Ndërlidhjet

Ligji anti-duhan veç në letër, paralajmërohet gjobitja


Ilustrim
Ilustrim
Studimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flasin për shifra alarmante të shkaktarit të dytë të vdekjeve në botë - duhanpirjen.

Kosova ka një Ligj anti-duhan, zbatimi i të cilit mbetet problematik. Ligji i miratuar në Kuvendin e Kosovës parashihte që 70 për qind e hapësirave të mbyllura publike të ndalohej, derisa 30 për qind parashihej të tymosej duhani.

Por, muaj më parë Ministria e Shëndetësisë ka marrë iniciativë për ndryshimin e ligjit, që ai të ndalohet 100 për qind në hapësirat e mbyllura. Ky ndryshim në ligj nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, deklaron për Radion Evropa e Lirë se, meqë nuk është zbatuar ligji në fuqi për kontroll të duhanit, ka pasur kërkesa si nga organizata të ndryshme, e deri te Raporti i Progresit, për t’u zbatuar Ligji kundër duhanit.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për kontrollin e duhanit si një politikë e re e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe derisa ky ligj të shkojë në Kuvendin e Kosovës dhe të miratohet, mbetet në fuqi ligji aktual, i cili megjithëse i ka disa rezultate, nuk është duke e arritur nivelin e duhur”.

“Pikërisht pse nuk është zbatuar ky ligj, ka pasur kërkesa nga organe të ndryshme dhe përfshirë edhe Raportin e Progresit, që Kosova të vazhdojë me zbatimin e Ligjit kundër duhanit, dhe si përgjigje për këtë Ministria e Shëndetësisë ka sponsorizuar një ligj si më të guximshëm dhe i cili duhet të miratohet në Kuvend dhe më pastaj të zbatohet dhe të arrijë efektin për çka edhe është financuar”, thotë Hoti.

Ndërkaq, qytetarët flasin për atë se sa zbatohet ligji kundër duhanit. Edita, 30 vjeçare, ekonomiste thotë:

“Ligji për duhanin nuk respektohet dhe as nuk është respektuar ndonjëherë. Po shpresoj që kur të bëhet 100 për qind, do të fillojnë (të shqiptojë) gjoba dhe inspektorët do të jenë më të vendosur, përndryshe në asnjë vend nuk është i ndarë ose është i ndarë formalisht”.

Shkumbin Spahija, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), pjesëmarrës në ndryshimin e Ligjit për duhanin, thotë se iniciativa për ndryshim ka ardhur si pasojë e moszbatimit të Ligjit aktual për duhanin, në ndarjen e hapësirave prej 70 për qind pa duhan dhe 30 për qind ku lejohet pirja e duhanit.

“Me ndryshimet e bëra në ligj, është bërë edhe një sqarim i përgjegjësive të inspektorëve, derisa janë shqiptuar disa gjoba, në formë të vërejtjeve, por që sipas tyre nuk është proceduar apo edhe është vonuar procedimi i tyre nga gjykata. Gjithsesi se gjobat janë një masë disiplinore efikase dhe është masa kryesore krahas vetëdijesimit të popullatës për të zbatuar një ligj të tillë”, sqaron Spahija.

Një tjetër qytetare, Marigona Rama, jo duhanpirëse, thotë se sidomos të rinjtë nuk duhet ta konsumojnë duhanin, meqë është i dëmshëm për shëndetin.

“U sugjeroj të rinjve që të mos pinë duhan, meqë mendoj se është shumë i dëmshëm për shëndetin”, shprehet Marigona Rama.

Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thonë se, sipas hulumtimeve, rreth 500 mijë njerëz në vendin tonë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.
XS
SM
MD
LG