Ndërlidhjet

Shqipëri: Përfundoi fushata e zhurmshme, por e qetë


Sali Berisha (majtas) dhe Edi Rama
Sali Berisha (majtas) dhe Edi Rama
Partitë politike në Shqipëri i kanë mbajtur tubimet e tyre finale të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme, që mbahen nesër.

Këto zgjedhje konsiderohen si një test i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt afrimit me Bashkimin Evropian, pas një historie të zymtë të votimeve problematike.

Kryeministri konservator, Sali Berish, 68 vjeçar, me Partinë Demokratike të tij, synon edhe mandatin e tretë.

“Me reformat madhore dhe përpjekjet, këtë vit ne do të bëjmë çdo gjë të mundshme për t’i filluar negociatat” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, u tha mbrëmë Berisha mbështetësve të tij, që ishin mbledhur në Sheshin Nëna Tereze në Tiranë, ku dominonin flamujt e Shqipërisë, por edhe ata të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, që është aleati kryesor perëndimor i këtij vendi.

Tubimin kryesor të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e së dielës, Partia Socialiste në opozitë e mbajti të entjen.

Me këtë rast lideri i saj, Edi Rama, 48 vjeçar, para mijëra mbështetësve, poashtu në Sheshin Nëna Tereze, e akuzoi kryeministrin Sali Berisha, se po e udhëheq vendin me një elitë të korruptuar e cila “e ka shkatërruar ekonominë, shoqërinë, demokracinë, dhe ëndrrën evropiane të shqiptarëve”.

Gjatë ditës së djeshme, zoti Rama mori pjesë në tubimin e madh në Shkodër dhe pastaj me helikopter shkoi në Vlorë. Tubimet në të dy qytetet u mbajtën në të njejtën kohë.

Të drejtë vote në Shqipëri kanë afro 3.3 milionë zgjedhës.

Tashmë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka dërguar monitoruesit zgjedhorë në Shqipëri.
XS
SM
MD
LG