Ndërlidhjet

Rukiqi: Nuk amnistohet askush për ngecjet që kanë ndodhur në ekonomi


Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
Institucionet kosovare edhe 14 vjet pas përfundimit të luftës nuk kanë mundur t’i japin një orientim ekonomik vendit. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Ai shton, se për këtë ngecje nuk mund të amnistohet askush nga udhëheqësit e Institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rukiqi, edhe 14 vjet të pasluftës Kosova po ballafaqohet me papunësi dhe varfëri të madhe me probleme të shumta ekonomike për bizneset vendore. Cilat mund të kanë qenë arsyet e mos përmirësimit të këtyre problemeve?

BERAT RUKIQI
Janë tri arsyeje kryesore e para qendrorë në faktin që lidhet më periudhën e pas luftës, kur ekonomia ishte krejtësisht e shkatërruar, kapacitet prodhuese pothuajse nuk ekzistonin fare, infrastruktura ishte në gjendje të mjerueshme dhe në të njëjtën kohë rrejti energjetik dhe i telekomunikacionit realisht ishin vetëm sa për të ekzistuar.

Arsyeja e dytë lidhet me periudhën e gjatë të tranzicionit qoftë me një administrim të Kombeve të Bashkuara të cilat nuk lejonin shumë orientim afatgjatë dhe kryesisht qëllimin e kishin të sigurimi i një lloj paqeje apo sigurie të brendshme e cilat limitonin pastaj aktivitetet institucionale në drejtim të asaj që të ketë një politikë afatgjate ekonomike.

Dhe arsyeja e tretë lidhet me periudhën e pas statusit kur ne ende nuk kemi arritur të ndërtojmë politika të qëndrueshme që e përkrahin zhvillim ekonomik të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse institucionet e Kosovës atëherë gjatë këtyre viteve pas pavarësimit të vendit nuk kanë arritur të krijojnë politika më të favorshme ekonomike, të cilat do të ndihmonin zhvillimin ekonomik?

BERAT RUKIQI
Por, ndoshta proceset politike kanë qenë më interesante dhe në qendër të vëmendjes për opinionin dhe vetë politik bërësi dhe kjo ka ndikuar që krejt diku në mënyrë periferike të trajtohen çështjet e rëndësishme ekonomike. Ne kemi edhe një hendikep, kemi vetëm politikën fiskale dhe deri diku një pjesë të politikës tregtare në dispozicion për të të stimuluar zhvillim ekonomik të vendit. Nuk kemi politikë monetare. Dhe e tëra kjo ka krijuar një qasje kur në raport me shumë probleme që ka sektori privat ne ndërtojmë politika aty për aty.

Pastaj kemi shumë ligje që në letër dhe në raport me kriteret, direktivat dhe standardet evropiane janë shumë të avancuara, por në të njëjtën kohë ngec implementimi i tyre qoftë në kuptim të asaj që funksionon pjesa e sistemit gjyqësor, qoftë në kuptim të asaj që agjencitë ekzekutive që implementojnë këto ligje kanë kapacitete të plota menaxhuese, administrative dhe financiare për të mundur të zbatojnë këto ligje dhe kjo është jashtëzakonisht problematike nëse dëshirojmë me tërheq investime direkte në Kosovë të cilat në masë të madhe do të adresonin problemin e papunësisë, përmirësimin e bilancit tregtarë e shumë çka tjetër që lidhet me problemet ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
I theksuat investimet e huaja si mundësi e mirë e tejkalimit të problemeve ekonomike që ka Kosova. Por, Kosova përgjatë viteve ka pasur rënie të këtyre investimeve. Çka mund të këtë bërë investitorët që të hezitojnë të vinë në Kosovë për të investuar kapitalin e tyre?

BERAT RUKIQI
Kemi pasur një vit të vështirë në 2012 dhe në vitin 2008 sa i përket investimeve të huaja. Janë dy arsyeje kryesore e para është se gjithmonë ne nuk jemi të pavarur nga krizat ekonomike botërore në kuptim të asaj që edhe eksporti ndikohet nga krizat por edhe investimet edhe remitencat.

Sidomos pjesa e investimeve, në këto raste investitorët hezitojnë të investojnë për shkak se ka mungesë të kapitalit në tregjet botërore dhe kjo mungesë e kapitalit reflektohet dhe ka mungesë të investimeve. Në anën tjetër është bërë pak në kuptim të asaj që të promovojmë sektorë profitabil. Po mendojë ne kemi promovuar investime ose të themi imazhe të caktuara që mund të ndikonin të investitorët, por nuk jemi fokusuar në një strategji që e promovon sektorin.

Në anën tjetër, më vite ka pasur burokraci, mos funksionim të administratës, problemet e ndryshme nëpër komuna të ndryshme, problemet në nivel qendrorë që lidhen më sundimin e ligjit që lidhen me prokurimin publik dhe korrupsionin,. Të gjitha këto nuk kanë mundur të prodhojnë një efekt që i ndikon investitorët që të investojnë, por kanë prodhuar një kontra efekt pra që nuk i ka inkurajuar investitorët të vinë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova kritikohet për prani të madhe të korrupsionit. Sa po e dëmton ky ‘tolerim’ i korrupsionit zhvillimin ekonomik të vendit?

BERAT RUKIQI
Unë e potencova aspektin e sundimit të ligjit, i cili nuk po e pengon vetëm pjesën e zhvillimit shoqëror, apo të themi, ta avancimit tonë si shtet. Normalisht që çdo aspekt që lidhet me sundimin e ligjit, qoftë edhe korrupsionin, nuk prodhon imazh të mirë për vendin.

Dhe, të gjitha këto nuk janë që nuk pranohen prej investitorëve, në kuptim të asaj që ata gjithmonë shkojnë në vende me zero korrupsion, për shkak se në shumicën e vendeve ku shkojnë investitorët nuk janë vende që gjithmonë ofrojnë një ambient 100% perfekt, me zero korrupsion.

Mirëpo, mostrajtimi i këtij problemi për kohë të gjatë, si dhe motregimi i një vullneti që të trajtohet ky problem, është ajo pjesa problematike që normalisht pastaj ndikon në investitorin.

Mund të ketë raste me problem me ligjin, mund të ketë raste të kërkimit të mitos, mirëpo nëse këto i trajton sistemi gjyqësor, është çështje që realisht e garanton investitorin, dhe pastaj i tregon që këtu funksionon pjesa institucionale, funksionon demokracia, funksionon ligji dhe funksionojnë pushtetet ndarazi. Në çdo rast të kundërt, kjo prodhon një lloj efekti negativ, i cili në masë të madhe i ndikon edhe investitorët.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë këtyre viteve të pas luftës ku janë shënuar ngecje në ekonomi dhe a kanë mundur institucionet të bëjnë më shumë në zhvillimin gjithëmbarshëm ekonomik të vendit ?

BERAT RUKIQI
Ne kemi shënuar progres në ndërtimin e institucioneve, në funksionimin e një pjese të institucioneve, Kosova sot ka qëndrueshmëri ekonomike. Mirëpo, ajo që realisht nuk po shihet si mjaft pozitive në këto vite, është ritmi i zhvillimit. Pra, megjithëse kemi një rritje ekonomike mesatarisht më të lartë se norma e rajonit, mirëpo duke pasur parasysh që faza e zhvillimeve në rajon është në nivel shumë më të lartë, atëherë ne nuk mund të jemi të kënaqur.

Dhe, pikërisht në këtë drejtim mendoj që mostransformimi i kësaj rritjeje ekonomike në zhvillim, pra mosmundësia që të kemi një rritje shumë më të lartë ekonomike që pastaj do të prodhonte zhvillim, do të prodhonte vende të punës, do të kishim përmirësime në bilancin tregtar, është shqetësimi kryesor. Është ndoshta e vështirë të konstatohet se kush sa ka bërë dhe kush duhej të bënte më shumë, mirëpo sigurisht nuk është bërë mjaft për shkak se po na përcjellë problemi i njëjtë vazhdimisht, dhe në anën tjetër ende nuk e kemi një orientim të qartë se si ta adresojmë problemin.

Pra, ajo që nuk është bërë mjaft, mund t'i ketë rrënjët në ato arsyet që i thash në fillim, që lidhen me periudhën e pasluftës. Mirëpo, ajo që nuk mund të themi që amnistohet është se tash për tash, kur shumë nga proceset më të vështira i kemi përfunduar punët ne nuk e kemi një orientim afatgjatë kah dëshirojmë ta orientojmë ekonominë, cili do të duhej të ishte fokusi kryesor brenda atij fokusi cilët do të duhej të ishin tre katër hapat kryesorë që do të duhet bërë.
XS
SM
MD
LG