Ndërlidhjet

KIPRED: Veriu i Kosovës drejt autonomisë


Veri...
Veri...
Veriu i Kosovës po rrëshqet kah autonomia apo i ashtuquajturi “Ahtisari Plus”, bëjnë të ditur drejtuesit e Instituti për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave KIPRED, përmes një studim të publikuar.

Në studim thuhet se njoftimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues se procesi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës do të përfundojë kah mesi i shtatorit të këtij viti, lë probleme për pjesën veriore të Kosovës.

Analiza politike “Autonomia për Pjesën Veriore të Kosovës: Shpalosja e Skenarëve dhe Pasojat për Rajonin” e publikuar sot thotë se problemi i veriut do të zgjidhet në dialogun e ardhshëm politik mes Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet një pako “Ahtisaari Plus” e cila do t’ia japë kësaj pjese të shtetit një autonomi shtesë.

Drejtori i institutit KIPRED Ilir Deda në konferencën për media tha se qeveria e aktuale nuk ka fuqi të mjaftueshme politike dhe nuk duket se do të negocionte e vetëm me Serbinë.

Në Prishtinë në lidershipin politik nuk ekziston vullneti të parandalohet autonomia në veri. Për ketë e kemi edhe një presion ndërkombëtar që të krijohet një qeveri e re, e cila do të përbehet prej PDK-së dhe AAK-së, sepse ata mendojnë se kjo qeveri mund t’i japë autonominë në veri pa pasoja të brendshme. Është vjeshta ajo kur pritet që Kosova ta ketë një qeveri të re e cila do të hyjë me Nikoliqin dhe Daqiqin në dialog politik për veriun dhe normalizimin e marrëdhënieve”, tha Deda.

Autonomia eventuale për veriun e Kosovës sipas Dedës do të krijoj pasojë në prishjen e funksionalitetit të Kosovës si shtet normal si dhe efekte negative te fqinjët, gjegjësisht në Luginën e Preshevës dhe Maqedoni.

Në hulumtimi theksohet se për shkak se shqiptarët në Luginë janë lënë anash dhe pa përkrahje nga lidershipi politik në Kosovë që nga përfundimi i konfliktit të vitin 2001, pakënaqësitë e shqiptarëve të Luginës do të hasin prapë në vesh të shurdhër e cila do të çojë te shpërngulja graduale e tyre drejt Kosovës dhe Evropës.

Sipas Dedës si rezultat i zgjedhjes “Ahtisaari Plus” për veriun, shqiptarët në Maqedoni do ta hapin debatin për kërkesa shtesë që kanë të bëjnë me krijimin e Kuvendit dy-dhomësh dhe federalizmin e Maqedonisë, temë që
lider-shipi politik shqiptar dhe maqedonas mundohen mos ta hapin për shkak të rehatisë politike që gëzojnë.

Aktet e vazhdueshme të dhunshme të karakterit etnik që ndodhën së fundi në Maqedoni sipas Dedës po ndikojnë në uljen e legjitimitetit politik të partive shqiptarë në vend e cila krijon vakum politik që do të kapet nga forcat tjera politike më radikale.

Kurse, Shpend Kursani hulumtues në KIPRED, vlerësoi se zgjedhja e mundshme e veriut të Kosovës me një autonomi do të çonte tek krijimi i një shteti me dy entitete të ndara mes serbeve dhe shqiptarëve. Sipas tij, si rezultat i kësaj shteti i Kosovë do te jetë jo funksional dhe pasojat dhe problemet do të shtrihen edhe në vendet e rajonit.

Si rezultat i kësaj, përfundimisht do të kemi shqiptarë të cilët do të bëhen më të zëshëm për bashkimin me Shqipërinë, njëjtë do të ndodhë edhe në Maqedoni, ndërsa si rezultat i kësaj do të kemi edhe kërkesa të kroatëve për autonomi në Bosnjë”, u shpreh Kursani.

Drejtuesit e Institutit KIPRED, parashohin se në planin afatmesëm, kjo politikë do të rezultojë në krijimin e një terreni të përshtatshëm për rishikimin e plotë të kufijve të tanishëm në rajon.

Hulumtimi tregon se shqiptarët, ashtu si qëndrojnë aktualisht, nuk janë të gatshëm për hapjen e këtij skenari; ekzistenca e Maqedonisë në tërësi do të rrezikohet duke përfshirë shtete të tjera përtej Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa Bosnja e Hercegovina, ka të ngjarë që të shpërbëhet. Këto ndryshime në rajon nuk do të ndodhin në mënyrë paqësore, thuhet në raport.

Fuqitë perëndimore janë lodhur me Ballkanin. Ato i shohin marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës si çështjen e fundit të pazgjidhur në rajon dhe po kërkojnë ‘normalizim’ marrëdhëniesh mes të dyjave, pa njohje të ndërsjellë thotë Ilir Deda.

Çështja shqiptare - serbe me dekada e pa zgjidhur dhe veriu autonom, prapë do të na gjuajë në cikël dhe retorikë të njëjtë. Jeta vazhdon, bota ndryshon e ne do të merremi me çështje të njëjta, e mendoj se nuk mund ta humbin edhe një dekadë”, tha Deda.

Autorët e kësaj analize politike nga KIPRED-i shtojnë se skenari që ata parashohin bëhet edhe më i rrezikshëm për rajonin duke marr parasysh ndryshimin e interesit të ShBA-ve nga Evropa drejt Paqësorit e Azisë, e cila problemin e Ballkanit do t’ia len në duar të BE-së.

E BE-ja e ndarë dhe e papërgatitur në qasjen e saj ndaj Ballkanit sa ishte edhe 20 vite më herët, dhe me problemet e saja të brendshme, e bënë edhe më të pa-aftë të ballafaqohet me një problem të tillë në Ballkan.

Në fund, te hulumtimit thuhet se KIPRED nuk përkrah çfarëdo të drejte shtesë për veriun e Kosovës dhe është kundër asaj që veriu i Kosovës apo çfarëdo çështje e brendshme e Kosovës të jetë pjesë e dialogut politik me Serbinë.

Sidoqoftë, zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të partive politike, por edhe ndërkombëtarë deklarojnë shpeshherë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës e as zgjidhje për veriun jashtë “Planit të Ahtisaarit”.
XS
SM
MD
LG