Ndërlidhjet

Independent: Merkel - Evropa të vazhdojë me reformën e dhembshme


Angela Merkel
Angela Merkel

Kancelarja Angela Merkel u ka tërhequr vërejtjen haptas fqinjëve të Gjermanisë në eurozonë, që kanë probleme, duke u thënë atyre se vazhdimi i reformave të dhembshme dhe politikat e ashpra buxhetore, janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e krizës së vështirë ekonomike në Evropë, e cila po thellohet, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Independent.

Këto komente kancelarja gjermane i bëri në fjalimin e saj në Federatën e Industrisë Gjermane, në një ditë të trazirave në bllokun euro.

Qeveria në Spanjë u ballafaqua me protesta masive në kryeqytetin Madrid, kundër kursimeve, ndërsa raportohet se Greqia ka mungesë prej miliarda eurosh në plotësimin e kushteve të ndihmës financiare.

Njëherësh, agjencia e rejtingut, Standard and Poor’s, përsëri e ka theksuar gjendjen e zymtë të ekonomisë së Bashkimit Evropian, duke parashikuar se eurozona nuk mund të kthehet në rritje deri së paku në vitin 2014.

Kundër këtij sfondi të errët, zonja Merkel ka këmbëngulë se “duhet të marrim frymë thellë për ta kapërcyer krizën” dhe ka shtuar se “duhet të bëjmë përpjekje që Evropës t’i mundësojnë dalje nga kriza më e fortë se kur ajo filloi”.

E përditshmja londineze, Independent, shkruan se kancelarja gjermane e ka pranuar se disa reforma të rënda në Evropën Jugore kishin ndihmuar, por tha se atje ka ende punë për tu bërë.

Tregjet, theksoi ajo, kanë dyshime lidhur me aftësinë e tyre për t’i paguar borxhet.

Komentet e saj ishin disi nën hije të vazhdimit të krizës në Spanjë dhe Greqi.

Qeveria në Athinë të martën e ka pranuar se do t’i duhen ndërmjet 13 e 15 miliardë euro fonde më tepër, nëse i jepet zgjatje dyvjeçare për planin e borxhit, të cilin ajo e ka kërkuar.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar, po ashtu, një raport të fundjavës, i cili pretendon se kushtet e ndihmës për Greqinë ishin në rrezik, për shkak të deficitit prej 20 miliardë eurosh, shumë dy herë më e madhe se sa mendohej.

“Disa thonë se kjo shumë është 14 miliardë, disa 20, e disa të tjerë thonë 30 miliardë”, ka thënë një zyrtar, shkruan e përditshmja Independent.

Sipas tij, shuma e vërtetë do të mund të dihej, pasi i ashtuquajturi “treshi” i inspektorëve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisioni Evropian, ta përfundoj vlerësimin për progresin e Greqisë në plotësimin e synimeve të reformave të veta.

Vendimi ndoshta mund të merret në nëntor të këtij viti.

Nëse Spanja do të kërkoj një ndihmë të re, që shkon mbi 100 miliardë euro, e premtuar nga ministrat financiar të eurozonës, për ta mbështetur sektorin e sëmurë bankar spanjoll, mbetet çështje kryesore.

Spanja është nën presion për të kërkuar program ndihmës të kufizuar nga Banka Qendrore Evropiane, e cila do të lejoj që banka të blej fletobligacione spanjolle dhe ta ulë çmimin e borxhit afatshkurtër.

Nga ana tjetër, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, e ka hedhur poshtë idenë për uljen e pensioneve, që llogaritet se është ngarkesa më e madhe financiare e Spanjës.

Njëherësh, kundërshtimi i furishëm ndaj intervenimit të Bankës Qendrore Evropiane në tregun e fletobligacioneve, i paraqitur nga anëtaret e Parlamentit gjerman dhe Jens Weidmann, shef i lartë në Bundesbank, ka sinjalizuar se Gjermania nuk dëshiron që Spanja të vazhdoj me kërkesën për ndihmë të BQE-së.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG