Ndërlidhjet

Shqetësime për presionin ndaj gazetarëve në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim

Te gazetarët vërehet një frikë gjithnjë e më e theksuar gjatë kryerjes së punës së tyre, ndërkohë që në vazhdimësi ata na informojnë për presione të ndryshme që ushtron pushteti ndaj punonjësve mediatik, deklaron për Radion Evropa e Lirë ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Gudrun Shtajneker.

Ajo thekson se e sheh si pozitiv miratimin e propozim-ligjit të ri për media dhe veçanërisht gatishmërinë e shprehur nga ana e ministrit për Shoqëri Informative, Ivo Ivanovski, që brenda tij të inkorporohen të gjitha vërejtjet e parashtruara nga gazetarët, OSBE-ja dhe Komisioni Evropian.

“Të jem e sinqertë, sa i përket lirisë së shprehjes, jam paksa e shqetësuar. Është vërejtur një përparim në këtë drejtim, por gjatë bisedës me shumë gazetarë, vërehet një frikë e theksuar tek ata - ndoshta tingëllon ashpër fjala frikë ose nëse mund të shprehem vetëpërmbajtje - ngase ata në vazhdimësi raportojnë për presione të ndryshme që u bëhen gjatë punës së tyre dhe ky nuk është sinjal i mirë”, deklaron Shtajneker.

Amabasadorja gjermane në Shkup, shpreh optimizëm se Qeveria e Maqedonisë është e vetëdijshme se kësaj çështjeje duhet t`i qaset me seriozitet.

Shtajneker, duke komentuar propozim-ligjin e ri për media, thotë se me rëndësi të veçantë është fakti sa autoritetet përkatëse janë shprehur të gatshme që t`i inkorporojnë të gjitha vërejtjet që kanë shprehur gazetarët dhe komuniteti ndërkombëtar lidhur me mangësitë që janë apostrofuar në të.

“Mendoj se për vetë faktin se nga komuniteti ndërkombëtare dhe mediat u shtruan disa vërejtje të theksuara lidhur me ligjin në fjalë. Mendoj se kjo i dëshmoi qeverisë se bëhet fjalë për një çështje shumë serioze”, shprehet Shtajneker.

Ndërsa, gazetarët thonë se frika formësohet në vetëcensurë si pasojë e mekanizmave të fuqishëm që përdor pushteti veçanërisht ndaj atyre gazetarëve dhe medieve, të cilat guxojnë të flasin kundër interesave të pushtetit.

“Duke marrë parasysh rrethanat e mediave në Maqedoni, edhe sikur të shprehin gazetarët guxim, pra ka të tillë që bëjnë zbulime, hetojnë, zbulojnë zhvillime të caktuara, të cilat s’i shkojnë përshtati pushtetit, mund të ndodhë që të mos kenë as media që t`i publikojnë këta artikuj, gjë që paraqet problem” , thekson gazetari Nazim Rashiti.

Ai nënvizon se pos faktit se në propozim-ligjin për mediat duhet inkorporuar të gjitha rekomandimet e sugjeruara nga faktori ndërkombëtar dhe te vetë gazetarët duhet ngritur vetëdija për rëndësinë e lirisë së shprehjes, si bazë mbi të cilën ndërtohet çdo shoqëri demokratike.

Nga ana tjetër, Petar Arsovski, njohës i çështjeve të komunikimeve, konsideron se në Maqedoni, ligjet kryesisht kur duhet të zbatohen, interpretohen në funksion të qarqeve të caktuara.

“Me dekriminalizimin e shpifjes, është rritur edhe më shumë presioni ndaj gazetarëve në vend se të ndodhë e kundërta, sepse tani edhe pse dënimet janë në të holla dhe jo burg, ato janë aq drakonike saqë të detyrojnë disa herë të mendosh para se të shkruash ose thuash diçka".

"Dhe, e dyta, është evidente se pushteti i shpërblen, thënë kushtimisht, me mjete financiare nga buxheti, përmes reklamave ato media, të cilat janë të dëgjueshme. Pra, tani frika nga burgu është shndërruar në frikë për mbijetesë në aspektin ekonomik”
, potencon Arsovski.

Ndërkaq, për Agjencinë Shtetërore Informative, ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Ivo Ivanovski, thotë se dikasteri që drejton ai, mbetet i hapur për të debatuar për Propozim-ligjin për media dhe shërbime mediatike dhe audiovizuale, me secilin që dëshiron të bisedojë.

“Për versionin inicial të ligjit arritën 380 komente pa rekomandimet e OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës. Statistika tregon se 80 prej tyre janë pranuar në tërësi, ndërsa 60 janë pranuar pjesërisht. Për ne, me rëndësi është se morëm komente edhe nga Këshilli i Evropës dhe nga OSBE-ja, një pjesë e tyre janë pranuar, e një pjesë jo. Të njëjtën do ta bëjmë edhe kësaj radhe. Të gjitha vërejtjet do të merren parasysh, do të shqyrtohen”, shprehet Ivanovski, duke paralajmëruar edhe një raund bisedash me palët e interesuara.
XS
SM
MD
LG