Ndërlidhjet

Lapsi i së kaluarës


Ilustrim
Ilustrim
Teknologjia në rritje globale po i vë njerëzit në kontakt më shumë me tastierë, sesa me lapsa dhe letër. Shkresat e ndryshme, të cilat janë shkruar në letër me laps, tani të gjitha mund të shkruhen me tastierë, dhe kështu lapsi ka filluar të mos përdoret shumë.

Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e të rinjve të Kosovës për zhvillimin e teknologjisë dhe përdorimin e lapsit.



Disa prej tyre thonë se kanë harruar se kur kanë përdorur lapsin për herë të fundit për të shkruar diçka, pasi që këtë bëjnë me tastierë, por ka edhe të tjerë të cilët e përdorin dhe shkruajnë mirë shkrimin kursiv.

Jeton Ajazi është njëri nga ata të rinj që përdor shumë pak lapsin për të shkruar ndonjë gjë.

“Lapsin e përdori shumë pak , vetëm për diçka kur kemi qenë në shkollë, por shumicën e gjërave tani i kryej me kompjuter”, thotë Jetoni.

Mospërdorimi i shpeshtë i lapsit ka ngritur shqetësime te njerëzit. Shumë studiues thonë se gjeneratat e reja nuk do të jenë në gjendje të kuptojnë dorëshkrimet e rëndësishme, të cilat janë bërë me laps, kur nuk ka ekzistuar tastiera, apo kur gjeneratat e vjetra kanë përdorur më shumë lapsin.

Kjo i shqetëson edhe disa të rinj të Kosovës, të cilët thonë se me kohën nuk do të jenë të gjendje të shkruajnë mirë.

Arian Minci me të përfunduar shkollën fillore thotë se nuk ka përdoruar më lapsin dhe tani mund të ndodhë që ai të harrojë të shkruajë.

“Pasi që përfundova shkollën fillore, lapsi kishte dalë nga funksioni për kryerjen e detyrave të mia. Të gjithë këto i bëjë me tastierë dhe nuk e përdori tani lapsin. Mund të ndodh që duke mos e përdorur shpesh, të harroj të shkruajë bukur”, thotë ky i ri.

Ngjashëm, mendon edhe Lulzim Penjani:

“Lapsin shumë pak e përdorim. Shumë shokë të mi dhe unë, të gjithë gjërat i shkruajmë me kompjuter dhe telefon. Lapsin e zëvendësojnë këto dyja më mirë dhe më shpejt. Mendoj që mund të harrojmë të shkruajmë me laps derisa nuk e përdorim”.

Ndryshe nga Lulzimi është Anita, një e re e cila punon në një dyqan tregtar. Ajo thotë se puna e saj është e tillë që i duhet të shkruajë me laps.

“Unë e përdori lapsin çdo ditë, është pjesë e punës sime. Kështu që të gjitha gjërat i shkruaj me laps dhe jo me tastierë”, thotë Anita.

Shaqir Pireva mendon se përdorimi i lapsit për të shkruar diçka, më nuk është i nevojshëm. Zhvillimi i teknologjisë kompjuterike, thekson ai, ka bërë që lapsi të largohet nga përdorimi për të tani e sa vjet.

“Nuk ka nevojë më të përdoret lapsi. Tani i ke të gjitha, kompjuterin, telefonin, nuk ka nevojë që të përdorësh lapsin”, thekson Shaqir Pireva.

Ndonëse totë që nuk e përdor dhe aq lapsin, Ganimete Juniku thotë se, ajo me vete gjithë e mban një. Ajo e konsideron të nevojshëm ta kesh me vete lapsin:

“Në fakt, shumë pak kohëve të fundit po përdoret lapsi, por çdo herë e kam një laps në çantë për arsye të ndryshme. Teknologjia ka përparuar shumë dhe lapsi po përdoret shumë pak”.

Derisa në më shumë se 80 për qind të shkollave publike amerikane e kanë hequr shkrimin kursiv nga klasat e tyre, duke e përdorur të njëjtën kohë për të mësuar të shtypurit në tastierë dhe aftësi tjera teknologjike, shkrimi kursiv në shkollat fillore në Kosovë ende është një pjesë e rëndësishme e programit shkollor.

Nxënësit mësojnë të shkruajnë bukur me shkronja të shkrimit për disa vjet me radhë, por që pas përfundimit të shkollës dhe me përdorimin e kompjuterit dhe pajisjeve tjera për të shkruar në mënyrë elektronike, ky shkrim nuk po përdoret.

Me kohë, ata nxënës po harrojnë të shkruajnë bukur.

Liridon Breznica kujton kohën kur mësonte shkronjat dhe bukurshkrimin. Thotë se i kishte mësuar me shumë mund, por kishte pasur një shkrim të bukur. Me kalimin e kohës dhe mospërdorimin e lapsit, tani ai thotë se shkrimi i tij nuk i ngjason atij të mëhershmit.

“Tani nuk shkruaj mirë, kam shkrim të pakuptueshëm. Është ndoshta pak trishtuese nëse pas një kohe do të harrojmë të shkruajmë mirë, apo të mos i kuptojmë dorëshkrimet e dikujt tjetër. Por, zhvillimi i teknologjisë ka bërë që të përdoret tastiera dhe jo lapsi”, thotë Liridoni.

Sami Beqiri thotë se lapsi po përdoret vetëm kur është e obligueshme, si për shembull në shkollat fillore, në të kundërtën të rinjtë nuk e përdorin lapsin.

“Lapsi po përdoret vetëm në detyrat shkollore, të cilat janë obligative. Pas përfundimit të shkollës fillore, lapsi po harrohet dhe nuk po përdoret më. Shqetësuese është fakti se të rinjtë as nuk shkruajnë, e as nuk lexojnë”, shprehet Samiu.

E të tjerë të rinj, ndërkaq, thonë se lapsi përdoret vetëm kur kanë për të vendosur ndonjë shenjë të veçantë në librin që janë duke e lexuar dhe shumë pak për të shkruar me të.

Arta Istrefi tregon:

“Me zhvillimin e teknologjisë, shkrimi me lapsa në letër ka filluar të harrohet. Unë, personalisht, e përdori jo shumë, por zakonisht kur lexoj libër. Marr dhe shkruaj diçka në fletore. Me zhvillimin e teknologjisë më shumë po përdoret mënyra elektronike e të shkruarit”.

Ngjashëm shprehet edhe Nita:

“Rastësisht, që tema juaj lidhet me aktualitetin tim. Jam duke e lexuar një roman dhe tani po përdori lapsin për ndonjë nënvizim”.
XS
SM
MD
LG