Ndërlidhjet

Parlamenti shqiptar për kufizimin e imuniteteve


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Armand Mero, Zëri i Amerikës

Në Shqipëri, Parlamenti votoi në unanimitet ndryshimin e Kushtetutës për kufizimin e imuniteteve, ndërsa shumica rrëzoi propozimet e socialistëve që lidheshin me sistemin e Drejtësisë.

Për kryeministrin Berisha, kufizimi i imunitetit ishte një ngjarje historike. Socialistët të cilët dhanë votën në favor pavarësisht rrëzimit të paketës së tyre, akuzuan qeverinë se ka vënë nën kontroll drejtësinë, e se për këtë nuk besojnë se kufizimi i imunitetit do të çojë në ndëshkimin e korrupsionit qeveritar, u shpreh kryetari grupit socialist Gramoz Ruci.

Vendimi i Parlamentit u përshëndet menjëherë nga përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe OSBE-së në Tiranë.

Më shumë se sa për imunitetin, debatet e gjata në Parlament u përqendruan në paketën e propozimeve të socialistëve për disa ndërhyrje që preknin sistemin e drejtësisë dhe procesin e emërimeve në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetues dhe të Prokurorit të Përgjithshëm duke i realizuar me tre të pestat e parlamentit dhe jo me shumicë të thjeshtë siç ndodh aktualisht. Sipas opozitës, ato do të forconin pavarësinë e institucioneve dhe të vetë gjykatësve.

Por kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se opozita nuk mund të jetë e besueshme në propozimet e saj e cila sipas tij kishte heshtur për shkatërrimin që i bënë sistemit të drejtësisë ish presidenti Bamir Topi dhe ish nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu.

Sa të besueshëm jeni ju , kur tani që ju iku Topi, tani që ju iku faqeziu , tani bërtisni pavarësi e institucioneve? Rroftë pavarësia. Por ku konsiston pavarësia, te Topi dhe tek ai që krijon parti politike në institucionet kryesore të vendit? Atë quani ju pavarësi? Pse nuk u ngritët ju për pavarësi institucionesh, kur ata montonin për vete aferat prej 500 mijë metrash katrorë në bregdet?”, u shpreh Berisha.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi u përgjigj duke deklaruar se besueshmëria dhe efiçenca e sistemit të drejtësisë është në pikën më të ulët duke akuzuar për këtë qeverinë dhe shumicën në pushtet.

Po kryeministër jemi të shqetësuar për këtë punë për arsye se perceptimi i publikut shqiptar për sistemin e drejtësisë është ku thërret qameti. Po zoti kryeministër, i bëmë tashti se rekomandimet e ekspertëve vendas dhe të huaj janë që domosdoshmërish duhen bërë ndryshime në sistemin e drejtësisë. Po kryeministër i bëmë tani se arrnimet me pe të bardhë në rrobë të zezë, që kërkon të bësh në emër të reformave në sistemin e drejtësisë, jo vetëm që nuk e përmirësojnë, por e përkeqësojnë akoma më tej”, tha Ruçi.

Sipas kryeministrit Berisha propozimet e socialistëve ishin të papranueshme pasi do të çonin në bllokimin e institucioneve kushtetuese.

Ne pranuam çdo propozim tuajin për imunitetin. Rrëzuam teza që i kishim pranuar për vite të tëra. Kemi qenë të vendosur për mos ndryshim të kushtetutës, u tërhoqëm, kemi qene të vendosur për kontroll banese pa leje, por u tërhoqëm dhe këto janë të faktuara në dokumente. Por nuk mund të pranojmë kurrë shkatërrimin dhe paralizën e institucioneve kushtetuese, siç ndodhi me Ombudsman-it që e latë dy vjet pa kokë. Nuk mund të bëjmë këtë se demokracia pastaj humbet çdo kuptim, nuk mund të bëjmë këtë që të vendosim këtu sundimin e pakicës mbi shqiptarët”.

Pavarësisht qëndrimit të prerë refuzues të shumicës ndaj propozimeve të tyre, socialistët dhanë mbështetje të plotë për imunitetet, ndryshe nga një muaj më parë kur thuajse i kishin lidhur ngushtësisht të dyja çështjet.

Zoti Ruçi megjithatë tha se nuk besonte se kufizimi i imuniteteve do të sillte në ndëshkimin e korrupsionit qeveritar.

Imunitetin nuk ta japim ty. E japim për veten tonë. E japim për qytetarët shqiptarë. E japim sepse perceptimi i publikut shqiptar dhe besueshmëria e publikut shqiptar ndaj ne politikanëve është në nivelin zero. Dhe kjo është përgjegjësia juaj. Ne s’kemi pse të bëhemi avokatë të imunitetit. S’kemi pse të bëhemi avokatët e korrupsionit tuaj. Por ne nuk kemi aspak besim se korrupsioni juaj do ndëshkohet si rezultat i heqjes së imunitetit. Pse?! Se prokurori thotë të arrestohet, ti i thua unë të ndaloj. Se Gjykata Kushtetuese merr vendime ti se zbaton. Se Gjykata e Lartë merr vendime ti se zbaton. Se Gjykata Apelit merr vendim e ti se zbaton. Se Gjykata e Shkallës së Parë merr vendim e ti se zbaton”.

Votimi për imunitetin u bë në konsensus të plotë. Falë këtij konsensusi u anashkalua shkelja dy herë e procedurave, njëra që parashikon një seancë të posaçme të parlamentit për votimin e ndryshimeve kushtetuese, dhe tjetra që lidhet me paketën e ndryshimeve kushtetuese të socialistëve e cila sipas rregullore nuk mund të kalonte për miratim pa u mbushur dy javë nga vendimi i Këshillit të Legjislacionit.

Nën trysninë e fortë ndërkombëtare, por sidomos asaj publike të ushtruar nga shumica, e cila thuajse përditë e akuzonte se po bëhej pengesë për statusin kandidat, socialistët hoqën dorë thuajse lehtësisht nga ajo që e kishin nisur si një betejë të fortë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Me kufizimin e imuniteteve Shqipëria plotëson një tjetër kërkesë të Brukselit. A do të mjaftojë për të garantuar Statusin? Një tjetër kërkesë, e renditur si ndër më kryesoret krahas reformës zgjedhore, ajo e procedurave parlamentare ka mbetur në vend. Dhe për këtë reformë asnjëra nga palët nuk ndihet.

Është vetëm Brukseli që e nënvizon në mënyrë të përsëritur, siç bëri edhe komisioneri Fyle gjatë takimit me presidentin Bujar Nishani, ndërsa theksoi se , “Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur dhe efektiv dhe për të vendosur një bilanc solid në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

* Ky material u publikua fillimisht në VOA

XS
SM
MD
LG