Ndërlidhjet

Tahiri në interpelancë për të pagjeturit


Edita Tahiri
Edita Tahiri
Çështja e personave të pagjetur do të diskutohet sërish në një seancë të rregullt në Kuvendin e Kosovës.

Kësaj radhe, do të jetë në interpelancë zëvendëskryeministrja dhe kryenegociatorja Edita Tahiri, ku do të flasë lidhur me fatin e personave të pagjetur, në raport me bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo është bërë e ditur të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Sipas kërkesës së grupit të deputetëve nënshkrues, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka përcaktuar se për seancën plenare të 10 majit, në rend dite do të jetë interpelanca me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, lidhur me fatin e të pagjeturve, në raport me bisedimet me Serbinë, në Bruksel”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, tha se në seancën e 10 majit, deputeteve do t’ju shpjegohet se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara seriozisht në zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Tahiri tha se gjatë bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, me insistimin e palës kosovare, është biseduar edhe për këtë problematikë.

Ne kemi kërkuar që Bashkimi Evropian të angazhohet për këtë çështje dhe të marr një rol ndërmjetësues dhe garantues, që kjo çështje të gjejë zgjidhjen e drejt, pra të ndriçohet fati i të pagjeturve”.

Theksi jonë gjatë bisedimeve me palën serbe ka qenë që të hapen arkivat e ish-ushtrisë jugosllave, ku mund të ketë të dhëna konkrete për fatin e këtyre personave. Po ashtu, kemi kërkuar që të mbështet procesin e hulumtimeve në varrezat ekzistuese masive, dhe të mundësohet identifikimi i varrezave të tjera masive”, tha zonja Tahiri.

Organizatat kosovare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kanë konstatuar disa herë se çështja e zgjidhjes së personave të pagjetur po ngec, për faktin se Qeveria e Serbisë nuk po ofron informacione të duhura për këta persona.

Edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se Beogradi nuk duhet ta politizojë këtë çështje.

Çështja e të pagjeturve është një çështje humanitare, dhe tendencat që Serbia i ka shfaqur vazhdimisht janë që ta politizojë këtë çështje, e kjo duhet të largohet”, tha ajo.

Ende nuk dihet fati i 1781 personave, të cilët janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Asociacioni i shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, ka kritikuar në vazhdimësi institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, duke thënë se në këtë drejtim nuk janë duke u angazhuar sa duhet.

Haki Kasumi, kryetar i Asociacionit të Familjeve të Personave të Pagjetur, thotë se kjo çështje duhet të jetë ndër prioritetet e para të institucioneve të vendit.

Ne kemi shprehur pakënaqësitë dhe vërejtjet tona në punën e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit. Janë disa çështje, si për shembull, nëse nuk kompletohet ky komision dhe nëse nuk merr kuadro profesionistësh, ai mund të ekzistojë si i tillë, por për ne është formal, jofunksional dhe joprofesional. Prandaj, edhe mungojnë rezultatet”, u shpreh Kasumi.

Ai tha po ashtu se nga kjo seancë pritet të dalë diçka e rëndësishme, në mënyrë që “të ushtrohet ndonjë ndikim më i madh në këtë rrafsh, në mënyre që të zgjidhet ky problem i madh”.

Ndryshe, në komisionin qeveritar për personat e pagjetur, thonë se brengat e familjarëve që kanë të afërm të pagjetur janë legjitime, me gjithë përpjekjet e institucioneve për zbardhjen e fatit të këtyre personave që mungojnë.
XS
SM
MD
LG