Ndërlidhjet

Maqedoni: Shqiptarët protestojnë në mbështetje të Luginës


Protesta në mbështetje të Luginës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:46 0:00

Protesta në mbështetje të Luginës

Qindra shqiptarë protestuan të premten në Shkup kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së dhe në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Protesta u mbajt nën organizim të Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ndërsa është mbështetur edhe nga Parlamenti studentor dhe Shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë.

Forca të shumta policore nuk lejuan protestuesit që t'i afrohen Ambasadës së Serbisë në Maqedoni, ku edhe ishte paralajmëruar mbajtja e protestës, por ajo u mbajt rreth 300 metra larg objektit të Ambasadës.

Protestuesit mbanin në duar parulla si “Jemi Një”, “Daçiqi si Millosheviqi”, "Liri për Luginën e Preshevës” etj.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fazli Veliu, tha se akti i heqjes së lapidarit dhe veprimet e pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk dallojnë aspak nga periudha e sundimit të Millosheviqit. Por, tha Veliu, shqiptarët kërkojnë zgjidhje politike të statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Ne kemi bërë thirrje edhe për Qeverinë e Kosovës, edhe për Qeverinë e Shqipërisë, por edhe për Qeverinë e Serbisë, që ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë çështjen e Luginës së Preshevës, sepse ne nuk do të ndalemi asnjëherë, do të jemi pranë tyre".

"Ardhmëria e tyre është së bashku me shqiptarët, ardhmëria e juaj është së bashku me gjithë ne drejt Adriatikut, Evropës dhe më gjerë”,
tha Veliu, duke tërhequr vërejtjen se shqiptarët, siç u shpreh ai, do të mbrohen me të gjitha mjetet e mundshme nëse vazhdohet të shkelen të drejtat e tyre.

Ndërkaq, kryetari i Unionit Studentor, Shaban Asllani, tha se largimi i lapidarit të UÇPMB-së është bërë me qëllimin e vetëm - rrënimin e vlerave të luftës.

“Sikur kjo të ishte bërë para se të ishte ngritur lapidari i UÇK-së dhe i UÇPMB-së, ndoshta do të kishte një grimcë arsyeje, por kjo u bë me qëllim të caktuar, rrënimin e vlerave të luftës dhe për të treguar forcën mbi popullatën e pambrojtur, si hakmarrje klasike mbi luftëtarët e lirisë”, theksoi Asllani.

Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politikë shqiptarë, Shpëtim Pollozhani, kërkoi lirimin e të gjithë të burgosurve politikë nga Lugina e Preshevës, të cilët, siç u shpreh ai, po trajtohen si robër dhe kriminelë lufte.

Pollozhani, gjithashtu, kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të ndërhyjë tek autoritetet e Serbisë për të respektuar Marrëveshjen e Konçulit.

“Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar që të bëjë presion mbi Serbinë për çmilitarizimin e zonës, pasi çdo shqiptar është objekt gjuetie nga xhandarmëria serbe. Sot, nëpër burgjet e Serbisë ka të burgosur politikë shqiptarë, për të cilët vlejnë ligjet e luftës”, u shpreh Pollozhani.

Zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe heqja e lapidarit të UÇPMB-së, më 20 janar, ishin dënuar edhe nga partitë politike shqiptare, të cilat kishin kërkuar garantimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve atje, duke paralajmëruar se çdo përshkallëzim i situatës mund të ketë pasoja për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
XS
SM
MD
LG