Ndërlidhjet

Personat me nevoja të veçanta: Ligje ka, zbatim s'ka


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përafërsisht 10 për qind e popullatës së përgjithshme në Kosovë, të cilët llogariten të jenë më nevoja të veçanta, përballen më vështirësi të shumta.

Për personat me aftësi të kufizuara, që jetojnë në Kosovë, vazhdon të mungojë qasja në objektet publike dhe private, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare, që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie.

Problem thelbësor, sipas Gëzim Abazit, drejtues i organizatës “Hendikep Kosova”, mbetet moszbatimi i ligjit që ka të bëjë më këtë kategori të shoqërisë.

Sipas tij, nëse ligjet dhe programet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të personave me nevoja të veçanta do të ishin zbatuar, në këtë aspekt, gjërat do të ishin shumë më mirë.

Janë hartuar platforma, janë hartuar ligje, janë hartuar të gjitha, por sistemi i jetësimit është diku që ngec në sistemin e interesimit të zhvillimit dhe jetësimit të problemit, siç është çështja e personave me aftësi të kufizuar, që të iu jepet mundësia e sistemit integrues”.

Problemet janë të mëdha, secili sistem ligjor e ngreh sistemin buxhetor, por të them realitetin, nuk është një buxhet i cili nuk kapërdihet për të arritur standardet ndërkombëtare për personat me nevoja të veçanta”, thekson Abazi.

Së fundi, edhe në raportin e Departamenti Amerikan të Shtetit, në pjesën për personat me aftësi të kufizuara, thuhet se Qeveria e Kosovës nuk ka zbatuar në mënyrë efektive ligjet dhe programet që i sigurojnë kësaj kategorie qasje në ndërtesa, informacione dhe komunikime.

“Vetë Zyra e Avokatit të Popullit nuk ka qenë e arritshme për personat me aftësi të kufizuara fizike”, thuhet në raport.

Përveç këtyre shqetësimeve që ka paraqitur Departamenti Amerikan i Shtetit, Afrim Maliqi, drejtor i OJQ-së “Handikos”, thotë se personat me nevoja të veçanta në Kosovë, nuk kanë qasje të duhur edhe në shërbimet shëndetësore dhe rehabilituese.

Personat më nevoja të veçanta janë kategoria me e rrezikuar në Kosovë. Ata ende nuk marrin shërbime të duhura dhe të nevojshme për jetën e tyre. Duke u nisur nga shërbimet rehabilituese dhe shëndetësore, medikamentet dhe pajisjet tjera ndihmëse, që janë më se të nevojshme që këta njerëz të kenë jetën e tyre ta pavarur”, thotë Maliqi.

Qeveria e Kosovës, sipas Maliqit, deri më tani ka marrë iniciativa për përkrahjen e kësaj kategorie të shoqërisë, por që të gjitha kanë mbetur ne letër, derisa në praktikë, thotë ai, nuk ka asgjë konkrete.

Sipas tij, deri më tash nuk është bërë asgjë në integrimin e këtyre personave në shoqëri.

Në një mënyrë, siç thotë Maliqi, personat me nevoja të veçanta janë të përjashtuar prej shoqërisë dhe nuk janë të barabartë me të gjithë qytetarët e Kosovës.

Plani nacional i veprimit, i cili është aprovuar në vitin 2009, dhe ka qenë i paraparë të zbatohet deri në vitin 2011, aspak nuk ka gjetur zbatim në asnjë fushë. Pastaj, është një këshill nacional i aftësisë së kufizuar në nivelin e qeverisë, i cili është themeluar në vitin 2006, e që nuk është funksional”, shprehet Maliqi.

Ndërkaq, Gëzim Abazi, nga Organizata “Hendikep Kosova”, kërkon nga institucionet e Kosovës që të merren masa konkrete që kësaj kategorie të shoqërisë t’i ofrojnë kushte më të mira për të jetuar.

Çka është e prekshme dhe ajo që me brengos edhe si person më aftësi të kufizuara, dhe si lider i një organizate, është pikërisht çështja e ndëshkimit të mos respektimit të formave ligjore”, thotë Abazi.

Sidoqoftë, në bazë të ligjeve aktuale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkrah financiarisht fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18 vjeçare, me shumën prej 100 eurosh, për të kaluar pas kësaj moshe në pensionin invalidor prej 45 eurosh në muaj.
XS
SM
MD
LG