Ndërlidhjet

Iran: Krizë e rëndë ekonomike


Dollarë, euro dhe valuta iraniane, rial
Dollarë, euro dhe valuta iraniane, rial

Monedha e Iranit është në rënie të lirë, ekonomia në rrëmujë, ndërsa qytetarët bartin barrën kryesore.

Hamidi punon në një dyqan kompjuterësh pranë Teheranit. Ai thotë se pasiguria dhe frika për të ardhmen janë bërë pjesë e jetës së përditshme për shumë iranianë të klasës së ulët dhe të mesme të shoqërisë.

“Nuk e dimë se çfarë do të sjellë e ardhmja. Nuk e dimë se si do të jenë gjërat pas pak orësh. Monedha jonë ka humbur vlerën dhe kjo ka ndikuar në të gjitha aspektet e jetës”, thotë Hamidi.

Monedha kombëtare ka humbur më shumë se çerekun e vlerës në javën e kaluar. Iranianët ndjejnë rënien kur ata bëjnë pazare. Çmimet e ushqimeve dhe të mallrave të tjera, përfshirë barnat që importohen, janë dyfishuar ose trefishuar në disa raste. Çmimet e pajisjeve shtëpiake dhe elektronike janë ngritur në qiell.

“Më lejoni t’ju jap një shembull. Unë bleva salcë makaronash për 11,000 rialë një ditë, ndërsa ditën tjetër e njëjta u bë 18,000 rialë”, thotë Hamidi.

Rreth një vit më parë, çmimi i një dollari amerikan ka qenë 10,000 rialë, ndërsa sot tregtohet me 36,000 sish.

Për krizën e monedhës, shumë iranianë fajësojnë qeverinë për keqmenaxhim të ekonomisë dhe sanksionet e Perëndimit për shkak të programit bërthamor të Iranit.

Hamidi thotë se shumë qytetarë blejnë më pak ose privojnë veten nga ushqimet e caktuara, për të përballuar krizën.

“Unë ha mish një herë në dy javë. Nuk mund ta përballoj ndryshe. Nëse shoh dikë që bart disa kilogramë mish, atëherë ai duhet të jetë një njeri shumë i pasur”, thotë Hamidi.

Situata ka nisur të dëmtojë edhe bizneset, përfshirë dyqanin ku punon Hamidi.

“Një printer shumë i thjeshtë që kushtonte 1.4 milion rialë, tani kushton 3 milionë. Një ‘maus’ ka kapur vlerën e 190,000 rialëve, nga 50,000 sa ishte”, rrëfen Hamidi.

Në qytetin Isfahan, ku banon Raza, rënia e rialit ka çuar në mbylljen e disa dyqaneve. Ai thotë se banorët e zonës janë të mërzitur me zhvlerësimin e monedhës kombëtare, por, megjithatë, nuk beson se do të dalin në rrugë për të protestuar.

“Njerëzit në provincën Isfahan janë shumë konservatorë”, thotë ai.

Sipas Razas, me gjithë mjerimin që po kalojnë iranianët, shumica e tyre, përfshirë edhe të afërm të tij, vazhdojnë të mbeten mbështetës të institucioneve klerike.

“Gjyshi im është mërzitur shumë për rritjen e çmimeve. Por, në të njëjtën kohë, ai thotë se ne duhet të mbështesim qeverinë. Për të është i rëndësishëm kundërshtimi ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai mendon se nëse nuk mbështet qeverinë, do të tradhtojë martirët”, thotë Raza.

Kjo është kriza më e rëndë ekonomike që ka goditur Iranin që prej luftës së viteve 1980-88 me Irakun.(v.t.)
XS
SM
MD
LG