Ndërlidhjet

Hungarisë i besohet hapësira e lartë ajrore e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim
Ofruesi i shërbimeve të navigacionit Hungaro Control nga Hungaria, nga qershori i vitit të ardhshëm do të ofrojë shërbime në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës.

Ky përcaktim është bërë nga këshilli i NATO-s.

Autoritet kosovare thonë se kanë qenë pjesëmarrës në këtë proces, dhe siç thonë ata, Hungaria ishte konsideruar më e mira nga këshilli i NATO-s dhe ka marrë mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj, tha për Radion Evropa e Lirë se hapësira e lartë ajrore e Kosovës do të hapet në qershor të vitit të ardhshëm, dhe kontrolli i hapësirës së lartë ajrore të Kosovës nga Hungaria do të fillojë po në atë kohë.

Hungaria si shtet mik i Republikës së Kosovës dhe anëtarë i NATO-s dhe BE-së, është një partner me të cilin do bashkëpunojmë në ofrimin e sigurt dhe efikas në shërbimin hapësirës së lartë ajrore”.

Ofrimi i shërbimeve në hapësirën ajrore të Kosovës do të bëhet së bashku nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’. Pra, ofruesi jonë i shërbimeve të navigacionit dhe ‘Hungaro Control’. Përderisa ANP ‘Adem Jashari’ do të jetë përgjegjës për hapësirën e ulët ajrore, ‘Hunagro Control’, do të ofrojë shërbime për aeroplanët në mbikalim në hapësirën e lartë ajrore”, thotë ai.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 hapësira e lartë ajrore e Kosovës ka qenë e mbyllur për mbi kalime dhe nën autoritetin e NATO-s.

Normalizimi i hapësirës ajrore të Ballkanit, me theks të veçantë në hapjen e lartë të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës për mbikalime, është duke u trajtuar që nga vitit 2003 në forumin e ashtuquajtur “BAN”, të udhëhequr nga NATO.

Qëllimi i këtij forumi ka qenë që të gjendet një zgjidhje e përkohshme që do të jetë teknikisht, praktikisht dhe politikisht e pranueshme për shtetet anëtare të NATO-s dhe për autoritetet e Republikës së Kosovës.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj thotë se autoritetet e Kosovës kanë qenë pjesë aktive e këtij procesi.

Ndërkohë, përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë thonë se hapja e hapësirës së lartë ajrore për mbikalime është një lajm i mirë.

Instituti për Hulumtime të Avancuara (GAP), i cili para tre vjetëve kishte bërë një analizë për hapësirën e lartë ajrore, kishin evidentuar se Kosovës po i shkaktohen humbje të mëdha nga mosfunksionimi i kësaj hapësire ajrore.

Agron Demi nga ky Institut jep më shumë hollësi:

Në si institut, qysh para tri vjetëve kemi kërkuar që autoritetet e Kosovës, në bashkëpunim me autoritete ndërkombëtare, të gjejnë një zgjidhje me qëllim që të lirohen korridoret që Kosova i ka përdorur para vitit 1999, pasi që kemi parë që një mundësi e tillë do të ndikojë direkt edhe në uljen e çmimit të biletave pasi që aeroplanët do të shpenzojnë më pak karburante”, thotë Demi për Radion Evropa e Lirë.

Tani Demi thotë se me hapjen e hapësirës së lartë ajrore, Kosova do të ketë përftime të mëdha ekonomike.

Prej kësaj do të fitojë shumë Kosova, pasi që aeroplanët civilë për herë të parë do të shfrytëzojnë këtë hapësirë dhe do të shpenzohet shumë më pak karburant, shumë më pak kohë për fluturime do të emitohen më pak dyoksid të karbonit dhe nga kjo do të ketë bileta më të lira dhe do të përftojnë udhëtarët të cilët udhëtojnë jashtë Kosovës”, shprehet Demi.

Sa i përket pagesës që do të bëhet për ofruesin e shërbimeve në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës, Gjonbalaj jep më shumë hollësi:

Hunagro Control do të paguhet nga tarifat e ofrimit të shërbimit vetëm në masën sa të garantohet mbulimi i kostos së shërbimeve pa profit për Hungaro Control. Edhe në hapësirën e lartë ajrore, ofruesi kosovar i shërbimeve të navigacionit ajror do ta përkrah Hungaro Control me një varg shërbimesh, për të cilat vendi ynë do të ketë të hyra materiale”.

Niveli e tarifave të shërbimeve dhe ndarja e këtyre tarifave midis ofruesit tonë të shërbimeve të navigacionit ajror dhe Hungaro Control do të përcaktohen në vazhdim përmes marrëveshjeve dy paleshe me përkrahjen e NATO-s”, bën të ditur Gjonbalaj.

Ai thotë se ka pasur disa shtete të interesuara për marrjen e kontrollit të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës.

Ka pasur oferta të mira edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia, po ashtu edhe nga Italia dhe Austria.
XS
SM
MD
LG