Ndërlidhjet

Mali Sharr, mundësi për shfrytëzimin e IPA-fondeve


Malet Sharr
Malet Sharr
Shfrytëzimi i kapaciteteve të komunave, të cilat shtrihen rrëzë Malit Sharr, në trekëndëshin Maqedoni - Kosovë - Shqipëri, mund të realizohet vetëm përmes një bashkëpunimi të vazhdueshëm, tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të tërhiqen IPA-fondet e Bashkimit Evropian, dedikuar zhvillimit të rajoneve ndërkufitare.

"Duke qenë një ish-zëvendëskryeministre, kam arritur të krijoj më shumë njohuri për këtë proces. Andaj hapi i parë në këtë drejtim është krijimi i një njësie të veçantë në kuadër të komunës, përmes së cilës besoj do të bëjmë një administratë të suksesshme që të jemi efikas në këtë proces".

"Kjo nënkupton se gjithsesi duhet konkurruar me projekte të përbashkëta dhe njohje më të mirë të këtij procesi. Qasja ime është që komuna e Tetovës të investojë në dije institucionale dhe afinitete institucionale, padyshim dhe afinitete diplomatike që të shfrytëzohen maksimalisht këto mjete dedikuar rajoneve ndërkufitare”
, tha Arifi.

Sipas saj, Mali Sharr duhet shikuar si qendër, që do t'i bashkojë tri vendet:

“Është me shumë rëndësi që me komunat e Kosovës, mandej edhe me komunat e Shqipërisë, të cilat shtrihen përgjatë brezit kufitar, të zhvillojmë një bashkëpunim për realizimin e projekteve të përbashkëta. Është pasuri e madhe të kesh Malin Sharr në mes dhe qëllimi ynë është që atë ta bëjmë sa më atraktiv, qoftë për turizëm dimëror, apo eko-turizëm, me qëllim që kjo zonë të paraqesë element zhvillimor të rëndësishëm për qytetarët e këtij vendi”.

Ndërkohë, kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, që realizoi një vizitë dyditëshe bashkë me kryetarët e komunave të brezit kufitar Maqedoni - Kosovë, Naim Ismaili, tha se është i vetëdijshëm që Kosova nuk ka arritur t'i shfrytëzojë mundësit që ofrojnë fondet evropiane dhe se bashkë me kryetarët e komunave Han i Elezit, Gjilan, Dragash dhe me atë të Kaçanikut synim mbetet krijimi i një jete më të mirë për qytetarët e brezit kufitar.

“Tani duhet të shikojmë kah Evropa e bashkuar dhe duhet të përpiqemi që bashkërisht të shfrytëzojmë shanset dhe mundësitë që i kemi si komuna që shtrihen përgjatë kufirit, që qytetarëve në ato zona t'u ofrojmë mundësinë e zhvillimit më të mirë si në aspektin e infrastrukturës, ashtu dhe në aspektin e zhvillimit socio-ekonomik, me qëllim që në këto pjesë të ngremë shumë projekte të përbashkëta, në interes të qytetarëve që jetojnë në brezin kufitar”, theksoi Ismaili.

Nga ana tjetër, Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës për Radion Evropa e Lirë tha se synim jo vetëm i Maqedonisë, por edhe Kosovës e Shqipërisë, mbetet ndërtimi i aksit rrugor Tetovë - Brodec (Malësi e thellë e Tetovës) -Prizren, duke u lidhur me "Rrugën e Kombit'. Sipas saj, ky projekt është në fazën e studimittë fizibilitetit që do theksuar se ky studim është mjaft i shtrenjtë, por jo i pamundur për t'u vënë në funksion.

Arifi, para kryetarëve të brezit kufitar të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, me të cilët Vuri kontakte intensive, u zotua se do të shfrytëzojë të gjitha rrugët diplomatike për të siguruar mjete.

“Absolutisht do t'i shfrytëzoj në mënyrë maksimale që ndërtimi i kësaj rruge të krijojë dhe mbështetje financiare ndërkombëtare”, potencoi Arifi.

Ndryshe, Maqedonia nga organizatat qeveritare në vazhdimësi është kritikuar se nuk ka arritur t'i shfrytëzojë mjetet evropiane si pasojë e mungesës së kuadrit profesional në administratën e pushtetit vendor, që do të angazhohej për hartimin dhe realizimin e projekteve në nivel komunash.

Lidija Dimova, nga organizata jo qeveritare për Arsimim Evropian, theksoi se pikërisht është fakti se kuadri partiak, i cili në vazhdimësi ndërrohet varësisht nga ajo kush e drejton komunën, ka shkurajuar përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilëtangazhohen për aftësimin e administratës që t'u përgjigjet standardeve që kërkohen nga Evropa.

“Vendet e rajonit, të cilat janë pas Maqedonisë, por që kohën e fundit janë duke e parakaluar gjithnjë e më shumë vendin tonë, janë shans i fundit për ne që përmes projekteve të përbashkëta rajonale diçka të shfrytëzohet. Kjo ngase disa herë e theksoj, Maqedonia më shumë se gjysmën e mjeteve të dedikuara për zhvillimin e kapaciteteve institucionale nga fondet e BE-së nuk arriti t'i shfrytëzojë”, tha Dimova.
XS
SM
MD
LG