Ndërlidhjet

Maqedoni: Financimi i fushatave zgjedhore - enigmë


Tubim parazgjedhor në Maqedoni
Tubim parazgjedhor në Maqedoni
Prej ku sigurohen saktësisht mjetet për financimin e fushatave zgjedhore në Maqedoni, është pika më e errët e proceseve zgjedhore, e cila qe disa vjet me radhë që nuk arrin të ndriçohet në Maqedoni.

Përderisa partitë politike adresojnë akuza të rënda ndaj njëra-tjetrës për shfrytëzimin e burimeve jo legjitime gjatë fushatave zgjedhore, ekspertët konsiderojnë se vetëm nëse arrihet që të ketë një "raportim transparent" se kush është burimi i të ardhurave dhe sasia e mjeteve, Maqedonia mund gëzojë ndërtimin e një demokracie të vërtetë.

Sllagjana Taseva nga "Transparency International", thotë se korrupsioni në shoqëri ngjizet që në fillimin e fushatave zgjedhore. Partitë politike mund t`i gëzohen besimit të votuesve vetëm nëse arrijnë të dëshmojnë se në pushtet kanë ardhur pa keqpërdorur qoftë edhe një denar, në të kundërtën, thotë ajo, do të duhet të paguajnë "haraç" gjatë tërë mandatit që do të drejtojnë komunën.

"E shihni se ç`ndodh me financimin e reklamave në media, thjesht kemi të bëjmë me ulje drastike të çmimoreve për fushata të caktuara nga mediat. Ose kemi raste kur donatorët janë tërësisht të panjohur dhe jo rrallëherë raportohet për fatura, të cilat asnjëherë nuk shlyhen. Thjesht, e gjithë kjo paraqet një zonë gri ku është shumë vështirë të përcaktohet se cilat janë burimet prej ku financohen partitë politike gjatë organizimit të fushatave parazgjedhore", thotë Taseva.

Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, thotë se në këtë drejtim, Maqedonia ka miratuar ligje shumë të mira, por problemi është se të njëjtat nuk zbatohen.

"Mundësia ligjore për të parandaluar keqpërdorimet është, por realisht mungon vullneti i mirë i institucioneve për të kontrolluar mirëfilli financimin e fushatave zgjedhore", thekson Musa, duke nënvizuar se organet kompetente kontrolluese duhet të analizojnë me përpikëri raportet financiare të partive politike.

"Në mënyrë precize duhet të kontrollohen të gjitha mjetet që hyjnë në llogaritë e partive politike, dedikuar për fushatën, sepse një gjë e këtillë është obligative dhe me ligj, që partitë politike të hapin llogari të posaçme enkas për këtë qëllim. Pra, duhet të kontrollohet në mënyrë të detajuar prej nga vijnë mjetet financiare, kush janë donatorët dhe donacionet a janë materiale apo financiare, apo kemi të bëjmë me shërbime të caktuara. Të gjitha këto duhet kontrolluar mirë nëse dëshirohet të parandalohen keqpërdorimet", vlerëson Musa.

Ndërkaq, Sllagjana Taseva thotë se është i patjetërsueshëm përforcimi i dispozitave lidhur me parandalimin e abuzimit të burimeve shtetërore, për fushata politike, si dhe të filtrohen rregullat e raportimit financiar dhe publikimit të fondeve të partive politike.

“Le të kujtojmë rastin kur donatorë të caktuar u paraqitën me emër dhe mbiemër në ueb- faqet e partive opozitare, atëherë ato firma u vendosën nën inspektim të detajuar nga policia financiare dhe menjëherë pas kësaj, ata u tërhoqën nga financimi i fushatave. Madje, kemi dhe rastin eklatant kur në zgjedhjet e kaluara një grup qytetarësh ishin ata që dhuruan një vlerë të konsiderueshme të mjeteve për qëllime të fushatës zgjedhore, pra thjesht kemi të bëjmë me një zonë gri, kur bëhet fjalë për financimin e fushatave zgjedhore“, potencon Taseva.

Ndryshe, gjatë zgjedhjeve të fundit të parakohshme parlamentare, u paraqit një vrimë prej 3.3 milionë eurove, të cilat u paraqitën në raportin financiar të partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE.

Derisa Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit ngriti procedurë penale ngase LSDM-ja fushatën e kishte financuar me mjete të marra si kredi bankare, për të cilën çështje procedura gjyqësore është ende në rrjedhë.

Në Maqedoni për keqpërdorim të mjeteve financiare nga fushata zgjedhore, është dënuar vetëm ish-ministri i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski, me pesë vjet burg.
XS
SM
MD
LG