Ndërlidhjet

Përçahen pensionistët


Prishtinë, foto nga arkivi
Prishtinë, foto nga arkivi
Vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve përçanë pensionistët. Përderisa Bashkimi i Pensionistëve të Kosovës mirëpret vendimin dhe thotë se do të ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies sociale, pesë subjektet e koalicionit të pensionistëve nuk pranojnë rritjen, madje e quajnë rritje politike.

Sipas vendimit të qeverisë, për pensionistët kontribut-pagues, pensionet prej vitit 2013 do të rriten për 40 për qind, ndërsa pensionet bazë dhe ato të aftësisë së kufizuar do të rriten në vlerë prej 33.3 për qind.

Kjo rritje është mashtrim politik i ekzekutivit, vetëm për fituar pikë politike, thotë Hamdi Tasholli, në emër të Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës, në të cilën përfshihen pesë asociacione tjera që mbrojnë të drejtat e pensionistëve.

Ai thotë se qëndrojnë pas kërkesës së tyre, që pensionet të rriten 60 për qind të pagës mesatare në vend, apo deri në 250 euro në muaj.

Ne nuk do të pranojmë, për arsye se ne e kemi kundërshtuar këtë rritje dhe do të kundërshtojmë, gjithashtu me shkrime, eventualisht peticione dhe të gjitha mënyrat institucionale do t’i vëmë në veprim, sepse kjo rritje është politike”, shprehet Tasholli.

Por, udhëheqës të Bashkimit të Pensionistëve të Kosovës, vendimin për rritjen e pensioneve e konsiderojnë të vonuar, por të mirëpritur.

Hasan Berisha, sekretar në këtë shoqatë, shumën e vlerëson të pamjaftueshëm, por megjithatë të nevojshëm për situatën.

Berisha shprehet se pozita e pensionistëve do të përmirësohet nëse pensionet do rriten deri në 40 për qind të pagës mesatare, pasi 60 për qind, siç kërkon koalicioni i pensionistëve është e pamundur për shkak të mungesës buxhetore.

Rritja e pensioneve është dashur të bëhet në fillim të vitit, dhe ka qenë e projektuar për ligjin për buxhetin e vitit 2012 - një rritje për 26 për qind. Këtë herë vendimi i qeverisë është bërë 40 për qind, i planifikuar dhe miratuar”.

Prandaj është një miratim i mirëpritur nga pensionistet kontribut pagues por edhe kategoritë tjera. Sigurisht që nuk është e mjaftueshme, sikurse të jetë qind për qind, ngase baza ka qenë dhe është e ulët”, shprehet Berisha.

Ndryshe, Hamdi Tasholli nga Koalicioni i Pensionistëve, fajëson Bashkimin e Pensionistëve, siç e quan ai, dorë të zgjatur të pushtetit, të cilët kanë pranuar rritjen deri në 40 për qind.

Ai madje, thotë se zyrtarët qeveritarë as që kanë pranuar të takohen më subjektet e Koalicionit të Pensionistëve.

Të gjithë si koalicion jemi anashkaluar dhe krejt veprimtarinë çfarë e kemi zhvilluar, një aktivitet tepër të dendur, dëshirojnë të ia përshkruajnë një shoqate tjetër që është profitabile, pra Bashkimit të Pensionistëve, që i ka uzurpuar këtë, atë, e që është dorë e zgjatur e pushtetit. Dhe atë e stimulojnë, ndërsa ne nuk na ka pranuar asnjëherë kryeministri, edhe pse dëshiruam të takohemi për t’i koordinuar veprimet tona”, thekson Tasholli.

Por, Hasan Berisha, nuk dëshiron t’i komentojë qëndrimet e Koalicionit të Pensionistëve.

Ai u kujton atyre, se asociacioni i vërtetë i pensionistëve është Bashkimi i Pensionistëve, i cili angazhohet për një status të mirëfilltë të kësaj kategorie.

Nuk dua të komentoj qëndrimet tyre, mundem vetëm të them se kërkesa e tyre për rritje 60 për qind është jo reale. Në këtë kohë duhet të bëhet trefishimi i pensionit aktual, që buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë”, thotë Berisha.

Sidoqoftë, subjekte të pensionistëve kanë mbajtur disa protesta në Kosovë, duke kërkuar rritje të pensioneve, pasi sipas, tyre shuma që merr kjo kategori nuk është pension por lëmoshë.

Në Kosovë, personat të cilët janë mbi moshën 65 vjet, marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa ata që kanë paguar kontributet, marrin nga 85 euro.
XS
SM
MD
LG