Ndërlidhjet

Bie interesimi për ndërmarrjet shoqërore


Që nga fillimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, i cili kishte filluar në vitin 2003, deri më tani janë privatizuar rreth 1,500.

Ndërkaq, në proces të shitjes, sipas të zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë edhe rreth 200 ndërmarrje tjera.

Por, numri i investitorëve potencial për këto ndërmarrje ka shënuar rënie.

Udhëheqësi i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale "STRAS”, Ibrahim Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërmarrjet e mbetura, përveç që nuk janë më interes të madh strategjik, ato kanë edhe konteste pronësore.

Kjo, sipas Rexhepit, mund të jetë arsyeja e mos interesimit të madh të investitorëve potencial për ndërmarrjet shoqërore.

“Është fakt se ndërmarrjet të cilat kanë qenë me një interes strategjik janë privatizuar vitet e mëhershme, ndërkaq, nëse i shohim tani shpalljet e reja që ka AKP-ja më shumë bëhet fjalë për toka dhe prona të ndryshme bujqësore që pas vetes kanë bukur shume konteste pronësore, dhe për këtë arsyeje investitorët serioz hezitojnë të hyjnë në këto konteste të cila ndoshta nuk duken aq të rrezikshme, por marrin kohë derisa çështja e pronësisë së tyre të zgjidhet”, vlerëson Rexhepi.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thonë se nuk ka interesim të madh për shkak se ndërmarrjet shoqërore të cilat janë në proces të privatizimit krahasuar me ndërmarrjet e privatizuara, janë të vogla.

Zëdhënësja e AKP-së Arta Gosalci thotë për Radion Evropa e Lirë se tani kanë mbetur një pjesë e vogël e ndërmarrjeve shoqërore të pa privatizuara dhe se më shumë ka të bëjnë më toka bujqësore.

“Ne në valët në vazhdim të cilat jemi duke proceduara muaj pas muaji, kemi likuidimin me asete pra po shesim astet e ndërmarrjeve të cilat nuk zgjojnë edhe aq interesim tek investitorët”, bënë të ditur Gosalci.

Të përshpejtohet likuidimi i ndërmarrjeve

Sipas zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimi, mbi 632 milionë euro ka arritur fondi i mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve të shoqërore në vend.

Këto mjete janë të deponuara në Bankën Qendrorë te Kosovës dhe deri më tani normat e interesit për këto fonde sipas Gosalcit janë rritur 34.6 milionë euro.

“Mjetet e fondit për shkak të krizës financiare ndërkombëtare janë në BQK dhe do të vazhdojnë me këtë normë të interesit”, shton Gosalci.

Mos investimi i mjeteve të fondit të privatizimit në ekonominë e Kosovës është kritikuar vazhdimisht nga ekspertë të çështjeve ekonomike.

Ibrahim Rexhepi thekson se këto mjete do të mund të ishin në proces të zhvillimit, por duhet një përshpejtim i procesit të likuidimit të ndërmarrjeve të privatizuara.

“Pra problemi është procesi shumë i ngadalshëm i likuidimit të ish ndërmarrjeve shoqërore. Me përshpejtimin e këtij procesi atëherë pjesa e mbetur derdhet në buxhetin e Kosovës, pasi që ka mundësi ligjore që tash kjo çështje të rregullohet, por likuidimi është shumë i ngadalshëm dhe kthimi apo futja e mjeteve në qarkullim të brendshëm është shumë i ngadalshëm”, shton Rexhepi.

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë pritet të përfundojë brenda një periudhe pesë vjeçare, ndërsa sa i përket përmbylljes së tërë procesit, agjencia është e varur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, që, sipas ligjit, ka juridiksion mbi AKP-në.
XS
SM
MD
LG