Ndërlidhjet

Nevoja për riformatim

Ilustrim
Ilustrim

Instalimi i përgjegjësisë për liderët politikë, të cilët kanë humbur në zgjedhje, nuk është asgjë e re për vendet e zhvilluara demokratike, duke paraqitur dorëheqje si akt moral, theksojnë analistët politikë, duke komentuar vendimin e mbrëmshëm të kryetarit të LSDM-së, Branko Crvenkovski, dhënë në kuadër të Këshillit Qendror të partisë së tij se më nuk do të kandidohet për lider, me ç’rast dhe zyrtarisht ka hapur rrugën për gara për zëvendësimin e tij.

“Largimi i Branko Cërvenkovskit nga posti i liderit të LSDM-së është një akt i një përgjegjësie personale që duhet çmuar, ngase në fazat e fundit ai u bë pengesë në luftën e mëtutjeshme për pushtet, gjegjësisht për zhvillim të kapaciteteve të partisë. Riformatimi i partisë është një nevojë imediate për partinë. Në të vërtetë pozita e Cërvenkoskit krijoi një armatë të larguarish dhe të pakënaqurish që reflektoi edhe në zgjedhje”, thotë Alajdin Demiri, analist politik nga Tetova.

Dimitar Buzlevski, i cili para një kohe është larguar nga kryesia e LSDM-së, konsideron se zgjedhjet e fundit ishin sinjal shumë i rëndësishëm se partisë më të madhe opozitare i nevojiten ndryshime rrënjësore. Siç shprehet Buzlevski, i cili ka qenë ministër dhe kryetar komune për disa vjet, si kuadër i LSDM-së, partisë i nevojiten ndryshime rrënjësore dhe jo vetëm ndërrimi i kreut të partisë.

“E para, LSDM-ja duhet të bëjë ndryshime rrënjësore duke filluar nga kreu i partisë deri në reformimin thelbësor të organizatave komunale. Dhe, e dyta, po aq e rëndësishme, është fakti se kjo përbërje e kryesisë qendrore nuk duhet ta organizojë kongresin, por kongresin duhet ta bëjnë njerëz që nuk do ta shohin veten në kryesi të partisë. Dhe, e treta që është me shumë rëndësi, është se duhet fokusuar në kthimin e konceptit ideologjik, i cili fatkeqësisht ka kohë që është braktisur”, thekson Buzlevski.

Nga ana tjetër, Alajdin Demiri, politikolog thotë se riformatimi i partisë, duhet bërë pa humbur kohë, sepse Maqedoninë e pret një verë e nxehtë me presion të shtuar nga ndërkombëtarët ndaj Qeverisë Gruevski, për të zgjidhur çështjen e emrit, presion ky që pushteti do të tentojë ta amortizojë me zgjedhje të parakohshme.

“Riformatimi duhet të jetë më i shpejtë më i guximshëm. Kjo duhet bërë, sepse ashtu siç shkojnë situatat, nuk është aspak e çuditshme që VMRO DPMNE bashkë me partnerët e koalicionit qeverisës, të hyjë në zgjedhje të parakohshme, duke u ballafaquar nga frika që LSDM-ja të sforcohet, gjegjësisht të mos krijojë pozita më të mira. Natyrisht sfida e radhës për LSDM-në është gjetja e një lideri karizmatik, sepse kjo parti ka funksionuar në këtë mënyrë dhe me siguri do të tentojë kështu edhe të funksionojë”, shprehet Demiri.

Edhe nënkryetari i partisë maqedonase në opozitë, Gordan Georgiev, konsideron se pa dashur të minimizojë humbjen e thellë që pësoi në këto zgjedhje LSDM-ja, fitorja në Komunën Qendër, edhe pse nuk është nga radhët e LSDM-së, por nga Partia Liberale rrënoi mitin se VMRO DPMNE-ja nuk arrin të sfidohet dhe kjo duhet shfrytëzuar për të sforcuar radhët e opozitës për betejën e radhës.

“Fitorja e opozitës në Qendër pa u minimizuar humbja e përgjithshme e opozitës, ka një rëndësi të veçantë, sepse demonstroi një fat të pamohueshëm se qytetarët dinë saktësisht t`i detektojnë dhe vlerësojnë kualitetet e njërës palë dhe të dënojnë palën tjetër, e cila me çdo kusht dëshironte të dalë fituese për të mbrojtur konceptin që promovon projekti ‘Shkupi 2014’. Besoj se rasti ‘Qendër’ do të jetë porosi e qartë për zgjedhjet ardhshme”, thekson Georgiv.

Ai potencon se reformat në parti duhet ta orientojnë frymën e vlerave që morën notë të lartë pozitive nga elektorati dhe që s’arriti të sfidohet në asnjë mënyrë nga pushteti.

Ndryshe, më 2 qershor është caktuar që të mbahet Kongresi i radhës i LSDM-së, me ç`rast gjatë kësaj periudhe pritet të ndodhë një garë e brendshme për kreun e partisë më të madhe opozitare maqedonase.

Deri më tani kandidatë më të mundshëm për kryetar partie janë Zoran Zaev si dhe Radmilla Shekerinska.

Në garë për kreun e partisë më të madhe opozitare vazhdojnë të mbeten edhe Igor Ivanovski, Zoran Jovanovski dhe Kire Naumov.

Nga gjithë këta emra, i vetmi që publikisht është prononcuar është Kire Naumov, zyrtar i lartë i shërbimeve të sigurisë shtetërore, i cili publikisht ka theksuar se ka ambicie për të drejtuar LSDM-në me këtë rast, duke pasur përkrahjen edhe të ish-kryeministrit dhe liderit të kësaj partie, Vllado Buçkovski.
XS
SM
MD
LG