Ndërlidhjet

VV me aksion kundër Ligjit për Amnisti


Shpend Ahmeti, nënkryetar i Vetëvendosjes.
Shpend Ahmeti, nënkryetar i Vetëvendosjes.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një aksioni para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, kanë kundërshtuar projektligjin për amnisti, i cili pritet të shqyrtohet sot në Kuvend.

Akivistët e kësaj lëvizje kanë shfaqur shpresën se “ka deputetë që kanë ndërgjegje” dhe do të mundësojnë që të mos bëhen 80 vota për kalimin e ligjit.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë se ky projekt-ligj tregon pasojat e para të marrëveshjes së arritur me Serbinë.

“Me këtë ligj po amnistohen dy grupe. Njëri janë të gjitha krimet që janë kryer nga strukturat ilegale në veri, si: djegia e pikave kufitare dhe gjithçka që është bërë në emër të dëmtimit të shtetit të Kosovës - pra, do të lirohen të gjithë ata kriminelë dhe nuk do të ndiqen penalisht. Në këtë emër të aminstimit kemi edhe grupin e dytë, që janë uzurpimi i pronës së paluajtshme, sulmi ndaj personave zyrtarë... Shihet se këta deputetë kanë dashur t’i amnistojnë kriminelët e tyre”, është shprehur Ahmeti.

Për miratimin e Ligjit për Amnistinë në Kuvendin e Kosovës, do të nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.

Ligji për Amnistinë thuhet se rregullon kushtet dhe procedurën me të cilën jepet amnisti për personat që janë dënuar për një vepër penale, personat që janë nën ndjekje penale për vepra penale, apo personat që mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale, të kryera para 20 qershorit të vitit 2013, brenda territorit që tani përbën Republikën e Kosovës.
XS
SM
MD
LG