Ndërlidhjet

Hajdari: AKK-ja bën fushatë kundër Prokurorisë


 Drita Hajdari
Drita Hajdari

Kritikat e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion për punën e Prokurorisë nuk janë aspak korrekte dhe në esencë mendoj që kanë për qëllim ekzagjerimin e rezultateve të AKK-së për rolin dhe kontributin e kësaj agjencie në luftimin e korrupsionit në dëm të Prokurorisë, të cilën e paraqet si një organ të painteresuar dhe joefikas në përmbushjen e detyrave që i takojnë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Drita Hajdari, koordinatore Kombëtare Kundër Korrupsionit.




RADIO EVROPA E LIRË
Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i kritikuar për mosangazhim të duhur në luftën kundër korrupsionit. Çfarë, në fakt, jeni duke bërë kundër kësaj dukurie?

DRITA HAJDARI
Sa i përket angazhimit në sistemin prokurorial të Kosovës, dua të kthehem në vitin 2010, konkretisht në mesin e vitit 2010, kur pas emërimit, unë dhe disa kolegë kemi ardhur në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë dhe prokuroritë e tjera, me ç’rast kemi trashëguar një numër të madh të lëndëve, në mesin e tyre ishte edhe një numër i madh i lëndëve të korrupsionit.

Ndërkohë, kanë arritur edhe lëndët e reja, kështu që këta prokurorë dhe unë kemi startuar me një bagazh të rëndë të lëndëve, por edhe të kërkesave të publikut për transparencë. Në një situatë të tillë, është vendosur që në secilën prokurori të Kosovës të caktohet nga një prokuror, i cili merret ekskluzivisht me lëndë të korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, në kuadër të Policisë së Kosovës, saktësisht në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsion janë caktuar policët hetues, të cilët punojnë drejtpërdrejt nën udhëheqjen e prokurorëve kundër korrupsionit. Detyrën e koordinatorit e ushtroj unë nga niveli i Prokurorisë së Qarkut, në Prishtinë, ku aktualisht punoj.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është rezultati i punës prej asaj kohe? Ju përmendët vitin 2010...

DRITA HAJDARI
Ky grup i prokurorëve dhe policëve paraqet një task-forcë të re në luftimin e korrupsionit padyshim dhe puna e këtij grupi ka rezultuar me shënime me kryerjen e lëndëve konkrete.

Statistikat tregojnë se në vitin 2011 janë kryer 70 për qind më tepër lëndë të korrupsionit, në krahasim me vitin paraprak 2010. Përndryshe, statistikat për këto lëndë janë transparente dhe unë, si koordinatore, kujdesem për grumbullimin e shënimeve në baza 3mujore dhe pastaj pas grumbullimit të statistikave, ne i publikojmë ato në media dhe në ueb-faqen e Prokurorisë së shtetit.

Konsideroj se vullneti dhe angazhimi i prokurorëve për luftimin e korrupsionit nuk mungon, mirëpo kjo nuk do të thotë se çdo gjë është në rregull. Ende nuk kemi numër të mjaftueshëm të prokurorëve të specializuar për lëndët e korrupsionit. Me siguri nevojitet numër më i madh prokurorësh dhe staf mbështetës profesional.

Për të proceduar një lëndë të korrupsionit, vërtet nevojitet shumë punë juridike dhe teknike. Dëshiroj të theksoj se veprat penale të korrupsionit, përveç formës klasike të marrjes dhe dhënies së ryshfetit, në kohën e sotme më së shumti paraqiten në formën e shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit dhe, si të tilla, kërkojnë kohë për t’u proceduar. Kjo nga fakti se në këto lëndë zakonisht duhet të sigurohen dokumente të shumta se natyra e këtyre lëndëve është asisoj - duhet të analizohen ligje të ndryshme.

Ne që punojmë korrupsionin, nuk punojmë vetëm në bazë të Kodit Penal, por neve na nevojiten edhe ligjet shtesë për ta ndriçuar një rast, si dhe pastaj bëhen intervistimet e personave të dyshuar, dëshmitarëve dhe sigurimi i të gjitha provave relevante për ndriçimin e ndonjë rasti. Me një fjalë, këto lëndë zakonisht janë voluminoze dhe kërkojnë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash, siç thuhet, nuk është dënuar asnjë nga zyrtarët e lartë që janë të dyshuar për korrupsion. Ju si mendoni, pse nuk po dalin para drejtësisë këta persona?

DRITA HAJDARI
Në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë janë akuzuar dy ish-ministra, disa menaxherë të prokurimit, zyrtarë të lartë të komunave dhe institucioneve të tjera. Tash është vetëm pyetja se a i konsideroni ju këta si zyrtarë të lartë apo jo? !

Nga aspekti i Prokurorisë, ata janë zyrtarë të lartë. Këto lëndë përndryshe presin procedimin nëpër gjykata, presin radhën për gjykime dhe mendoj se ata, së shpejti, do të ballafaqohen me drejtësinë në gjykata, të cilat përfundimisht marrin vendim lidhur me rastin e caktuar.

Po ashtu, dëshiroj të theksoj se secili vendim i Prokurorisë duhet të jetë i bazuar në ligj, e jo në dëshirën e dikujt, që dikush të gjykohet. Nga aspekti i Prokurorisë, ndërmarrja e ndjekjes penale paraqet vërtet akt serioz, për të cilin prokurori mban përgjegjësi.
Kështu, në rast se kallëzimi penal nuk paraqet bazë të mjaftueshme për hapjen e hetimit, prokurori atë kallëzim penal e hedh.

Në rastin tjetër, kur pas përfundimit të hetimit vlerësohet se nuk ka bazë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës, prokurori vendos për pushimin e hetimit - opsioni tjetër është ngritja e aktakuzës. Andaj suksesi i Prokurorisë konsideroj se nuk mund të matet vetëm me numrin e aktakuzave të ngritura, sepse sukses paraqet edhe vendimi për mbylljen e hetimit kur nuk ka prova se ndonjë person ka kryer vepër penale. Në këtë mënyrë krijohet sigurimi juridik i qytetarëve që askush të mos akuzohet në mënyrë të padrejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se shkalla e korrupsionet është në nivel të lartë. Pse nuk ka ende një seriozitet të duhur në luftën ndaj kësaj dukurie, ku qëndron problemi?

DRITA HAJDARI
Dihet se korrupsioni paraqitet në forma të ndryshme. Unë si prokurore mund të flas për korrupsionin vetëm në raste kur ky fenomen paraqitet në formën e veprës penale. Për zbulimin dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, Prokurorisë i nevojitet bashkëpunimi me qytetarë. Andaj, krijimi i besimit të qytetarëve është një çështje tejet e rëndësishme, sepse pa besimin dhe përkrahjen e qytetarëve puna jonë s’mund të jetë e suksesshme. Nuk mundet që barra e luftës kundër korrupsionit të jetë vetëm mbi Prokurorinë, por nevojitet në radhë të parë, qëllimi i mirë dhe i sinqertë si dhe angazhimi i të gjitha subjekteve të shoqërisë sonë, duke përfshirë edhe ata që kanë për detyrë të na kritikojnë vazhdimisht, duke mos dëshiruar që të pranojnë asnjë progres të Prokurorisë në këtë drejtim.

Kështu ndodh që qytetarët të ftohen nga organizatat qeveritare, nga mediat që ta raportojnë korrupsionin, dhe në të njëjtën kohë atyre u thuhet se prokuroritë dhe gjykatat nuk punojnë, se prokurorët dhe gjyqtarët janë korruptuar etj.

Atëherë shtrohet pyetja, si mund të pritet bashkëpunimi i qytetarëve me organet e ndjekjes për t’i raportuar rastet e korrupsionit, kur u thuhet se prokuroritë dhe gjykatat nuk punojnë?

RADIO EVROPA E LIRË
Raportet Prokurori - Agjenci Kundër Korrupsionit, për shkak të hedhjes poshtë të disa lëndëve dhe mosshqyrtimit të disa të tjerave, vërehet se nuk janë në nivelin e duhur. Pse po ndodh kjo?

DRITA HAJDARI
Prokuroria duhet të jetë partner me Agjencinë Kundër Korrupsionit, si dhe me agjenci tjera të zbatimit të ligjit në luftimin e korrupsionit. Mirëpo, konsideroj se paraqitjet e drejtorit të AKK-së kanë krijuar një konfrontim ndërmjet Prokurorisë dhe Agjencisë.

Unë theksoj se sa i përket Agjencisë Kundër Korrupsion, Prokuroria e konsideron këtë agjenci si burim të rëndësishëm për pranimin e informatave për korrupsion, mirëpo rrethana se AKK-ja ka paraqitur një numër të kallëzimeve penale, nuk do të thotë se ato kallëzime penale automatikisht përmbajnë prova të mjaftueshme për Prokurorinë për ekzistimin e veprës penale, kallëzimi penal nuk është akt-akuzë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kallëzime penale deri tash janë dorëzuar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prokurori, që prej themelimit të saj?

DRITA HAJDARI
Siç kam dëgjuar në media, zoti Preteni ka dalë me numra bombastikë sa i përket numrit të kallëzimeve penale të paraqitura në prokuroritë e Kosovës. Mirëpo, unë disponoj një listë të këtyre kallëzimeve penale dhe numri i tyre është gjithsej 91 kallëzime penale që nga themelimi i agjencisë, deri në vitin 2012.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse raportet ndërmjet Prokurorisë dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit janë të acaruara, nëse mund të themi?

DRITA HAJDARI
Unë s’do t’i quaja të acaruar. Unë vetëm mendoj se nga ana e Prokurorisë mungon informimi i duhur. Derisa zoti Preteni është duke zhvilluar një kampanjë agresive duke paraqitur punën e agjencisë si të suksesshme, në anën tjetër e paraqet punën e Prokurorisë si të pamjaftueshme dhe si një mungesë të angazhimit të Prokurorisë për procedimin e rasteve dhe luftimin e korrupsionit. Unë më herët e shpjegova se secila informatë për korrupsion e pranuar, qoftë nga AKK-ja, apo ndonjë institucion tjetër, qoftë nga policia, apo qytetari, i nënshtrohet verifikimit dhe hetimit nga ana e Prokurorisë me ç’rast ndodh që në mungesë të provave, ato kallëzime penale të hidhen.

Duhet mbledhur shumë prova të sigurta për ta ngritur aktakuzën, për ta bindur gjykatën se një person zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ka kryer vepër penale. Kjo punë nuk është aspak e lehtë dhe përmban përgjegjësinë dhe obligimin e prokurorit që të kujdeset që askush të mos i nënshtrohet ndjekjes penale në mënyrë kundërligjore.

Kur grumbullohen prova të mjaftueshme për ekzistimin e veprës penale, kur prokurori siguron prova relevante të sigurta, atëherë e ngrit aktakuzën - në të kundërtën jo.

Kritikat e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion për punën e Prokurorisë nuk janë aspak korrekte dhe në esencë mendoj që kanë për qëllim ekzagjerimin e rezultateve të AKK-së për rolin dhe kontributin e kësaj agjencie në luftimin e korrupsionit në dëm të Prokurorisë, të cilën e paraqet si një organ të painteresuar dhe joefikas në përmbushjen e detyrave që i takojnë.

Në këtë rast, unë prapë do të pyes përse përfaqësuesi i AKK-së , disa përfaqësues të OJQ-ve, disa përfaqësues të mediave, e konsiderojnë veten si persona më kompetentë dhe më të interesuar për luftimin e korrupsionit sesa që është Prokuroria, e cila këtë e ka për detyrë dhe përgjegjësi themelore dhe fundi i fundit, kohëve të fundit ka treguar rezultate ekzakte.

Mendoj se në këtë pyetje ata duhet të japin përgjigje.
XS
SM
MD
LG