Ndërlidhjet

Ringjallja e muzikës afgane


Muzikantët afganë
Muzikantët afganë
Muzika në Afganistan është më shumë e njohur, sidomos në Perëndim, për heshtjen e saj.

Gjatë sundimit të tyre, talebanët në mënyrë skandaloze rrahën muzikantët, shkatërruan instrumentet dhe dogjën publikisht regjistrimet e bëra në emër të versionit ekstrem të regjimit islamik.

Me të rënë talebanët, muzikantët e heshtur brenda dhe jashtë vendit ndërmorën hapa për ta ringjallur traditën unike muzikore të Afganistanit.

Njëri nga ta ishte Ahmed Sarmast, një muzikolog i cili u kthye në Afganistan e tij të lindjes, për të hapur një akademi, mu në vendin, ku kishte filluar arsimin muzikor si një djalë i vogël.

Krijimi dhe promovimi i edukimit muzikor është pjesë e kthimit të sërishëm të së drejtës muzikore për afganët. Çdo afgan duhet të lejohet që të dëgjojë muzikë, ta praktikojë dhe të mësojë për muzikën, si dhe ta shprehë vetveten përmes muzikës”, tha Sarmast.

Dy vjet pasi i hapi dyert, Instituti afgan Kombëtar i Muzikës në Kabul ka rreth 150 studentë, të cilët aty mësojnë duke filluar që nga nota e parë e deri te diplomimi si muzikantë të kalitur.

Studentët marrin një arsim të harmonizuar: gjysma e ditës kalohet në tema të tilla si matematikë, shkencë dhe literaturë, ndërsa gjysma tjetër i përkushtohet muzikës.
Nxënësit zgjedhin rrugën e tyre - ose atë perëndimore klasike ose atë tradicionale afgane. Aty bëhen përpjekje për të zhvilluar nxënësit në të gjitha sferat e jetës. Ish fëmijët e rrugës, jetimët, dhe vajzat përbëjnë gjysmën e studentëve.

Të gjithë marrin bursa të plota për të zhvilluar mësimet në institutin, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë afgane të Arsimit dhe merr fonde ndërkombëtare, veçanërisht nga Australia, Gjermania dhe Danimarka.

Muzikantë afganë...
Muzikantë afganë...
Pas përfundimit të studimeve të tyre, studentëve iu jepen diploma mbi muzikën, të njohura ndërkombëtarisht.

Me mbështetjen e gjerë, instituti ka qenë në gjendje të punësojë mësues muzike të Perëndimit dhe të sigurojë objektet, përfshirë klasat akustike dhe një bibliotekë moderne.

Sarmast, 49 vjeçar, thotë se orkestra e institutit planifikon të vizitojë Shtetet e Bashkuara në muajin shkurt, ku ata do të shfaqin një sërë koncertesh, duke përfshirë një në Qendrën prestigjioze Xhon F. Kenedi në Uashington dhe në Carnegie Hall në Nju Jork.

Kjo është një arritje e madhe për institutin që nga koha kur Sarmast, i cili ka studiuar në Rusi dhe Australi, u kthye në Afganistan në vitin 2008. Sarmast ka studiuar në vendin që njihej si Shkolla e Arteve të Bukura në të ’70-tat.

Para se shkolla të ringjallej, kujdestarët e saj thonë se, ajo nuk kishte ndonjë dritare, korridoret e saj ishin mbushur me rrënoja dhe muret e klasave ishin të shpuar me plumba.

Gjatë luftës civile në vitet e ’90-ta, shkolla qe granatuar dhe plaçkitur vazhdimisht nga grupet rivale, të cilat sipas kujdestarëve të shkollës, e zhveshën ndërtesën nga instalimet elektrike dhe hidraulike. Instrumentet, thonë ata, janë përdorur si drunj, dhe madje edhe për të ruajtur apo për të bartur municion.

Sarmast thotë se lufta civile dhe politikat shtypëse kundër muzikës gjatë periudhës talebane kanë pasur një efekt mbi qëndrimet e njerëzve ndaj muzikës dhe muzikantëve - disa muzikantë afganë, edhe sot ankohen se shihen me përçmim dhe ngacmohen.

Sarmast thotë se shumë gjëra që muzikantët perëndimorë i marrin si të mirëqena, si mbrojtja e të drejtës së autorit dhe pagesa për materiale origjinale, në Afganistan nuk ekzistojnë.

"Tani për tani, Afganistanit i mungojnë ligjet dhe rregulloret me të cilat mund të mbrohen të drejtat e muzikantëve. Unë shpresoj që shumë shpejt qeveria afgane dhe autoritetet përkatëse do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar të drejtat muzikore të popullit afgan, dhe gjithashtu për të mbrojtur muzikantët dhe të drejtat e tyre në mënyrë ligjore," thote Sarmast.

Pavarësisht sfidave, Sarmast thotë se muzikantët afganë janë plot optimizëm dhe janë të ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm që mund të luajnë.

Muzika mund të kontribuojë në masë të madhe në procesin e rehabilitimit apo shërimin e kombit, i cili është traumatizuar keq për shkak të 30 vjetëve të luftës. Muzika ka një pushtet shumë të fortë për ndryshim social. Muzika ka aftësinë dhe forcën për të kapërcyer pengesat sociale, ekonomike, etnike dhe fetare si dhe ka aftësi ta bashkojë popullin afgan”, tha Sarmast.

Sarmast tani ka në plan ta zgjerojë aktivitetin dhe në qytete të tjera afgane, dhe të ndërtojë institute muzukore në Herat, Mazar-e-Sharif dhe Xhalalabad brenda 10 vjetëve të ardhshme.(a.i.)

Ringjallja e muzikës afgane
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:01 0:00
XS
SM
MD
LG