Ndërlidhjet

Freizer: Të zgjerohen bisedimet Prishtinë-Beograd me temë qendrore veriun


Sabine Freizer
Sabine Freizer
Ne rekomandojmë që dialogu (i deritashëm) të zgjerohet dhe të shndërrohet në dialog vërtet politik ku Beogradi, Kosova dhe serbët e veriut, do të bisedonin veçanërisht për veriun dhe për mënyrat se si mund të sigurohet që veriu të integrohet më me efikasitet në Kosovë dhe eventualisht të bisedohet edhe për rrugën e njohjes së Kosovës nga Serbia”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtorja për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Freizer.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freizer, Qeveria e Kosovës paralajmëroi së fundi se do të themelojë një, siç quhet, Zyrë Administrative në veri të Mitrovicës. Hapja e kësaj zyre konsiderohet të jetë hap teknik për krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore në përputhje me Planin Ahtisari. A mund të pritet ndonjë sukses në integrimin e veriut pas funksionalizimit të kësaj zyre?

SABINE FREIZER
Natyrisht, mendoj se është një hap i mirë që Qeveria në Prishtinë po përpiqet të angazhohet më shumë në veri me theks të veçantë te shërbimet komunale që janë shumë të rëndësishme. Sidoqoftë, shtrohet pyetja se a është ky hapi i duhur në këtë moment.

Siç e dini, niveli i besimit ndërmjet serbëve të veriut dhe Prishtinës është jashtëzakonisht i ulët. Andaj, është esenciale që fillimisht të nisë një dialog ndërmjet serbëve të veriut dhe Prishtinës, para se të kërcehet në veprime si themelimi i një zyre komunale. Mendoj se është mirë të ndërmerren veprime, por që ato të bëhen hap pas hapi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët dialogun ndërmjet Prishtinës dhe serbëve lokalë në veri... A do të duhej të ishte edhe Beogradi pjesë e një dialogu të tillë dhe deri në çfarë niveli do të duhej bashkësia ndërkombëtare ta lejonte përfshirjen e tij?

SABINE FREIZER
Ajo që e kemi parë, deri më tani, është zhvillimi i një dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. E dimë që ka pasur pak progres gjatë këtij dialogu politik. Një frustrim të serbëve kosovarë që e kemi parë në terren është mospërfshirja e tyre në këtë dialog. Andaj ka pasur përleshje dhe kundërshtime për të pranuar disa nga rezultatet e këtij dialogu politik. Për këtë arsye mendoj se është e rëndësishme që serbët kosovarë të jenë pjesë e këtij dialogu.

Natyrisht, se ata nuk mund të përfshihen në të gjitha diskutimet dhe në të gjitha formatet, por do të ishte e rëndësishme të ekzistojë një qasje e shumanshme. Pra, në disa raste kur çështjet ndërlidhen me jetën e tyre të përditshme, ata do të duhej të futeshin në dialog, ndërsa do të mbeteshin jashtë kur çështjet ndërlidhen vetëm me raportet Prishtinë-Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet kanë thënë disa herë që serbët në Kosovë-veçanërisht ata që jetojnë në pjesën veriore, janë ende nën ndikimin e Beogradit. Nëse merret parasysh situata aktuale në Beograd, pas procesit zgjedhor dhe pas fitores së Tomisllav Nikoliqit, a mund të priten ndryshime në politikën e Beogradit karshi Kosovës dhe veçanërisht karshi veriut?

SABINE FREIZER
Mendoj se zgjedhjet e kaluara treguan shumë qartë se ekziston një lloj pavarësie te serbët në veri, që do të thotë se Beogradi e ka jashtëzakonisht të vështirë t’u diktojë atyre se çfarë duhet bërë.

Në disa raste e kemi parë që serbët e veriut refuzuan të zbatojnë instruksionet që vinin nga Beogradi; kujtojmë këtu referendumin e mbajtur nga serbët në veri, kundër të cilit qartazi ishte shprehur Partia Demokratike në Beograd. Ky është një mësim i rëndësishëm që e kemi mësuar.

Tani, me situatën e re në Beograd do të duhet të shohim fillimisht se çfarë do të ndodhë dhe se kush do ta formojë qeverinë para se të jemi në gjendje të flasim se çfarë ndikimi do të ketë Beogradi mbi serbët në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Afati i fundit i Serbisë për formimin e qeverisë së re është fillimi i shtatorit. Brukseli ka përsëritur gjatë javëve të fundit se dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit do të vazhdonte pas inaugurimit të qeverisë serbe. A do të vazhdojë dialogu dhe cilat mendoni se duhet të jenë temat e vëna në agjendë?

SABINE FREIZER
Së pari, mendoj se duhet të presim pak kohë derisa të formohet qeveria në Serbi. Kjo mbetet e paqartë - ajo do të mund të formohet shumë shpejt, por ka gjasa që formimit të saj t’i nevojiten disa muaj. E kemi parë në të kaluarën në Serbi që negociatat për formimin e qeverive të reja janë të vështira, andaj mund t’i nevojitet pak hapësirë. Pastaj, do të shtrohet pyetja se çfarë dialogu do të nisë pasi të jetë formuat qeveria e re në Serbi.

Në njërën anë, do të mund të vazhdonte dialogu i deritashëm teknik, meqë janë të qarta çështjet në agjendë: fillimisht zbatimi i marrëveshjeve të arritura tashmë, por edhe çështje të tjera si energjia e telekomunikacioni.

Ajo që ne, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, rekomandojmë, është që ky dialog të zgjerohet dhe të shndërrohet në dialog vërtet politik ku Beogradi, Kosova dhe serbët e veriut do të bisedonin veçanërisht për veriun dhe për mënyrat se si mund të sigurohet që veriu të integrohet më me efikasitet në Kosovë dhe eventualisht të bisedohet edhe për rrugën e njohjes së Kosovës nga Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
A e keni parë një vullnet politik në Serbi e Kosovë për një dialog të tillë?

SABINE FREIZER
Mendoj se e shohim këtë herë pas here. Ka deklarata që udhëheqësit i bëjnë duke lënë të kuptohet se ky lloj dialogu do të ishte i pranueshëm-këto i kemi dëgjuar më shumë nga pala serbe, nga Tadiqi. Mirëpo, mendoj se do të mund të kishte një vullnet nga pala kosovare dhe ajo serbe për përfshirjen në një dialog të tillë, nëse do të kishte një agjendë të qartë dhe nëse do të ishin të qartë hapat që do të ndërmerreshin gjatë këtij dialogu.

Për momentin, ajo që, veçanërisht në palën kosovare, mbetet shqetësuese është frika që ky dialog të jetë i pafund dhe që ai do t’i jepte hapësirë Serbisë për ta vënë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës. Natyrisht se ky dialog nuk do të duhej ta kishte këtë qëllim.

Ky dialog do të duhej të zhvillohej me direktiva të qarta dhe me lehtësimin e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët e njohin pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë po flasim për dialogun, zonja Freizer, Parlamenti i Kosovës i ka kërkuar Qeverisë që të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë me çështjen e personave të pagjetur në Kosovë. A është Prishtina, në fakt, në pozitë për ta kushtëzuar dialogun?

SABINE FREIZER
Shikoni, ajo mund t’i kushtëzojë bisedimet, por kjo nuk do të ishte një pikënisjen produktive, sepse nuk dëshironi të keni bisedime rreth nisjes së bisedimeve. Pra, mendoj se do të ishte më mirë se palët i kanë mendjet e hapura për të shikuar se çfarë rezultate mund të arrijnë në këto bisedime, se sa të nisin me vënien e kushteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të doja të kthehem te bisedimet rreth veriut... Sa kohë mendoni se do t’u nevojitej të dyja palëve për ta zgjidhur këtë çështje, përfundimisht?

SABINE FREIZER
Nuk jam e sigurt se sa kohë do të nevojitej që ky problem të zgjidhej përfundimisht. Siç e thashë në fillim, një nga problemet është mungesa e besimit te serbët që jetojnë në atë zonë. Pra, nevojitet kohë për ta formuar besimin.

Nuk duhet të përqendrohemi në afate të shkurtra kohore duke thënë se kjo do të zgjidhet brenda muajsh apo brenda një viti e gjysmë. Do të nevojiten ndoshta vite që kjo çështje të shtyhet përpara, por është e rëndësishme që kjo të bëhet përmes dialogut, e jo përmes veprimeve të shpejta në terren që ndodhën para dialogut, siç e kemi parë në korrikun e fundit.

Mendoj se ka një mënyrë që autoritetet në Kosovë e Serbi të ulen dhe të definojnë hap pas hapi një metodë, me të cilën do të riformohej besimi i nevojshëm i serbëve në veri që ata mund të ndihen qytetarë të plotë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, integrimi mbetet zgjidhja e vetme apo ka hapësirë për ndonjë status special apo diçka tjetër?!

SABINE FREIZER
Po, ajo që them është se veriu do të mbetej pjesë e Kosovës; do të mbetej brenda kufijve të Kosovës. Pastaj, ka më shumë hapësirë rreth mënyrës së funksionimit të kësaj zone. Natyrisht se ekziston Plani i Ahtisarit, i cili garanton disa të drejta. Fatkeqësisht, është keqkuptuar ky plan në veri dhe ka një emër të keq në veri.

Andaj, do të ishte e nevojshme që disa të drejta në Planin e Ahtisarit të ripaketohen dhe të riprezantohen, e ndoshta të shtohen disa të drejta teknike, të cilat do t’u mundësonin serbëve që të ndihen më rehat.
XS
SM
MD
LG