Ndërlidhjet

Ligjet për fundin e mbikëqyrjes, shpërfillen procedurat demokratike!?


Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Miratimi në parim i 21 ligjeve nga Kuvendi i Kosovës, që kanë të bëjnë me përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së vendit, vlerësohet si një hap i rëndësishëm, por ka pasur edhe të metat e tij, thonë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese në Kosovë.

Profesori Riza Smaka vlerëson se miratimi i këtyre ligjeve do të shënojë pikë kthese, pas së cilës shteti i Kosovës do ta heqë mbikëqyrjen e pavarësisë së saj.

“Ju e dini se përfaqësuesi special, ka pasur autorizime, ta zëmë, që aktet përfundimtare, qoftë të Kuvendit, qoftë të Presidencës apo të ekzekutivit, që t’i shfuqizonte, t’i anulonte. Tash nuk do ta ketë atë autorizim. Domethënë, se i binte një instance autoritative, përfundimtare. Tani më ajo nuk do të jetë”, vlerëson Smaka.




Ndryshimet dhe plotësimet në këto 21 ligje janë aprovuar përmes një projektligji të vetëm, i cili pritet të fuqizohet në pjesën e dytë të shtatorit.

Por, profesori dhe eksperti për çështje juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se fillimisht procedura e miratimit të këtyre ligjeve në pako, nuk është forma më demokratike, ndërkohë që, sipas tij, në këtë pako, janë ndërlidhur vetëm gjysma e ligjeve të Pakos së Ahtisarit dhe jo të tërat. Kjo gjë, sipas Baraliut, nuk është dashur të bëhej.

Bashkë me këtë, thotë Baraliu, është dashur që të ndryshohej dhe plotësohej edhe Kushtetuta e Kosovës. Për të gjitha këto, Baraliu thotë se është dashur që të hapet debati publik, në të cilin do të merrnin pjesë edhe ekspertët e kësaj fushe dhe shoqëria civile.
Përmbajtjet politike nuk do të duhej të futeshin në përmbajtjet kushtetuese dhe juridike, pra, në reformimin ose ndryshimin e tyre, në amendament.

“Në këtë pako, me aq sa jam unë i informuar, ka gjëra, të cilat nuk shkojnë bashkë me ndryshimet kushtetuese dhe të Kushtetutës dhe që nuk kanë të bëjnë me çështje kushtetuese, pra me amendamente dhe me çështje juridike, por kanë të bëjnë më tepër me çështje politike. Përmbajtjet politike nuk do të duhej të futeshin në përmbajtjet kushtetuese dhe juridike, pra, në reformimin ose ndryshimin e tyre, në amendament”, thotë Baraliu.

Ndryshe, shqetësimet e mundshme se përmbyllja e pavarësisë do të mund të shfrytëzohej nga institucione të caktuar të larta të vendit, për marrjen e kompetencave me të mëdha karshi institucioneve tjera, sipas ekspertëve të çështjeve juridike kushtetuese, nuk duhet të thellohen.

Profesori Smaka, thotë se një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte:

“Nuk besoj dhe nuk do të duhej kurrsesi, sepse janë parimet fundamentale te legjislativi, tek ekzekutivi dhe te gjyqësori. Kështu që, te të gjitha kompetencat dhe juridiksionet që, ta zëmë, i referohen ekzekutivit, janë në ekzekutiv. Kështu që ngjashëm edhe legjislativit dhe gjyqësorit. Ai parim nuk mund të mos përfillet dhe nuk mund të bëhet ndonjë konfuzion”.
Ai parim nuk mund të mos përfillet dhe nuk mund të bëhet ndonjë konfuzion...

Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Baraliu. Por, sipas tij, miratimi i 21 ligjeve, në pako, mund të shkaktojë dilema dhe dyshime te strukturat e ndryshme dhe grupet e interesit, qofshin ato që veprojnë brenda institucioneve apo ato të shoqërisë civile.

“Nuk do të mund dhe nuk do të duhej të ndodhte. Mirëpo, në situata kur çështjet e tilla bëhen në pako dhe në pako i imponohen edhe komisionit, e edhe Kuvendit - ashtu siç ka ndodhur herën e parë kur janë miratuar në pako 44 ligje të Ahtisarit - atëherë, ka mundësi që të futen brenda kësaj pakoje lloj-lloj përmbajtjesh dhe të ketë lloj-lloj pretendimesh”.

“Por, nuk mendoj se dikush ka tendenca të tilla, sepse ajo do të ishte kundër-produktive. Herët apo vonë do të merrej vesh dhe do të reagonte pala tjetër e interesuar, do të reagonte shoqëria civile, si dhe do të reagonin partitë politike në Parlament”,
vlerëson Baraliu.

Megjithatë, Baraliu shton se ende nuk është vonë që pakoja që përfshinë 21 ligjet, siç ka thënë ai, të dekompozohet dhe për secilin ligj, veç e veç, të debatohet në Kuvend, në grupet dhe komisionet parlamentare, si dhe brenda mundësive të organizohet edhe debat publik.

Më pas, sipas tij, secili ligj të procedohet në Kuvend dhe jo në formë të pakos, për shkak se sipas tij, mënyra e tillë e lë përshtypjen e një mungese të demokracisë, qoftë në procedurë apo përmbajtje, gjatë trajtimit dhe miratimit të këtyre ligjeve.
XS
SM
MD
LG