Ndërlidhjet

Sundimi i ligjit, çështje thelbësore


Ilustrim
Ilustrim

Vendosja e sundimit të ligjit në Kosovë dhe rajon është çështje thelbësore, dhe kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian ka investuar aq shumë fonde dhe përpjekje në arritjen e këtij synimi, kanë thënë të martën në Prishtinë përfaqësues të zyrës së BE-së.

Këto komente ata i bënë në një konferencë me gazetarë, ku u prezantuan, siç u tha, arritjet në përfundim të një projekti trevjeçar për reformimin e sistemit edukativ të drejtësisë, që arrin shumën prej 3.6 milionë eurosh.

Duam të nxisim dhe theksojmë pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë, si një nga elementet më të rëndësishëm për funksionimin e këtij sistemi”, ka thënë Kristof Stok, udhëheqës i operacioneve në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke rikujtuar se arritjet në këtë drejtim deri tash janë paraqitur në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Lidhur me ketër projekt, përfaqësues nga sistemi i drejtësisë në Kosovë thanë të kenë përfituar përvoja të mira.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Pejë, Sali Mekaj, deklaroi se sistemi i drejtësisë në përgjithësi nga projektet e tilla mund të përfitojë në masë të madhe. Si pjesëmarrës i këtij projekti, ai shpjegoj për të arriturat.

Nga ky projekt kanë përfituar pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët kanë qenë të angazhuar ne ketë dhe këto përvoja për sistemin gjyqësor të këtij vendi, unë personalisht i kam transmetuar te kolegët e mi dhe disa nga to i kam prezantuar edhe në grupet punuese për hartimin e legjislacionit të ri penale në të cilat kam marrë pjesë”, tha Mekaj.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, vazhdon të ballafaqohet me numër të madh të problemeve. Një nga kritikat që sistemi i drejtësisë ka marrë shpesh, është ai për numrin e madh të lëndëve të vjetra, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura në sirtarët e institucioneve përkatëse.

Njohësit e sistemit të drejtësisë kanë thënë se një sistem i dobët dhe i çalë për përmbarimin e aktvendimeve, ndikon direkt në rritjen ekonomike dhe kufizon mundësitë e qytetarëve të Kosovës për të përqendruar kapitalin, për të investuar në të ardhmen e tyre dhe për të gjetur punë.

Ndryshe, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, duke folur për sfidat me të cilat aktualisht po përballet sistemi i drejtësisë, përmendi disa nga problemet në ketë rrafsh.

Është problemi i plotësimit të kuadrove, që po shpresoj që në këta muaj do të përfundojë. Problemi tjetër është sfidë shumë e madhe - ristrukturimi apo riorganizimi i gjyqësorit, që pritet që sipas ligjit për gjykata, të behet në vitin 2013, ashtu siç është konceptuar edhe themelimi i një dhome të veçantë penale që unë e konsideroj që është një sfidë shumë e rëndësishme. Po ashtu edhe numri i lëndëve të grumbulluar në gjykata është problematik”, tha Peci.

Ne kuadër të reformave në drejtësi, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dekretuar të martën emërimin e një numri gjyqtarësh në gjykatat komunale.
Përmes një komunikate për media të Zyrës për Informim të presidentes, mësohet se për gjykatat komunale në 14 komuna të vendit janë dekretuar 45 gjykatës/e.

Dekretimi thuhet se është bërë duke u bazuar në nenin 84 pika 16, nenin 104 pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 18 pika 1 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe duke u bazuar në vendimet e datës 18 qershor 2012, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
XS
SM
MD
LG