Ndërlidhjet

Amnistia, grusht i madh ndaj drejtësisë


Ilustrim
Ilustrim
Projektligji për amnistinë, i cili ka buruar si rezultat i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që pritet të hidhet për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, me 4 korrik, do të ketë një varg implikimesh jo të mira për vendin, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në vend dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.

Analisti i çështjeve politike, Shpend Kursani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se projektligji për amnisti i cili buron nga Qeveria e Kosovës, ka dalë si kërkesë e Serbisë për amnistimin e pjesëtarëve ilegal të sigurisë në veri dhe pjesëtarëve të strukturave tjera ilegale ën këtë pjesë të vendit, të cilët e kanë thyer ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.

Por, sipas tij, zgjerimi i amnistisë edhe për kriminelët në jug të vendit, do të jetë, siç thotë ai, gjëja më e keqe që i ka ndodhur Kosovës deri më tash.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me projektligjin për amnisti, po bën që ta zgjerojë këtë amnisti edhe për kriminelët në jug të vendit, që normalisht, janë pjesë edhe të bizneseve dhe shumë partive politike në Kosovë. Pra, që kanë raste edhe në gjykate dhe të cilët kanë qenë të implikuar dhe janë të implikuar në krime, në korrupsion".

"Unë mendoj që ky ligj për amnisti, në qoftë se kalon në Kuvend, është gjëja më e keqe që i ka ndodhur Kosovës, madje edhe më e keqe se vet marrëveshja me Serbinë, që ka dalë si rezultat i saj”, tha Kursani.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se iniciativa për ligjin për amnistinë është tërësisht politike, ashtu sikurse edhe përmbajtja e tij.

Por, siç thotë ai, shqetësuese është tendenca e Qeverisë së Kosovës, që në mënyrë perfide ta shfrytëzojë konsensusin e ndërtuar në klasën politike për marrëveshjen me Serbinë, për të miratuar një projektligj, i cili sipas tij, cenon rëndë sigurinë nacionale në Kosovë.

“Ka një tendencë që të falen një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve në Kosovë, të cilët madje janë shumë të afërt me politikën ose kanë edhe pozita kyçe në politikë në Kosovë".

"Janë mbi 100 vepra penale, të cilat i nënshtrohen amnistisë, madje edhe veprat, krimet ordinere, siç janë; vjedhja, fajdja, haraçi, delikti në komunikacion, veprat e ndryshme penale që lidhen me krimet ekonomike, e që është më shqetësuesja, sipas vlerësimit tonë”, u shpreh Selmanaj.

Ndërkaq, Kursani ka theksuar se bazuar në projektligjin për amnisti, nuk do të lirohen vetëm kriminelët politik por edhe ata që merren me biznese, të cilët i kanë ikur tatimeve, kanë kontrabanduar përmes doganave, madje edhe vjedhësit e faturave, si dhe një varg veprash të tjera penale.

Po ashtu, sipas tij, nëse ligji për amnisti miratohet, atëherë do të lirohen edhe mjekët që nga pakujdesia kanë mbytur foshnje apo kanë bërë vepra penale të tjera.

Kursani ka thënë se miratimi i ligjit në format ekzistuese, është grushti më i madh që mund t'i jepet drejtësisë në vend dhe raste të ngjashme në botë nuk ekzistojnë.

"Kësi ligji për amnisti nuk ka askund, ku lirohen të gjithë kriminelët njëzëri. Drejtësia ka për qëllim që të jetë ‘fer’ ndaj qytetarit, ndërsa kjo është qasja më ‘jo fer’ që është e mundur përballë një qytetari".

"Pra, me këtë ligj, po barazohet krimineli me qytetarin e ndershëm dhe tani mund të themi se nuk kemi kriminel në mes nesh, por, në fakt, kemi qytetarë në mes të kriminelëve. Ky është efekti që do ta ketë ky ligj, nëse kalon kështu”, tha Kursani.

Por, Selmanaj thotë se qytetarët me të drejtë presin nga Kuvendi i Kosovës që t’i qaset në mënyrë tejet të kujdesshme këtij projektligji.

Ne duam të besojmë se Kuvendi i Kosovës do t'i reduktojë në mënyrën maksimale ato vepra penale, të cilat do të duhej të amnistoheshin, në mënyrë që vërtetë qëllimi i këtij ligji të arrijë atë çfarë është synuar në fillim, që të falen ata, për të cilët ne po mendojmë se mund të ndikojnë në integrimin e pjesës veriore të Kosovës".

"Por, kurrsesi që të shërbejë si dokument për t’i amnistuar të gjithë ata - po flas për qytetarët tjerë, të pjesës tjetër të Kosovës (përveç veriut) - të cilët kanë abuzuar me pushtetin, kanë abuzuar me paratë publike, kanë abuzuar me të gjitha format kundër rendit juridik në Kosovë”, theksoi Selmanaj.

Ndryshe, për miratimin e ligjit për amnistinë nga Kuvendi i Kosovës, do të nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, ndërkohë që tashmë janë dhënë sinjale se rreth këtij miratimi do të ketë debate të ashpra në Kuvend.

Ligji për amnistinë, thuhet se rregullon kushtet dhe procedurën me të cilën jepet amnisti për personat të cilën janë dënuar për një vepër penale, personat të cilët janë nën ndjekje penale për vepra penale, apo personat të cilët mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera para 20 qershorit të vitit 2013, brenda territorit që tani përbën Republikën e Kosovës.

Zëvendës-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh edhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ditë më parë ka theksuar se amnistia nuk do të nënkuptojë faljen e kriminelëve dhe atyre që kanë kryer vepra të rënda penale.
XS
SM
MD
LG