Ndërlidhjet

Cunami i Himalajeve kërcënon Indinë me epidemi


Ilustrim
Ilustrim
Trupa të kalbur po kontaminojnë burimet e ujit dhe sanitacionin në pjesën veriore të Indisë në prag të përmbytjeve shkatërrimtare të cilat mund të çojnë Indinë drejt një shpërthimi të sëmundjeve si koleras dhe dizinterisë, alarmojnë grupet humanitare.

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat monsune që vazhdojnë për të dhjetën ditë në Indi, kanë vrarë së paku 882 njerëz në shtetin Uttarakhan ku shtrihen Himalajet, ndërsa ka detyrar dhjeta mijëra banorë të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet druajnë se numri i viktimave mund të tejkaloj 1,000, pasi mijëra veta llogariten si të zhdukur.

Ekipet shpëtimtare janë përqendruar në shpëtimin dhe evakuimin e mijëra pelegrinëve dhe turistëve, kurse ekipet humanitare lajmërojnë për një katastrofë në prag të shpërthimit të epidemive në zonat e prekura nga përmbytjet.

Këto grupe ngrejnë alarmin se janë të brengosur që kombinimi i shirave të rrëmbyeshëm, dhe trupave që po kalben gjithandej shtetit, mund të kontaminojnë puset dhe lumenjt, që përdoren për ujë të pijshëm nga fshatarët.

“Po pranojmë raporte nga terreni se ka trupa të pajetë gjithandej, ku disa janë gjysmë të zënë nga dheu ose nga gërmadhat, që i ka sjell rrjedha e lumit nga fshatrat e shkatërruara”, thotë Zubin Zaman, menaxheri humanitar i Oxfam India.

“Ka po ashtu kufoma të kafshëve në lumenjt dhe puseta, ndërsa kjo natyrisht se kontaminon shumicën e burimeve të ujit të pijshëm. Njerëzit janë të dëshpëruar, dhe po detyrohen që të konsumojnë ujin, të cilin s’do ta bënin përndryshe”, shtoi ai.

Sipas tij, të paktën 400 njerëz janë shtrirë në spitalin fushor në Sonprayag, të sëmurë nga kolera, diarea dhe dizinteria.

Përmbytjet dhe rrëshqitja e dheut nga shirat e rrëmbyeshëm është pagëzuar në mediet indiane si “Cunami i Himalajeve” për shkak të nivelit të lartë të ujit që u derdh nga brigjet e rajonit, duke shkaktuar shkatërrimin e fshatrave të tëra, ku disa edhe janë zënë nën baltën që solliën lumenjt.
XS
SM
MD
LG