Ndërlidhjet

Veriu i Kosovës synon të rikthehet në vitin 1999


Themelimi i kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës, të cilën serbët e veriut e kanë paralajmëruar më 22 prill në tubimin e tyre protestues në veriun e Mitrovicës, do t'i paraprijë shpalljes së vazhdimësisë së autonomisë, të cilën Kosova e ka pasur deri në vitin 1999, paralajmërojnë liderët e serbëve të veriut.

Ata thonë se këtij vendimi i ka paraprirë marrëveshja e Beogradit me Prishtinën, e cila është arritur me 19 prillit në Bruksel, me të cilën serbët e veriut të Kosovës nuk pajtohen.

Lideri i serbëve të veriut Kërstimir Pantiq, njëherësh edhe zëvendës i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se rruga të cilën e kanë zgjedhur serbët e veriut është e pasigurt dhe me rreziqe, por është rruga e vetme.

Kjo do të thotë që Kuvendi i riformuar i Krahinës Autonome të Kosovës, do ta vazhdojë punën e Kuvendit i cili ka funksionuar deri në vitin 1999, kur është ushtruar agresioni i paktit NATO mbi Serbinë dhe institucionet e shtetit të Serbisë u suspenduan në bazë të Rezolutës 12 44".

"Përderisa Kuvendi i institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë e ka shpallur pavarësinë e saj, konsiderojmë se tash as ne nuk jemi të detyruar që ta zbatojmë Rezolutën 1244. Duke u udhëhequr me logjikën me të cilën janë shërbyer edhe shqiptarët e Kosovës, edhe ne do ta shpallim Kuvendin tonë, i cili do të punojë duke u bazuar në ligjin dhe Kushtetutën e Serbisë”, tha Pantiq.

Se serbët po shkojnë drejt themelimit të Kuvendit të ashtuquajtur të Krahinës Autonome të Kosovës, këtë e konfirmon edhe lideri tjetër i serbëve të veriut, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky veprim i serbëve të veriut nuk do të bie ndesh me politikat aktuale të Beogradit zyrtarë, por përkundrazi.

Përkundrazi, ne i forcojmë marrëdhëniet me Beogradin, sepse ne po i konfirmojmë Kushtetutën e Republikës së Serbisë, i cili e parasheh ekzistencën e kësaj krahine. Ne, në njëfarë mënyre, autonominë vetëm po e realizojmë me formimin e organeve, shërbimeve, me një konstituim të tillë, sepse konsiderojmë se ajo autonomi nuk ka pasur organe përmes të cilave ajo do të mund të shprehej dhe që qytetarët t’i realizojnë të drejtat e tyre autonome”, u shpreh Ivanoviq.

Pantiq vlerëson se Qeveria e Serbisë ka arritur marrëveshjen me Prishtinën, përmes së cilës, në njëfarë mënyre i largon institucionet e Serbisë nga Kosova, për t’i zëvendësuar ato me institucionet që do të përbëhen nga serbët e Kosovës.

Por, një gjë e tillë, sipas tij, nuk është e pranueshme për serbët e veriut, sepse institucionet e tilla do të duhej të punonin sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për krijimin e të ashtuquajturit Kuvend i Krahinës Autonome të Kosovës.

“Nuk ekziston asnjë pengesë ligjore ose bazë për këtë që Qeveria e Republikës së Serbisë të thotë se këto janë institucione jolegale dhe që të mos mund t’i pranojë ato”, tha Pantiq.

Ivanoviq thotë se serbët e veriut nuk e kanë pranuar qëndrimin e qeverisë serbe lidhur me marrëveshjen e Brukselit dhe ata dëshirojnë që përmes themelimit të Kuvendit të ashtuquajtur të Krahinës Autonome të Kosovës , ta shpërfaqin konkretisht qëndrimin e tyre.

“Me këtë ne e shprehim qëndrimin tonë dhe unitetin e madh, sepse këtu janë edhe përfaqësuesit e të gjitha partive. Këtu të gjithë qytetarët, praktikisht e kanë shprehur qëndrimin e njëjtë”, tha Ivanoviq.

Të dy këta liderë të serbëve të veriut e kanë pranuar se një veprim i tillë do ta ndante Kosovën në linja etnike, por, megjithatë, për një rezultat të tillë ata i fajësojnë institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit e tyre, të cilët e kanë shpallë pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, ata nuk e kanë precizuar se kur do të mbahet mbledhja e përfaqësuesve të serbëve në veri, në të cilën ata synojnë ta realizimin qëllimin e tyre.
XS
SM
MD
LG