Ndërlidhjet

Krasniqi: Koalicion i gjerë për bisedime


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
Nëse Serbia kërkon autonomi për serbët e Kosovës, duhet të përgatitet për autonominë e shqiptarëve në Serbi, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai kërkon unitet brenda partive politike para se të hyhet në bisedimet e reja me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që të hyjë në bisedime politike me Serbinë, në cilësinë e dy shteteve. Bisedimet politike ishin një çështje, rreth së cilës pushteti këmbëngulte se nuk do të gjenin zbatim. Si e shihni ju këtë qëndrim, thënë kushtimisht, të ndryshuar të Qeverisë?

JAKUP KRASNIQI
Unë s’do të thosha se është një qëndrim i ndryshuar. Çështja e bisedimeve me Serbinë nuk duhet të hiqet, se fundja Kosova dhe Serbia tani duhet të bisedojnë për çështje të interesit të përbashkët. Sigurisht, nëse Serbia është e gatshme për të biseduar edhe për pozitën e serbëve të Kosovës, ajo duhet të jetë e gatshme për të biseduar edhe për pozitën e shqiptarëve në Serbi.



Edhe Serbia është e ndërtuar në konceptin e shtetit të qytetarëve, edhe Kosova është e ndërtuar me konceptin qytetar të shtetit, por edhe vendet tjera të rajonit, në mënyrë të veçantë edhe Maqedonia.

Ky koncept duhet të jetë i barasvlershëm për të gjitha vendet. Nëse Serbia kërkon që të ketë shmangie Kosova nga koncepti qytetar, atëherë duhet të përgatitet që edhe ajo të ketë shmangie nga koncepti qytetar, nëse kërkon një autonomi çfarëdo për serbët e Kosovës, duhet të përgatitet për autonominë e shqiptarëve në atë pjesë.

Pastaj, nëse vendet e rajonit heqin dorë nga principet e shtetit të qytetarëve dhe kalohet në baza të interesave etnike, atëherë shqiptarët nuk kanë nevojë pse t’i frikësohen kësaj, se edhe shqiptarët duhet t’i kenë të drejtat siç mund t’i kërkojnë të tjerët të drejtat dhe liritë për komunitetet pakicë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku, në fakt, është dallimi ndërmjet bisedimeve të pagëzuara si teknike, që u zhvilluan deri më tash, dhe atyre që do të mund të nisin në vjeshtë, e që po cilësohen si politike?

JAKUP KRASNIQI
Mënyra e bisedimeve teknike ka qenë e kornizuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me qëllimin për ndryshimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës. Fundja, bisedimet, shikuar në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës politike, bisedimet ndërmjet Serbisë e Kosovës, çfarëdo që janë, janë bisedime politike. Por, tash varet se çfarë orientimi u jep.

Unë konsideroj se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për statusin politik të Kosovës janë mbyllur - këtu nuk mund të fjalë.

E, tash, nëse duhet të bisedojmë për pozitën e qytetarëve serbë të Kosovës, ne konsiderojmë që oferta jonë, që ka buruar nga një marrëveshje ndërkombëtare nga bisedimet ndërkombëtare që janë zhvilluar në Vjenë dhe janë konceptuar në dokumentin gjithëpërfshirës për statusin politik të Kosovës, është një ofertë - më e mira e mundshme e rajonit që një shtet i jep një komuniteti pakicë.

Ne në këtë rrafsh kemi vendosur standarde dhe konsideroj se gjithçka që bisedohet, qofshin ato bisedime të natyrës politike , duhet të jenë në kuadër të Pakos së Ahtisarit. Çdo dalje nga pakoja, e rrezikon krejt pakon dhe unë mendoj se nuk është interesi i askujt për t’u rrezikuar ajo.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush do të mund t’i udhëhiqte këto bisedime?

JAKUP KRASNIQI
Për mua nuk është e rëndësishme kush do t’i udhëhiqte, për mua është e rëndësishme që faktori politik shqiptar në raportet e Kosovës me Serbinë të ketë një unitet mendimi dhe veprimi. Këtë e kam kërkuar kur kam qenë në opozitë dhe tani që jam në pozitë, kërkoj që vërtet sa i përket raporteve Kosovë-Serbi forcat politike, institucionet e Kosovës të duhet të kenë një unitet të mendimit dhe të veprimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të arrihet ky unitet?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, për mua ky unitet është i arritshëm, por do një angazhim, do një përpjekje dhe ajo çka për mua është vërejtje për politikën në Kosovë, është se nuk ka një debat të mirëfilltë as brenda përbrenda një subjekti politik, e lëre më ndërmjet subjekteve politike.

Mendoj që kjo duhet të ndryshojë, duhet të kenë një debat më substancial edhe vetë partitë politike, por edhe ndërmjet partive politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga cilido rast, bazuar nga përvoja e deritashme, sa besoni në arritjen e ndonjë rezultati, marrë parasysh ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

JAKUP KRASNIQI
Unë duhet të jem shumë i qartë në këtë drejtim. Nuk kam shumë besim, nëse e marrim të kaluarën, se Kosova dhe Serbia do të merren vesh lehtë, pasi përvoja ime rreth 13-vjeçare që nga Rambuje e këndej, edhe pse përpjekjet e shqiptarëve për bisedime me Serbinë shkojnë edhe përtej marrëveshjes së Rambujesë, realisht në asnjë rast me Serbinë nuk kemi mundur të arrijmë ndonjë marrëveshje ku dakordohen të dyja palët, do të thotë janë shumë të vështira.

Pavarësisht kësaj, megjithatë duhet bërë përpjekje që të ketë bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përfolur shumë kohëve të fundit edhe mundësia e ndërtimit të një përbërjeje të re të koalicionit qeverisës. Konkretisht, është përmendur një mundësi koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Sa ka gjasa për një gjë të tillë?

JAKUP KRASNIQI
Unë nuk kam njohuri përveç asaj që është thënë në media. Për mua ka qenë e mundshme që koalicioni të jetë në fillim të tij më i fuqishëm sesa që ishte, pavarësisht se tash mendoj se nuk do të ketë një kushedi çfarë forcimi të koalicionit edhe me AAK-në, edhe pse Aleanca ka numra pak më shumë sesa që ka koalicioni për Kosovë të Re.

Por, unë mendoj që për çështjen e bisedimeve duhet një koalicion më i gjerë, do të thotë duhet një pajtueshmëri më e madhe ndërmjet pozitës e opozitës për të pasur një pozicion më të fortë Kosova në raport me kërkesat politike edhe të vendit, por edhe ato që vijnë nga institucionet ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, jeni skeptik në mundësinë e një koalicioni me AAK-në?

JAKUP KRASNIQI
Nuk e di. Nuk kam parë një vullnet të AAK-së. Aleanca, po ato kërkesa që ka pasur në fillim, i ka edhe tani, kështu që nuk mund të them as po, as jo, sepse fundja ndoshta më shumë varet prej AAK-së për të marrë vendim. Mua nuk do të më pengonte AAK-ja në koalicion, por nuk e di sa ata janë të përgatitur për të qenë pjesë e koalicionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund, temë debatesh në këtë rrafsh është edhe mandati që ka presidentja e Kosovës, ndonëse për këtë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit zonja Atifete Jahjaga gëzon mandat 5 vjeçar. Lidhja Demokratike e Kosovës, megjithatë, kërkon dorëheqjen e saj për t’u hapur rrugë, siç thuhet, reformave zgjedhore dhe kushtetuese. Ju si mendoni, zoti Krasniqi?

JAKUP KRASNIQI
Mendimin e kam thënë me kohë, që marrëveshja nuk ka pasur shumë bazë kushtetuese, se presidentja është zgjedhur për 5 vjet dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese konsideroj që e ka mbrojtur të drejtën kushtetuese, ka mbrojtur Kushtetutën, edhe pse disa çështje kanë dalë në terren politik, terren që nuk ka qenë i Gjykatës Kushtetuese.

Por, Gjykata Kushtetuese s’ka mund të marrë vendim tjetër, përveç atij që ka marrë - hiç ato vlerësimet politike që i ka dhënë, e para. Në anën tjetër, edhe presidentja në një mënyrë ka qenë pjesë e marrëveshjes kur është bërë ndërmjet tri subjekteve politike, dhe natyrisht nëse ekziston vullneti i aktorëve që e kanë bërë marrëveshjen, për ta respektuar marrëveshjen. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i pengon në realizimin e asaj marrëveshjeje.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është krejt në rregull, por aktorët që e kanë bërë marrëveshjen, mund ta realizojnë atë.
XS
SM
MD
LG