Ndërlidhjet

Maqedoni: Hija e mungesës së Kosovës në Ohër


Pamje nga Ohri
Pamje nga Ohri
Samiti i shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve të përfshira në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që do të mbahet të shtunën në Ohër, do të zhvillohet nën hijen e divergjencave që ende ekzistojnë mes shteteve në rajon.

Edhe në këtë samit, do të mungojë delegacioni nga Kosova pasi nuk është ftuar të marrë në të me arsyetimin se ajo nuk është anëtare formale e kësaj nisme.

“Në formatin e vërtetuar deri më tani, në të gjitha Samitet e proceseve për bashkëpunim në Evropës Juglindore, Kosova nuk figuron si anëtare formale. Republika e Maqedonisë po përcjell zhvillimin dhe implementimin e marrëveshjes së arritur kohë më parë mes Prishtinës dhe Beogradit dhe pas konsultimeve do të ketë një qëndrim përfundimtar rreth kësaj çështje”, thuhet në njoftimin nga kabineti i presidentit, Gjorgje Ivanov.

Por, anashkalimi i Kosovës nga ky samit si dhe nga tubimet e këtij lloji që janë mbajtur në Maqedoni, ka shkaktuar reagime të ndryshme nga njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Emin Azemi, publicist dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se refuzimi i Kosovës nga ky samit, është në kundërshtim me frymën e re që po mundohen të krijojnë Prishtina dhe Beogradi, të cilat, tanimë kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Ai dyshon se pas anashkalimit të Kosovës qëndron Shkupi zyrtar.

Nuk është Beogradi gjithaq i interesuar që të ketë kohëve të fundit probleme në rajon për shkak se ndodhet në prag të datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, por kam përshtypjen sikur në prapavijën e gjithë këtyre problematikave qëndron ndoshta një inat ballkanik, apo një revanshizëm i stabilishmentit politik të Shkupit ndaj Prishtinës, e cila, kohëve të fundit me disa deklarata në adresë të Maqedonisë tregoi një dozë kritike dhe unë këtu e shoh këtë pezëm të Shkupit dhe kabinetit të presidentit Ivanov ndaj Prishtinës”, thotë publicisti Emin Azemi.

Ndërkohë, Denko Malevski, ish-diplomat, thotë se samiti i Ohrit paraqet një tubim të rëndësishëm rajonal, por, pesha e tij do të ishte edhe më e madhe, sikur të merrte pse edhe delegacioni nga Kosova.

“Kjo është një ngjarje shumë e dobishme, një iniciativë e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal, por që gjithmonë mbetet në hijen e problemeve mes shteteve të rajonit, siç është rasti mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është hera e parë që mospajtimet mes dy vendeve të rezultojnë me mungesën e ndonjërit nga delegacionet".

"Ne shpresonim se me Marrëveshjen e Brukselit kjo është tejkaluar, por, duket se dallimet ende nuk janë kapërcyer dhe është për të ardhur keq që samiti sërish do të mbetet nën hijen e mospjesëmarrjes së delegacionit të Kosovës, pasi autoritet maqedonase me siguri kanë vlerësuar se më me rëndësi është prania e Serbisë”, thotë ish-diplomati Denko Malevski.

Por, nga ana tjetër publicisti Emin Azemi, thotë Maqedonia duhet të ketë trajtim të barabartë dhe jo anashkalues pasi raportet me Kosovën kanë rëndësi të madhe për Shkupin zyrtar si në aspekt të bashkëpunimit ekonomik ashtu edhe në aspekt të përbërjes etnike të popullatës në Maqedoni.

“Kosova tani për tani është një ndër tregjeve të dyta apo të treta në rajon sa i përket këmbimit tregtar të Maqedonisë, pastaj është faktori shqiptar, i cili, nuk mund të anashkalohet. Pra, këtë dimension sikur po e harrojnë sepse një e treta e popullsisë së përgjithshme në Maqedoni janë shqiptar dhe shqiptarët domosdoshmërish krijojnë këtë varshmëri të ndikimeve rajonale".

"Andaj udhëheqësia maqedonase duhet të jenë e kujdesshme sepse çdo tendosje e marrëdhënieve me shqiptarët në rajon reflektohet edhe në marrëdhënieve e brendshme ndëretnike. Pra ka imapkt jo vetëm ekonomik, tregtar por edhe politik e ndëretnik”
, thotë Azemi.

Ai shton se autoritetet maqedonase në ditët që kanë mbetur duhet të ndryshojnë qëndrimin dhe të ftojnë në këtë samit edhe presidentet e Kosovës Atifete Jahjaga.

Ndryshe, në samitin e Ohrit ku do të merr pjesë edhe Komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fule, do të diskutohet për uljen e rreziqeve nga katastrofat dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimaterike.
XS
SM
MD
LG