Ndërlidhjet

Politikat arsimore s'garantojnë perspektivë


Fotografi ilustruese
Mos harmonizimi i politikave arsimore me kërkesat në tregun e punës bën që shumë studentë të diplomuar të mbesin të papunë.

Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Shkup, thotë se është orientimi jo adekuat i nxënësve, që në shkollën e mesme, gjegjësisht orientimi i tyre në ato shkolla të cilat do t’iu përgjigjeshin më së miri dijeve, aftësive dhe perspektivave të tyre, ajo që shkakton problemin e papunësisë, dështimin në studime, madje dhe mungesën e kuadrit në profile specifike.

“Qëllimi i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë është orientimi profesional i nxënësve që kryejnë klasën e tetë gjegjësisht të nëntë të arsimit fillorë, do të thotë të orientohen në ato drejtime ku kanë prirje aftësi për t'u dëshmuar me sukses aty dhe të vazhdojnë mësimet”, thekson Dardhishta.

Ndërkaq, Xheladin Murati, nga fakulteti i pedagogjisë konsideron se në Maqedoni edhe kundrejt reformave të shumta në arsim, mungon një strategji e mirëfilltë për arsimin e gjeneratave të reja duke pasur për bazë garantimin e një perspektive për të rinjtë.

“Është e domosdoshme që shteti dhe politika arsimore të jenë të aftë që të ofrojnë alternative të ndryshme për orientimin e nxënësve në profesione të mirëfillta për të cilat shoqëria ka nevojë dhe të krijohen hiperproduksion të kuadrove për të cilat shoqëria në Maqedoni nuk ka as kapacitete punësimi e as mundësi inkuadrimi në procesin e punës. Sepse është koha e fundit që t'i jepet përgjigje apo zgjidhje adekuate dilemës, sot do të kryej fakultet, po çka pas kësaj , ku do të punësohem?”, thekson Murati.

Gjersa, sipas Nuhi Dardhishtës, pedagogët, psikologët, bashkë me prindërit, duhet punuar më shumë në drejtim të sensibilizimit të drejtimeve profesionale.

“Nuk duhet të lejojmë edhe më tej që nxënësit të shkojnë të gjithë vetëm në tre-katër shkolla. Duhet të punohet më shumë me ato dhe prindërit e tyre për sensibilizimin e drejtimeve profesionale. Prej pedagogëve kërkohet të punojnë më shumë me nxënësit dhe prindërit. Duhet ti njoftojmë ato me të mirat që ofron arsimi i mesëm profesional dhe nuk duhet që edhe më tej të na përsëritet tradita e regjistrimit vetëm në gjimnaze".

Ndërkaq, Xheladin Murati, konsideron se organet kompetente arsimore duhet punuar më me seriozitet për të krijuar një hapësirë të mirëfilltë për orientimin profesional të nxënësve duke bërë edhe analiza duke pasur për bazë potencialin e nxënësve dhe aftësitë e tyre psikofizike për t'i orientuar në ato drejtime ku mund të dëshmohen më së miri, edhe të jenë konkurrues në tregun e punës.

Është fakt se me inkuadrimin e shkollës së mesme si shkollim i obliguar të gjithë nxënësit regjistrohen në shkolla, dhe më pastaj të gjithë këta nxënës regjistrohen në fakultete pa ndonjë seleksionim dhe kjo ka krijuar një disharmoni, mes kuadrit i cili punon dhe përgatitjes së tyre profesionale".

"Në këtë drejtim, është shqetësues fakti se është e vërtetë e madhe që gjithnjë e më shumë mungojnë kuadrot profesionale në vet mesin e pedagogëve në shkollë fillore dhe pastaj atë të mesme të cilët jo vetëm se do të bënin seleksionimin por dhe aftësimin e nxënësve që secili të gjej vendin, apo atë drejtim ku do të mund më së miri të dëshmojë", thotë Murati.

Ndryshe dikasteri i arsimit në Maqedoni ka promovuar para një muaji projekt strategjinë nacionale për arsimim profesional për periudhën 2013-2020, qëllimi i së cilës është “krijimi i kushteve për arsim më tërheqës profesional".

Siç ka bërë të ditur numri një i Ministrisë së Arsimit, Cedomir Kralev – ky dokument është hartuar nga ekspertë vendas dhe ata ndërkombëtarë, përmes një analize të thuktë të opinioneve të nxënësve, punëdhënësve, pushtetit lokal, institucioneve shtetërore , dhe sektorit joqeveritar mbështetur financiarisht nga Fondacioni Evropian për Trajnim (FET) nga Torino.

Ministri Kralev ka nënvizuar se “kjo strategji është e rëndësishme ngase kompanitë gjithnjë e më shumë kërkojnë profesionalizëm dhe cilësi të kuadrit që del nga shkollat e mesme profesionale, duke mundësuar zgjidhjen e problemit me papunësinë në planin afatgjatë si dhe do të ndihmojë në uljen e numrit të madh të personave pa kualifikim përkatës dhe persona me kualifikime thënë kushtimisht të vjetruara –të përshtatshme me tregun e punës”.
XS
SM
MD
LG