Ndërlidhjet

Maqedoni: Problem, bartja e kompetencave


Shkupi
Shkupi
Procesi i decentralizimit në Maqedoni nuk ka përfunduar në tërësi. Kryetarët e disa komunave thonë se ende nuk mund t'i plotësojnë nevojat dhe kërkesat e banorëve, pasi nuk kanë fonde të mjaftueshme për të realizuar programet e tyre, prandaj janë të detyruar t'i drejtohen pushtetit qendror.

Problemet e tyre, siç shprehet kryetari i deritashëm i Ohrit, Aleksandar Petreski, kanë të bëjnë me moszgjidhjen e problemit me tokën ndërtimore që duhet të kalojë në pronësi të komunave si dhe çështje tjera financiare.

“Kjo më kujton e procesin e sërishëm të nacionalizimit të tokës ndërtimore, ashtu si në periudhën e viteve 1945-'47. Komunave iu morën kompetencat në sferën e urbanizimit, shumë zona u shpallën të mbrojtura nga shtetit, dhe për realizimin e të drejtave të tyre, qytetarët sërish janë të detyruar t'i drejtohen pushtetit qendror", thotë Petreski.

Këtë mendim ndajnë edhe kryetarët e tjerë të komunave që vijnë nga radhët e partive opozitare. Por, ata të partive në pushtet thonë se me gjithë vështirësitë, decentralizimi ka dhënë rezultate të mira.

“Sikur të mos ishte ky proces, vështirë se do t'i kishim rezultatet, me të cilat tani mund të lavdërohemi. Mendoj se përfitimet më të mëdha janë ato që kanë të bëjnë me menaxhimin me tokën ndërtimore, me të cilën bëmë shumë investime në qytetet tona. Ne tani menaxhojmë edhe shumë objekte tjera që ishte nën kompetencat e pushtetit qendror“, thotë Vlladimir Talesvski nga Komuna e Manastirit.

Por, ndryshe nga ai, edhe drejtues të asociacioneve që merren me pushtetin lokal flasin për probleme në sferën e decentralizimit.

Lulzim Haziri nga Iniciativa Demokratike, thotë se, në mënyrë që komunat të kenë sukses në punën e tyre, duhet të ketë një qendër për trajnimin e administratës lokale, që të jetë më efikase në punën e saj. Haziri si problem apostrofon edhe politizimin e pushtetit lokal:

“Mendoj se formimi i një qendre për trajnimin e administratës lokale, do të ishte i mirëseardhur për vetë komunën. Së dyti, duhet të kemi parasysh se ende vazhdon procesi i decentralizimit dhe se disa komuna ende nuk e kanë arritur nivelin e duhur për decentralizimin fiskal. Dhe, së fundi, mendoj se stërngarkimi me kuadro partiake, i ka bërë disa komuna që të jenë në shërbim të partive politike dhe jo të qytetarëve“, thotë Haziri.

Decentralizimi i mirëfilltë i pushtetit është edhe pjesë e dialogut aderues ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian.

Malinka Ristevska - Jordanovska, nga Instituti për politika evropiane, thotë se nëse shikohen raportet e Komisionit Evropian, është bërë një përparim në sferën e pushtetit lokal, por duhet edhe shumë punë për të arritur qëllimin final.

“Komunat nuk kanë resurse të mjaftueshme që të mund të t'i realizojnë kompetencat e tyre. Kështu, pushteti qendror shumë vështirë heq dorë nga kompetencat që ka ndaj resurseve të ndryshme në favor të pushtetit lokal".

"Ky mendoj se është problemi kryesor që e bën të pamundur realizimin deri në fund të decentralizimit. Që ky proces të ketë sukses, para së gjithash, duhet të ketë vullnet politik dhe komunave t'u mundësohet forcimi i kapaciteteve për të menaxhuar ashtu siç duhet me pushtetin lokal“,
vlerëson Jordanovska.

Sipas një raporti të publikuar në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Pushtetit Lokal, thuhet se të gjitha komunat kanë hyrë në fazën e dytë të decentralizimit fiskal, që mundëson edhe transferim më të madh të mjeteve, por edhe të kompetencave tjera të financimit.

Por, në një raport për decentralizimin në Maqedoni, Kongresi i autoriteteve rajonale i Këshillit të Evropës, shpreh brengosje pikërisht për aspektet financiare, pasi aty thuhet se komunat ende nuk kanë arritur pavarësinë në sferën e financimit të tyre, pasi në shumë raste varen nga grantet e qeverisë.

Procesi i decentralizimit në Maqedoni ka filluar më 1 korrik të vitit 2005.
XS
SM
MD
LG