Ndërlidhjet

Marnjak e Zhbogar dënojnë incidentin me të shtëna në veri


Ilustrim
Ilustrim
Shefi i EULEX-it, Ksavier De Marnjak dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zhbogar, kanë dënuar fuqishëm incidentin me të shtëna sot në veri të Kosovës.

Një pjesëtar i policisë së Kosovës është lënduar lehtë, kurse një automjet i policisë së Kosovës dhe një automjet i EULEX-it kanë pësuar dëme. Në një komunikatë për opinion, EULEX-i njofton se një numër personash të armatosur janë shfaqur në rrugën mes Zupçes dhe Zubin Potokut sot në mëngjes, duke hapur zjarr kundër dy automjeteve.

“Një pjesëtar i policisë së Kosovës është lënduar. Personat përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë sa më shpejt. U bëj thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacion në lidhje me këtë incident që të kontaktojnë policinë,” citohet të ketë thënë zoti Marnjak.

“Unë e dënoj këtë akt dhune. Jetë njerëzish janë vënë në rrezik. Kjo tregon dhe përforcon nevojën për më shumë sundim ligji në këtë pjesë të Kosovës,” ka thënë ndërkaq Samuel Zhbogar.

Një numër oficerësh policie të EULEX-it kanë qenë duke udhëtuar për në Zubin Potok për të kryer detyrat e tyre të zakonshme në stacionin e policisë kur ka ndodhur sulmi, kurse automjeti i policisë së Kosovës ka qenë duke i shoqëruar ata, thuhet në komunikatë.
XS
SM
MD
LG