Ndërlidhjet

Investimi i gabuar


Ilustrim
Ilustrim
Burimet e pakta të financimit kanë bërë që investitorët privatë në Kosovë të investojnë në sektorë të cilët kërkojnë më pak para për të filluar një biznes, bëjnë të ditur njohës të çështjeve ekonomike, duke shtuar se sektorët shërbyes, siç është hoteleria, janë sektorët në të cilët investohet më se shumti në Kosovë e që në fakt nuk sjellin zhvillim të madh ekonomik.

Eksperti i çështjeve ekonomike Haki Shatri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se struktura ekonomike e Kosovës është e ndërtuar në hoteleri turizëm dhe në sektorë tjerë shërbyes, për shkak të mungesës së kapitalit të mjaftueshëm për të investuar në sektorë tjerë.

“Investitorët privat në mungesë të kapitalit të mjaftueshëm dhe në rrethana kur kreditë janë shumë të shtrenjta nga bankat komerciale, kapitalin e paktë që disponojnë e investojnë në sektorë ku mundësitë janë më të mëdha për të ardhur më shpejt te fitimi”, shprehet Shatri.

Duke u bazuar në të dhënat e vitit 2012 të cilat i posedon Ministria e Tregtisë dhe Industrisë departamenti i Hotelerisë dhe Turizmit, si dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, del se në të gjitha komunat e Kosovës veprimtarinë Hoteliere e ushtrojnë 170 hotele të licencuara.

Në këto të dhëna, nuk janë përfshirë një numër i hoteleve nga Prishtina, nga Podujeva dhe hotelet e komunës së Shtërpcës si dhe disa objekte hoteliere, që në momentin e privatizimit kanë qenë në fazën e renovimit dhe janë konsideruar si joaktiv.

Po ashtu, nuk janë të përfshira motelet e pa licencuara të cilat e ushtrojnë këtë veprimtari.

Duke u nisur nga këto të dhëna, eksperti i ekonomisë Haki Shatri thotë se sektorët shërbyes në Kosovë kanë arritur përqindjen e mjaftueshme në treg.

Investimi edhe më shumë në hapjen e hoteleve apo restoranteve thekson Shatri rrezikon ekzistimin e tyre.

“Investimi në këtë sektor deri në një fazë është i dobishëm pasi që mundëson normë të akumulimit dhe normë të fitimit, por kur tejkalon një vëllim të caktuar atëherë fillon të ngopet dhe nuk ka ndonjë profit për investitorin, as ekonomisë së vendit nuk i jep ndonjë kontribut në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik”, shprehet Shatri.

Shatri thekson se duhet të krijohen kushte, sidomos te politikat monetare, të lirohen kreditë për sektorin e bujqësisë dhe sektorin e prodhimtarisë.

Në anën tjetër, edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, konsideron se Kosova duhet ta fuqizojë sektorin e prodhimtarisë, pasi që është njëra nga sektorët që do të krijonte zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik.

“Unë besoj që edhe me rritjen e mundësive të burimeve të financimit, ndërmarrësit tanë do të fokusohen gjithnjë e më tepër në sektorin e prodhimtarisë, pasi që këto do të mund të gjenerojnë të hyra më të shumta”, shprehet Zeka.

Kursimet personale, huazimet nga miqtë dhe familja, si dhe kreditë bankare janë burimet e vetme të qasjes në kapital për bizneset e Kosovës.

Duke pasur parasysh që këto burime nuk janë të sigurta, përfaqësues të bizneseve edhe ekspertë të ekonomisë vazhdimisht rekomandojnë krijimin e burimeve të reja të qasjes në kapital të cilat do të mundësonin financimin e projekteve të ndryshme afariste.
XS
SM
MD
LG