Ndërlidhjet

Serbi: Liderët shqiptarë të jugut takohen me Daçiqin


Pamje nga një protestë e shqiptarëve në Bujanoc
Pamje nga një protestë e shqiptarëve në Bujanoc
Shefi i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, tha sot se është arritur marrëveshja që liderët politikë shqiptarë nga këto tri komuna, më 15 Korrik të takohehen me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, dhe të bisedojnë për implementimin e një platforme prej shtatë pikësh, në të cilën janë të paraqitura kërkesat e tyre.

Propozimet për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës, liderët politikë shqiptarë i kanë përmbledhur në Platformë me tetë pika, e cila është miratuar më 25 Shkurt të këtij viti në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Zyrën e OSBE-së në Bujanoc, ku ishte i pranishëm edhe koordinatori Stankoviq.

Këto komente ai i bëri pas takimit të tij të sotëm me liderët politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Qeveria e Serbisë e ka miratuar këtë platformë më 4 Qershor, e cila tash i ka shtatë pika, pasi njëra është shpërndarë në pikat e tjera.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha se në mbledhjen e parë me kryeministrin Daçiq, me gjasë, do të jenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të shqiptarëve në këto tri komuna.

Në mbledhjen e sotme pos Arifit, morën pjesë edhe politikanët Riza Halimi, Shaip Kamberi, Jonuz Musliu, Skender Destani, dhe Rahmi Zulfiu.
XS
SM
MD
LG