Ndërlidhjet

Kinematografia e pamfleteve politike


Emir Kusturica me Dmitry Mevdedev, foto nga arkivi
Emir Kusturica me Dmitry Mevdedev, foto nga arkivi
Pavarësisht se arti dhe kultura konsiderohen si ura lidhëse ndërmjet popujve dhe vendeve, idetë që mund të realizohen në këto fusha, kanë qenë shkaktare të reagimeve të ashpra verbale të pjesëtarëve të komunitetit të artistëve të filmit në Kosovë ndaj paralajmërimeve të një regjisori nga Serbia, për xhirimin e një filmi, siç thuhet, me temë nga Kosova.

Ditë më parë, regjisori nga Serbia, Emir Kusturica, siç e kanë transmetuar edhe disa media serbe, ka paralajmëruar se do ta xhirojë në Rusi një film “për trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë”, me skenar që i referohet raportit të eurodeputetit Dick Marty.

Ky paralajmërim e ka shtyrë kryetarin e Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, Lirak Çelajn, që të kërkojë shpalljen e Kusturicës si person “non-grata” apo “i padëshirueshëm” në Kosovë.

Çelaj thotë për Radion Evropa e Lirë se artistët nga Kosova, deri më tash, nuk kanë reaguar ndaj disa filmave që janë prodhuar nga kinematografia serbe, me tema të bazuara nga lufta e fundit në Kosovë, e që sipas tij, kanë qenë vetëm pamflete politike, pa ndonjë vlerë artistike.

Por, siç thotë ai, paralajmërimet e regjisorit Kusturica, “ia kanë vënë kapakun” propagandës serbe, për t’i paraqitur në prizëm negativ shqiptarët e Kosovës.

“Mënyra se si ky (Kusturica) i referohet si ‘ngjarje e vërtetë’ dhe e quan ‘ngjarje e shekullit’, tregon qartë se ai ka prapavijë politike dhe se po vihet në shërbim të shpëlarjes së mëkateve të Milosheviqit dhe të kriminelëve të tjerë, të cilët i kanë duart plot gjak në Kosovë, në Bosnjë dhe në Kroaci".

"Filmat hollivudian, por edhe në skenat ndërkombëtare, po e qesin në pah atë realitet të hidhur, po e tregojnë se çka ka qenë regjimi i Milosheviqit, regjimi serb dhe ky (Kosturica) po përpiqet tash që ta bëj një kundërsulm, pra, ta përmirësoj imazhin e serbëve, natyrisht, me gënjeshtër
”, shprehet Çelaj.

Ndaj paralajmërimeve të Kusturicës ka reaguar edhe regjisori i njohur nga Kosova, Isa Qosja.

Siç ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë, gjatë viteve të pasluftës, nuk ka pasur ndonjë përplasje të madhe ndërmjet kinematografisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, pavarësisht se, kjo e fundit, sipas tij, ka zhvilluar disa përpjekje për ta falsifikuar gjendjen reale të luftës në një gjendje favorizuese për shtetin serb, si dhe për të nxjerrë një imazh të keq për Kosovën para opinionit ndërkombëtar.

Ato projekte kanë dalë, së paku, por, të pasuksesshme. Me sa di unë, ato kanë qenë pamflete të vogla politike dhe kanë mbetur në atë nivel, jo në ndonjë nivel artistik. Dhe ato pamflete politike, natyrisht, e vazhdojnë jetën e vet, duke kulmuar. Momentalisht, mund të kulmojnë me këtë përpjekjen e Kusturicës që një teme të tillë, t’i shtojë edhe një pamflet tjetër, bazuar në dyshimet e një shqiptarofobi, Dick Marty-t, i cili, megjithatë, me ato dyshime nuk ka arritur edhe aq larg. Nuk jetohet në art, në kinematografi, me pamflete politike dhe folklor”, thekson Qosja.

Të dy këta përfaqësues të komunitetit të artistëve të filmit vlerësojnë se deri më tash janë krijuar edhe në Kosovë disa filma me tema nga lufta e fundit në Kosovë, të cilët në skenën ndërkombëtare, përveç disa filmave të shkurtë, nuk kanë arritur ndonjë sukses të theksuar.

Por, Çelaj thotë se, këta filma nuk kanë pasur qëllim revanshi ndaj filmave serbë, sepse artistët kosovarë, sipas tij, në filmat e tyre, megjithatë, i kanë ikur qëllimit propagandues.

Një gjë pozitive, mund ta them se artistët tonë asnjëherë nuk janë marrë me propagandë. Ka pasur përpjekje, sepse unë dëshiroj që të sillet një realitet, por jo propagandë. Kjo është mirë, sepse ne nuk po biem në nivelin e serbëve".

"Megjithatë, artistët tanë po e ruajnë etikën artistike, do të thotë, etikën e filmit. Unë kam shkresë se me kohë do të zhvillohet. Janë disa regjisorë të rinj dhe disa krijues të rinj, për të cilët besoj që shpejt do të arrijnë ta bëjnë edhe një film të mirë, i cili ‘do të shpërthej’ në skenën ndërkombëtare
”, bën të ditur ai.

Regjisori Qosja vlerëson se nismat sikurse ajo e Kusturicës, me të drejtë nxisin revoltën në komunitetin e artistëve në Kosovës.

Por, megjithatë, siç thotë ai, përgjigja e tyre nuk guxon të jetë e formës që të shërbehen me filma që kanë tema të dyshimta dhe me qëllim propagandues.

Siç thotë Qosja, temat mund të nxirren nga ngjarjet, sipas tij reale, që tashmë janë vërtetuar edhe në sytë e botës.

“A nuk kemi ne masakra? Kemi Izbicën, kemi Reçakun... Kemi mjaft masakra që mund të pasqyrojnë atë realitet që ka ndodhë dhe që e ka tronditur botën. Unë mendoj që, nëse ndodhë të japim ndonjë përgjigje - ndonëse nuk jam për të dhënë përgjigje folklorike, por jam për të dhënë përgjigje artistike ndaj kinematografive, të cilat shërbehen me tema të tilla të sajuara".

"Unë jam për të dhënë përgjigje të vërtetë artistike. Prandaj, unë konsideroj se ne duhet të punojmë që të japim këtë përgjigje që kinematografia jonë, filmi jonë, të jetë prezent në festivalet me renome”
, thotë Qosja.

Ndryshe, këta përfaqësues të komunitetit të artistëve të filmit, kanë shprehur mendimin se projektet filmike të kinematografisë serbe, të cilat kanë pasur tema mbi luftën në Kosovë, në të shumtën e rasteve e kanë pasur dhe e kanë mbështetjen financiare të shtetit serb.

Në anën tjetër, projektet me pretendime të mëdha dhe serioze, sipas tyre, kërkojnë financa të mëdha apo milionëshe, të cilat deri më tash, në rastin e prodhimtarisë filmike në Kosovë, siç thonë ata, institucionet qeveritare përgjegjëse për kulturën, nuk kanë mundur t’i dedikojnë për shkak të buxhetit të vogël.

Megjithatë, ata kanë shprehur mendimin se shteti i Kosovës, duhet të bëjë çmos për të ndarë një buxhet të madh, për të prodhuar të paktën një film, tash për tash, i cili do të ishte i denjë për skenat ndërkombëtare, me një temë që do të pasqyronte realitetin e ngjarjeve të luftës në Kosovës.
XS
SM
MD
LG