Ndërlidhjet

Ashton mirëpret hapat e Prishtinës e Beogradit


Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ahton me kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, Bruksel, 21 maj, 2013
Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ahton me kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, Bruksel, 21 maj, 2013
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton ka mirëpritur vendimin e Prishtinës dhe të Beogradit për zbatimin e planit të Marrëveshjes së Prillit.

“Mirëpres vendimin e të dy palëve që të miratojnë planin e zbatimit që përkthen në praktikë provizionet e Marrëveshjes së Prillit. Dua edhe njëherë të përgëzoj kryeministrin Daçiq dhe kryeministrin Thaçi për lidershipin dhe vendosmërinë e tyre. Angazhimi i tyre personal do të vazhdojë të jetë thelbësor në zbatimin e shpejtë të planit”, është shprehur përmes një deklarate dërguar mediave, baronesha Catherine Ashton.

Qeveria e Kosovës ka bërë me dije menjëherë pas arritjes së pajtueshmërisë në parim për planin në mes të kryeministrave Thaçi e Daçiq në javën e kaluar në Bruksel, se do ta ta zbatojë atë.

Por, Beogradi ka dhënë këtë përkushtim në mbrëmjen e kaluar pas një takimi të Qeverisë.

Shefja e diplomacisë evropiane është shprehur optimiste se plani i zbatimit të marrëveshjes për normalizim raportesh do të zgjidhë problemet në terren.

“Plani i zbatimit do të sigurojë përparim të shpejtë edhe të Serbisë edhe të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ai paraqet një hap tjetër përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe është pa paragjykime të pozicioneve të të dy palëve karshi statusit të Kosovës”, është shprehur Ashton.

Në deklaratën e Qeverisë së Serbisë është kërkuar pikërisht garancia, që plani të mos prejudikojë statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG