Ndërlidhjet

Bie numri i foshnjave të braktisura



Numri i foshnjave që braktisen në Qendrën Klinike Universitare, në klinikën e gjinekologjisë, ka rënë dukshëm, thonë zyrtarë shëndetësorë.

Por, edhe në nivel vendi, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, numri i foshnjave të braktisura ka rënë.

Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë vit janë braktisur 18 fëmijë të rinj, 6 janë kthyer në bashkim familjar.

Numri aktual i fëmijëve të braktisur për këtë vit, janë 18 fëmijë të rinj, 6 janë kthyer në bashkim familjar, 10 janë adoptuar dhe 12 janë në procedurë. Në vitin 2011, 51 raste të referuara kanë qenë, derisa 14 kanë shkuar në bashkim familjar, 25 kanë shkuar në adoptim dhe 12 raste janë bartur në vitin 2012”, shprehet Gjocaj.

Për dallim nga vitet paraprake, ka rënie drastike të numrit të foshnjave të braktisura. Për shembull, në vitin 2005, kanë qenë 84 fëmijë të braktisur nga prindërit, 77 nga të cilët do të hyjnë në vitin 2006 pa status të zgjidhur, kanë bërë të ditur zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Derisa tash, sipas zotit Gjocaj, kërkesat për birësim janë shumë të mëdha. Ai bën të ditur se 10 kërkesa për birësim janë për një fëmijë.

Vlen të theksohet se kërkesat për adoptim janë rritur shumë. Për 1 fëmijë janë 10 kërkesa, derisa në vitet paraprake ka qenë shumë e vështirë të gjendet familje që dëshiron të adoptojë fëmijë”, thotë ai.

Sueda Latifi, gjinekologe në Qendrën Klinike Universitare, pohon se në klinikën gjinekologjike krahasuar me vitet e pasluftës, numri i fëmijëve të braktisur është shumë më i vogël.

Më herët kanë qenë arsyet sociale, kemi pasur raste të incesteve familjare, dhe se ka qenë një bindje tjetër, kur vajzat kanë mbetur shtatzënë jashtë martese, për ta mbuluar ‘turpin’, është braktisur fëmija. Aktualisht është një vetëdijesim më i madh i popullatës, dhe tash nuk i lënë në klinikë. Këto pak raste që janë, i dërgojmë në institucione për përkujdesje, si SOS Kinderdorf”, bën të ditur Latifi.

Ndërsa Ajhana Abdurrahmani, drejtoreshë e projektit për strehim afatshkurtër dhe afatmesëm për fëmijët nevojtar në SOS fshatin e Fëmijëve, deklaron për Radion Evropa e Lirë se këtë vit kjo qendër ka pranuar 8 fëmijë të rinj, derisa aktualisht aty qëndrojnë 24 fëmijë pa përkujdesje prindërore.

Kjo qendër ofron një përkujdesje për fëmijët e braktisur dhe pa përkujdesje prindërore. Këtë vit kemi pranuar 8 fëmijë të rinj, dhe kapaciteti jonë është 24 fëmijë, aq sa është edhe i mbushur kapaciteti. Në momentin që një fëmijët largohen nga qendra, adoptohet, bashkohet me familje, zëvendësohet me një fëmijë tjetër. Gjitha rastet me fëmijë të braktisur i marrim nga Qendra Klinike Universitare”, thotë ajo.

Sidoqoftë, për të birësuar fëmijë, siç thonë zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet kaluar nëpër shumë procedura, të cilat ndodh të zgjasin deri në tre vjet.
XS
SM
MD
LG