Ndërlidhjet

A ka diskriminim në buxhetimin gjinor në Kosovë?


Ilustrim
Ilustrim
Një nen, në kuadër të Ligjit për barazi gjinore, sipas të cilit institucionet publike obligohen të praktikojnë buxhetim gjinor(menaxhim i barabartë i buxhetit për femra dhe meshkuj), ishte temë diskutimi të mërkurën në një debat me temën “Gratë në Politikë, iniciativa buxhetore”.

Debati është organizuar nga grupi i grave deputete të Kuvendit të Kosovës, kurse është mbështetur nga Instituti Demokratik Kombëtar.

Teuta Sahatçija, deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se fuqizimi i gruas në shumë aspekte, e sidomos në atë ekonomik, nuk është i lehtë, por nuk është as i paarritshëm.

“Në bashkëpunim me Grupin e grave deputete dhe këshilltaret komunale është bërë një analizë mbi 6 javore në çdo pjesë të komunave, ku është analizuar gjendja dhe problemet, me të cilat ballafaqohen gratë”.

“Ekzistojnnë mungesa të shumta që do të tentohet të zgjidhen. Ajo zgjidhje do të jetë e kombinuar edhe prej zgjidhjeve që do të ofrojë çdo komunë dhe përmes kërkesës që këto të kërkohen edhe në buxhetin e Kosovës. Kjo nuk është një punë e lehtë, por nuk është një punë e paarritshme”, tha Sahatçija.

Agjencia për Barazi Gjinore në Qeverinë e Kosovës është ajo e cila ka marrë iniciativë që këtë vit të përfshihet në ligj neni, për të cilin thuhet se do të ketë parasysh të dyja gjinitë në aspektin e përfitimeve buxhetore.

Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, bëri të ditur se gjatë këtij viti ka filluar të bëhet një komunikimi më i gjerë për buxhetim gjinor.

“Aty ku përfitojnë më shumë burrat, atëherë të gjendet mundësia që me projekte të caktuara të favorizohen më shumë gratë, apo aty ku gratë përfitojnë më shumë, atëherë të gjejmë favore për gjininë tjetër. Pra, është një balancim mes gjinive në aspektin e përfitimeve buxhetore”, theksoi Hadërgjonaj.
Kërkesa jonë është të bëjmë fuqizimin e grave në të gjitha fushat, por sidomos në atë ekonomik.


Ndërkaq, kryetarja e Grupit të Grave Asambleiste të Kuvendit Komunal të Gjakovës, Gjylgjizare Gjeravina, tha se ka anashkalime të gruas në shoqëri, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë të punësimit, shëndetësor etj.

“Kërkesa jonë është të bëjmë fuqizimin e grave në të gjitha fushat, por sidomos në atë ekonomik. Nëse një grua është e fuqishme ekonomikisht, atëherë edhe familja e saj do të jetë më e fuqishme”, u shpreh Gjeravina.

Sidoqoftë, sipas grave deputete të Kuvendit të Kosovës, paraja publike duhet të menaxhohet në atë mënyrë, që të përfitojnë si gratë ashtu edhe burrat, duke mos bërë dallime gjinore.

Në Kosovë, sipas Ligjit për barazi gjinore, 40 për qind e grave duhet të jenë të përfshira në proceset vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Megjithatë, rregullimi ligjor i kësaj çështjeje në shumë raste ka ngritur dilema, nëse përqindja dhe kuotat obliguese do të mund të zëvendësonin vullnetin dhe gatishmërinë, jo vetëm të institucioneve publike, për një përfshirje të mirëfilltë të femrës në proceset vendimmarrëse.
XS
SM
MD
LG