Ndërlidhjet

Të rinjë nuk shohin perspektivë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sipas të dhënave të fundit të Agjencionit për punësim në Maqedoni, në fund të gjysmës së parë të vitit janë regjistruar 256.949 të papunë, nga të cilët 63.513 janë të rinj nën moshën 29 vjeçare.

Nga këto të dhëna mësohet se rreth 20 mijë nga të papunët janë me arsim të lartë, prej të cilëve 658 janë magjistër dhe 19 doktorë shkencash.

Kjo ka bërë që në Maqedoni të shënojë rritje numri i emigrantëve me arsimim të lartë, ndërkohë që të rinjtë gjithnjë e më zëshëm theksojnë se perspektivën e tyre nuk e shohin në vend.

Neda Korunovska, nga organizata joqeveritare “Reaktor”, e cila veprimin e ka fokusuar në perspektivën e të rinjve, vlerëson se është koha e fundit që elitat politike të mendojnë seriozisht për ndërtimin e një sistemi funksional mes procesit të arsimimit dhe ofertës në tregun e punës.

Shumica e të rinjve pasi të kenë përfunduar studimet mbeten në shtëpi pa perspektivë për të punuar , kjo ndodh për arsye se nuk ka një strategji të qartë mes procesit ë arsimit dhe tregut të punës, thjesht për fat të keq gjithnjë e më shumë konstatohet se njohuritë që i marrin të rinjtë gjatë shkollimit janë të pamjaftueshme për vetëpunësim, ose për të qenë të aftë të marrin mbi kurriz përgjegjësi për çka kanë nevojë ndërmarrjet private”, thekson Korunovka.

Nga na tjetër edhe Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, konsideron se problemi qëndron në humbjen e rëndësisë që kanë shkollat e mesme me vokacion teknik, gjegjësisht profesional.

"Mendoj se problemi qëndron në atë se Qeveria e Maqedonisë krijoi një bombë sociale duke i bërë të gjithë me shkollë të lartë, ndërkohë që volumi i punës, fuqia absorbuese e sektorit privat është dhe mbetet shumë e ulët. Kështu që kemi të rinj të cilët kanë një diplomë në xhep, dhe njëkohësisht nuk mund të gjejnë punë. Thjesht nuk kanë perspektivë. Prandaj orientohen drejt vendeve evropiane me shpresë se potenciali i tyre do të vijë në shprehje”, thekson Ademi.

Ai shpon se më i dhimbshëm është fakti se shqiptarët e humbasin primatin e sipërmarrësisë që e kishin kultivuar me gjenerata.

Shoqëria shqiptare tradicionalisht ose historikisht, mund të them se ka qenë e orientuar nga sipërmarrësia, mirëpo në momentin që duhej të rritej kapaciteti i kompanive dhe të krijoheshin vende të reja pune, kah eksporti, partitë politike shqiptare, të rinjtë i drejtuan kah institucionet publike, duke thënë se të jesh shërbyes civil është më mirë sesa të jesh sipërmarrës, të punosh për vetën tënde”, thotë Ademi.

Ndërkaq, sipas Neda Korunovskës, të rinjtë thjesht janë të diskriminuar në tregun e punës, si pasojë e influencës së politikës.

Institucionet shtetërore përkatëse nuk bëjnë as veprimin më të vogël për të zgjidhur këtë problem, andaj dhe pjesa më vitale, ajo që është e aftë për punë, të rinjtë, perspektivën e shohin jashtë Maqedonisë, dhe mundësia e parë që u jepet për të braktisur vendin ata largohen. Kjo ka bërë që një e treta e të rinjve të cilët largohen nga Maqedonia janë kuadro me arsim sipëror, gjersa praktika në vendet e zhvilluara evropiane dëshmon se ka programe të veçanta përmes së cilave stimulohen të rinjtë për të punuar në vendin e tyre”, thekson Korunovska.

Ndryshe, Ministria e Ekonomisë ka paralajmëruar se të gjitha ato kompani që do të paraqiten me një ide të re ose inovacion për hapjen e një biznesi të ri, i cili nuk ekziston në Maqedoni, të fitojë mbështetjen përmes një inkubatori ose fondi të investimeve.

Ndërkohë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në gusht të këtij viti ka promovuar një plan aksional që përfshin promovimin e mundësive për 135 punësimeve të të rinjve nga mosha 15 deri 29 vjeçare, plan i cili do të duhet të realizohet deri në fund të vitit 2015 dhe kushton 27 milionë euro.
XS
SM
MD
LG