376 civilë shqiptarë, prej moshës 15 deri në 75 vjeç, të cilët i kishin vrarë dhe më pas i kishin zhdukur pa gjurmë.

Në shenjë përkujtimi të këtyre viktimave, në varrezat e Mejes të premten është venë gurë-themeli i parkut memorial.

Haki Sadria, nga shoqata “27 prilli” në Meje, thotë se qytetarët e shumtë, të premten i kanë nderuar viktimat si dhe personat e zhdukur, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur, gjë për të cilën ai i ka kritikuar institucionet vendore.

Sot zyrtarisht është vendosur gurë-themeli në Meje, për punimin e varrezave, park memorial. Edhe pse si rast, 27 prilli, njëra ndër masakrat më të mëdha në rajon, do të thotë, prej 376 persona, Meja ka të evidencuar edhe 18 të paidentifikuar. Nëse flasim në nivel të rastit të 27 prillit, asnjëherë nuk jemi të kënaqur, derisa të zbardhet fati edhe i personit të fundit”, shprehet Sadria.

Përfaqësuesit e asociacionit të shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, thonë se shënimi i Ditës së Personave të Pagjetur, i gjen familjarët e këtyre personave në ankth për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët ende gjenden në listat e personave të zhdukur.

Haki Kasumi, kryetar i Asociacionit të Familjeve të Personave të Pagjetur, thotë se numri i të pagjeturve, i cili figuron 13 vjet pas luftës, mbetet ende i madh, ndërkohë që kritikon institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për angazhim, sipas tij, jo të mjaftueshëm në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Ata në mënyrë deklarative, me fjalë, po thonë se po bëjnë shumë, por realisht, përderisa mungojnë rezultatet dhe përderisa është gjithë kjo pakënaqësi te familjarët, automatikisht nënkuptohet se ata nuk janë duke bërë sa duhet dhe sa munden të bëjnë”.

Sevdije Frangu nga Kaçaniku, aktiviste për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjeturve, e cila ka pasur 3 familjarë të zhdukur gjatë luftës, por që tashmë janë gjetur, kritikon institucionet vendore, sipas saj, për mos trajtim të drejtë të çështjes së të pagjeturve si dhe familjarëve të tyre.

Nuk jemi të kënaqur fare, sepse unë e di çka do të thotë të kesh familjarë të zhdukur. Unë i kam pasur vajzën, bashkëshortin dhe babanë të zhdukur. Por, institucionet tona shumë pak kanë bërë. Bëjnë bisedime të kota për çështje teknike, ndërsa sa u përket të zhdukurve fare nuk kanë bërë, ashtu siç edhe për ligjin e familjarëve të zhdukurve nuk kanë bërë fare”.

E gëzojnë një pagë prej 135 euro me të cilat nuk mund të mbijetosh. Kanë lënë fëmijë të pashkolluar, pa asnjë të drejtë studimi. Unë besoj që nuk jemi të kënaqur me institucionet tona e lëre më të flasim për ndërkombëtarët, të cilët shumë pak kanë punuar. Ata kanë pasur interesin e vet në Kosovë”.

Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit qeveritar për personat e pagjetur, thotë se brengat e familjarëve të personave të pagjetur janë legjitime me gjithë përpjekjet e institucioneve për zbardhjen e fatit të këtyre personave.

Sipas tij, çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, mbetet prioritet dhe kërkesë e gjithë shoqërisë kosovare, në mënyrë që të mbyllet ankthi i familjarëve të këtyre personave.

Në këtë vit e kemi një program, gjegjësisht një plan veprimi, që brenda Kosovës janë parashikuar 36 lokacione që të hulumtohen se ka ose jo mbetje (mortore). Normalisht, mbetet kërkesë e jona e veçantë që në regjionin e Rashkës (Serbi), më në fund të jepet leja për të gjurmuar, sepse ka dyshime dhe ka informacione se atje është një varrezë masive”, bën të ditur Gjetaj.

Ndryshe, Dita Kombëtare e të Pagjeturve në Kosovë është shënuar edhe me një varg aktivitetesh në gjithë vendin.
XS
SM
MD
LG